Asambleja e Përgjithshme e OKB-së dhe roli i Kinës në një realitet të ri botëror
2022-09-29 09:39:31


Sesioni i 77-të i Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së u hap më 13 shtator me temën “Një moment vendimtar: zgjidhje transformuese për sfidat e ndërlidhura”. Duket qartë se tema buron nga pranimi i faktit se bota është në një moment kritik në historinë e Kombeve të Bashkuara për shkak të krizave komplekse dhe të ndërlidhura, duke përfshirë pandeminë, konfliktin në Ukrainë, sfidat humanitare të natyrës së paprecedentë, një pikë kthese në ndryshimet klimatike si dhe shqetësimet në rritje për kërcënimet ndaj ekonomisë globale. Prandaj është e nevojshme të gjendet dhe të kthehet fokusi në zgjidhje të përbashkëta për këto kriza duke ndërtuar një botë më të qëndrueshme dhe më të përshtatshme për të gjithë sot dhe për brezat që do të vijnë.

Këshilltari i Shtetit, njëkohësisht, Ministri i Jashtëm kinez Wang Yi për disa ditë rresht mori pjesë në forume, takime, mbledhje dhe aktivitete të shumta, në një axhendë tejet të ngjeshur dhe intensive. Vizita e tij është shumë domethënëse pasi që nga fillimi i pandemisë, është hera e parë që një zyrtar i lartë kinez viziton ndërtesën e OKB-së në New York fizikisht.

Ministri Wang preku çdo temë të nxehtë që ka kapluar botën dhe Kinën, nga situata në Ukrainë, deri tek autonomia strategjike që i nevojitet Evropës; nga qëndrimi i palëkundur i Kinës për çështjen e Tajvanit deri tek sjellja e ShBA-ve kundrejt Kinës, Azisë dhe gjithë botës. Ai foli dhe veproi në mënyrë proaktive, të mprehtë dhe plot mesazhe - në dhe nën rreshta.

Midis shumë mbledhjeve të nivelit të lartë Wang Yi u takua me Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së Antonio Guterres, ish-sekretarin amerikan të Shtetit Henry Kissinger, përfaqësuesin e lartë të Bashkimit Europian për Politikën e Jashtme dhe të Sigurisë Josep Borrell, sekretarin e përgjithshëm të NATO-s Jens Stoltenberg, Sekretarin e Shtetit të ShBA-së Antony Blinken, me ministren e Jashtme gjermane Annalena Baerbock, etj.

Ministri Wang duke mbajtur fjalën në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, vuri theksin në 6 drejtime. Për të bota duhet të zgjedhë paqen dhe jo konfliktin, zhvillimin dhe dhënien fund të varfërisë, hapjen dhe jo mbylljen, bashkëpunimin dhe jo konfrontimin, unitetin dhe jo përçarjen, drejtësinë dhe jo bullizimin.  Kina luan një rol të rëndësishëm në përballimin e sfidave globale, dhe në këtë aspekt, fjalët dhe deklaratat e z. Wang patën jehonë të lartë si të arsyeshme, të bindshme, dhe konstruktive në kontekstin aktual botëror. Deklaratat e tij kanë shpalosur qartë se si Kina po jep kontributin e saj të vazhdueshëm për çështjet madhore me impakt global. Kina është në kërkim të një marrëdhënieje të qëndrueshme, të arsyeshme, funksionale me perëndimin dhe me çdo cep të botës.

Mes shumë impenjimeve z. Wang  mbajti një fjalim prej afro 5000 fjalësh në selinë e Shoqërisë së Azisë në Nju Jork, ku ai adresoi në detaj situatën e marrëdhënieve Kinë-ShBA. Për Ministrin e Jashtëm kinez ndërsa administrata Biden thekson nevojën për të mbajtur linja të hapura komunikimi dhe për të menaxhuar me përgjegjësi lidhjet dypalëshe, veçanërisht në kohë tensioni, realiteti është se duke vazhduar politikën e administratës së mëparshme, ajo ka reduktuar komunikimin në minimum dhe çfarë komunikimi bën është kryesisht për shfaqje. Duke iu referuar problemeve themelore në lidhjet kino-amerikane, Wang tha se ShBA-ja ka perceptime të gabuara për Kinën. Thelbi i çështjes në fakt varet nga mënyra sesi bota e percepton Kinën. Në arenën botërore shpesh mungon racionaliteti kur vjen fjala për Kinën, dhe theksohen dallimet mes vendeve dhe jo afërsitë.

Kina nuk do të bëhet një tjetër ShBA, dhe ShBA-ja nuk mund ta modelojë Kinën sipas dëshirës së saj. Respekti i ndërsjellë, bashkëjetesa paqësore dhe bashkëpunimi i favorshëm përfaqësojnë mënyrën e duhur për të trajtuar lidhjet dypalëshe. Asnjëra palë nuk është në gjendje të mposhtë tjetrën – tha Wang - por mesazhi që duhet të dërgojmë, me zë të lartë dhe të qartë, është se tani është koha për të bërë reflektime serioze dhe për t'i kthyer marrëdhëniet Kinë-SHBA në rrugën e duhur.

Në lidhje me situatën në Ukrainë, Wang u shpreh se “Kina nuk do të rrijë duarkryq dhe as nuk do t'i hedhë benzinë zjarrit, por do të vazhdojë të luajë rolin e duhur në mënyrën e vet.”

Është shumë e qartë, gjithëpërfshirëse dhe shumë e arsyeshme dhe logjikisht bindëse që Kina dëshiron të promovojë paqe dhe  dëshiron të ruajë  sistemin multipolar.

Për Wang duhen aksione serioze përballë sfidave të rrezikshme, duke shpalosur qëndrimet dhe prioritetet e politikës së jashtme të vendit të tij. Pavarësisht fazës aktuale të "turbulencës dhe transformimit" në botë, ka arsye për shpresë mes zgjerimit të bashkëpunimit dhe thellimit të globalizimit ekonomik. Duket qartë një ndjesi e atij që quhet “optimizmi i kujdesshëm” – një tipar që shoqëron përherë vendimet e kthjellëta dhe politikëbërësit objektiv.

Wang është një zyrtar i qeverisë kineze që shfaqet tejet bindës në komunikimin me një audiencë të huaj dhe në fjalët e tij duket qartë se sa seriozisht i merr Kina çështje të caktuara.  Gjatë viteve, dhe më tepër gjatë muajve të fundit, duket sikur pozicioni i Kinës nuk është absorbuar saktësisht ose objektivisht sidomos nga Perëndimi. Mesazhet që dalin nga Pekini transformohen, deshifrohen sipas interesave politike lokale, shpesh shtrembërohen dhe shumë hërë anashkalohen.

Por qendrimi dhe objektivat e Kinës në vitin 2022 nuk kanë ndryshuar. Me kthejlltësinë që karakterizon komunikimin politik kinez, Ministri i Jashtëm në platformën e OKB-se i shprehu botës se Kina është në pararojë për sa i përket shqetësimeve të kohëve tona, është e gatshme për bashkëpunim intensiv dhe po luan një rol aktiv në formëzimin e komunitetit me fate të përbashkëta për njerëzimin.

Asnjë temë “e nxehtë” nuk u la pa prekur dhe asnjë pyetje nuk ngeli pa përgjigje. Përçimet e mesazheve të Kinës në platformën më të lartë globale të bashkepunimit institucional nga Këshilltari i Shtetit kinez janë edhe një herë konfirmimi i vazhdimësisë së politikave të Kinës në raport me pjesën tjetër të botës dhe njëherazi, një riafirmim i parimeve bazë të politikës së jashtme të vendit.

Dr. Marsela Musabelliu