Ministri Peleshi: Satelitët “Albania 1” dhe “Albania 2” së shpejti në hapësirë
2022-09-30 12:05:00

Satelitët “Albania 1” dhe “Albania 2” do të jenë së shpejti në hapësirë, duke dhënë informacione të detajuara për të gjithë territorin e Shqipërisë.

Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi njoftoi në një konferencë shtypi nënshkrimin e kontratës me vlerë 6 milionë dollarë mes Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile dhe operatorit amerikan “Satellogic USA Inc”, që konsiston në përdorimin ekskluziv të dy satelitëve, fillimisht për një periudhë 3-vjeçare, për monitorimin e territorit të Shqipërisë.

Peleshi theksoi se satelitët shqiptarë pritet t’i bashkohen “Satellogic USA Inc” në lëshimin e saj të ardhshëm satelitor me “Space X”, teksa shtoi se janë një sërë institucionesh që do të përfitojnë nga ky shërbim.  

“Satelitët janë një  kapërcim teknologjik për Shqipërinë. Vendi do të ketë akses prioritar te dy satelitët. Ky shërbim do t’i mundësojë institucioneve marrjen e imazheve satelitore. Janë një sërë institucionesh që do të përfitojnë nga ky shërbim”, tha Peleshi.

Sipas ministrit Peleshi, satelitët do të ndihmojnë për të marrë informacione edhe për të parandaluar aktet kriminale.

“Do të monitorohet rrjeti i kanaleve ujitëse, kulluese në mënyrë që të analizohet sipërfaqja e prekur. Monitorimi i burimeve ujore, për qëllime të vlerësimit të sasisë së ujit. Duke instaluar inteligjencën artificial dalin informacione të jashtëzakonshme. Është bërë një punë e madhe në kuadrin ligjor”, tha ai. (Irma)