“Java Kulturore Kineze” solli në kryeqytetin shqiptar një ekspozitë të fotografive historike kino-shqiptare në Muzeun Historik Kombëtar. Përmes fotove të vjetra të pranishmit përjetuan momente të veçanta të viteve të miqësisë kino-shqiptare. Fotografitë e ekspozuara paraqitën pamje emocionuese të shkëmbimeve miqësore midis dy vendeve në fusha të ndryshme, ku dukej ndërveprimi i ngushtë mes diplomatëve, mësuesve, sportistëve, studentëve dhe punëtorëve të të dy vendeve miqësore.
Drejtori Muzeut Historik Kombetar Dorian Koci(Foto CMG)
Në hapjen e këtij aktiviteti, Drejtori i Muzeut Histroik Kombëtar Dorian Koçi tha se është një kënaqësi e veçantë për Muzeun Historik Kombëtar dhe Ministrinë e Kulturës për të hapur siparin e “Javës Kulturore Kineze” në Muzeun Kombëtar.
“Kemi kënaqësinë që Java Kulturore e Kinës të fillojë në Muzeun Historik Kombëtar me këtë ekspozitë të rëndësishme, të cilën besoj se një pjesë e shumë personaliteteve të kulturës sonë shqiptare, të jetës politike apo qoftë dhe asaj sportive, do ta gjejnë veten në fotot e vizitave të shumta që kanë realizuar gjatë marrëdhënieve të miqësisë së ngushtë shqiptaro-kineze. Sot Kina dhe Shqipëria janë partnere të besueshme, partnere në kulturë, në art, diplomaci dhe në të gjitha instrumentat e duhura ku dëgjohet zëri qoftë i Republikës së Shqipërisë, qoftë i Republikës së Kinës. Ne si Muze Historik Kombëtar kemi pasur një kënaqësi të veçantë që herë pas here të organizohen aktivitete të ndryshme në bashkëpunim me ambasadën e Republikës së Kinës për të sjellë edhe njëherë në vëmendje këto thesare kulturore të kulturës sonë të përbashkët përgjatë gjithë këtyre viteve. Kjo ekspozitë është kuruar me shumë kujdes nga stafi i ambasadës kineze, dhe sigurisht edhe me ndihmën e stafit të Muzeut Historik Kombëtar, është një ekspozitë kronologjike e cila shtrihet në ditë dhe në hapësirë, dhe që jep një pjesë të rëndësishme të gjithë jetës të aspekteve sociale të komunitetit shqiptar, studentëve shqiptar apo dhe personaliteteve të ndryshme shqiptare që kanë vizituar kinën përgjatë këtyre viteve”- tha Koçi.
Ambasadori i Kines Zhou Ding(Foto CMG)
Ambasadori i Kinës në Shqipëri Zhou Ding në fjalën e tij u shpreh se në vitet 60 dhe 70 të shekullit të kaluar, Kina dhe Shqipëria së bashku shkruan një poemë të mrekullueshme miqësie. “Ishte një periudhë kontaktesh të shpeshta dhe të ngushta midis Kinës dhe Shqipërisë, por për më tepër ishte një periudhë kur dy popujt tanë u lidhën ngushtë dhe u miqësuan më njëri-tjetrin. Ato vite Kina ndihmoi Shqipërinë me më shumë se 140 projekte, që mbulonin të gjitha fushat ekonomike dhe shoqërore”, tha ambasadori Zhou Ding.
Më tej ambasadori kinez theksoi rëndësinë që ka kjo ekspozitë fotografike për miqësinë e hershme kino-shqiptare.
“Koha fluturon, ndjenjat e vërteta janë të përjetshme. Fotot historike të kësaj ekspozite fokusohen në momentet e çmuara të viteve të miqësisë kino-shqiptare dhe do të paraqesin pamje emocionuese të shkëmbimeve miqësore mes dy vendeve në fusha të ndryshme, si dhe tregojnë historinë prekëse mes dy popujve që tejkalon politikën dhe ideologjinë” tha ambasadori.
Kryetari shoqates se miqesise Kine-Shqiperi, Spartak Nano(Foto CMG)
I pranishëm në hapjen e kësaj ekspozite Kryetari i Shoqatës së Miqësisë Shqipëri-Kinë Spartak Nano, tha se Shqipëria është një nga vendet e para që lidhi marrëdhënie diplomatike në nëntor të vitit 1949 dhe se kjo miqësi ishte një model i shkëlqyer me solidaritet ndërmjet popujve tanë.
“Marrëdhëniet ndërmjet vendeve tona janë duke u zhvilluar në mënyrë të stabilizuar me themelimin e besimit reciprok dhe zgjerimin e bashkëpunimit dhe shkëmbimeve ekonomike, tregtare, kulturore. Miqësia Kinë-Shqipëri po konsiderohet në qarqe të ndryshme të Shqipërisë. Këto binjakëzime do të ndihmojnë në të ardhmen për shkëmbimin e eksperiencës ndërmjet vendeve tona. Java e e aktiviteteve të kulturës kineze që po zhvillohet me sukses këtë ditë në Tiranë si një risi e re do ti shërbejë akoma më tepër njohjes së artit, kulturës dhe forcimit të mëtejshëm të marrëdhënieve tona” – përfundoi Nano.
Zonja Liri Fico, bashkëshortja e prof.Agron Fico duke pozuar para fotove të saj (Foto CMG)
Ish pedagogia e gjuhës shqipe në Universitetin e Gjuhëve të Huaja të Pekinit Liri, bashkëshortja e themeluesit të ndjerë të katedrës së Gjuhës Shqipe në këtë universitet, profesorit Agron Fico u shpreh për mikrofonin e Radio Ejani e emocionur për vitet e bukura të kaluara në Kinë.
“Emocione të jashtëzakonshme më jep kjo ekspozitë. Janë vite të tëra të punës për t’ju dhënë kinezëve gjuhën shqipe, atë gjuhë të bukur që kemi ne, që themeloi edhe miqësinë shqiptaro-kineze. Studentët tanë ishin fëmijët tanë, por edhe ne ishim shumë të rinj dhe unë nga vetja ime ju vura atyre emra shqiptarë si Vjollca, Flutura etj. Sot më sjellin kujtime shumë të mëdha dhe më emocionojnë për arsye se më mungon ai që e hapi atë katedër dhe e mbajti për gjithë jetën e vet një flamur dashurie dhe miqësie të Kinës”.
CMG: Kur shikoni sot fotrografitë a ju kthejnë në kujtimet e atyre viteve?
Liri Fico: Po patjetër. Ju duhet të dini që ajo kohë ishte koha kur bumi i miqësisë shqiptaro-kineze dhe ne ishim në krye të të gjitha gjërave. Ishim në protokoll të parë sepse ishim pedagogë të dy dhe unë punova edhe në Ministrinë e Punës për të pregatitur me një kurs të shkurtër gjuhën shqipe atyre që vinin nga Kina për të punuar në Shqipëri.
Ekspozita e fotografive historike kino-shqiptare do të qëndrojë e hapur për vizitorët deri më datën 2 tetor. Ndërkohë që Java e Kulturës Kineze vijon në ditët në vazhdim me aktivitete të tjera artistike-kulturore, si një koncert me pjesëmarrjen e artistëve kinezë në bashkëpunim me Ansamblin shqiptar të Këngëve dhe Valleve Popullore, Panairi i Ushqimeve Kineze si dhe koncerti përmbyllës me artiste kinezë dhe shqiptarë në sheshin Skënderbej.
Gazmend Agaj