Kompania japoneze "Takeda", firma më e madhe farmaceutike në Azi, e vendosi zyrtarisht selinë e saj të përgjithshme të kërkim-zhvillimit në Pudong të Shangait në qershor të këtij viti.
Muse Lian, kreu i Departamentit të Punëve Administrative dhe të Shërbimit për Pacientët të degës së "Takeda"-s në Kinë, tha: "Ky është një hap i rëndësishëm për ne, sepse kështu do të kemi mundësi të kërkojmë e zbulojmë aktivisht barna të reja të mundshme në Kinë. Nëpërmjet këtyre veprimeve, besojmë se Kina do të bëhet një burim risish për industrinë tonë globale."
Pavijoni i kompanisë "Takeda" në Ekspozitën Ndërkombëtare të Importit në Shangai, në nëntor 2021/ foto nga VCG
Me gjithë amullinë e rimëkëmbjes së ekonomisë globale dhe shenjat e recesionit ekonomik, si pasojë e pandemisë së COVID-19 dhe të lëkundjeve gjeopolitike, vendosmëria e Kinës për zgjerimin e hapjes u ka sjellë besim kompanive shumëkombëshe nga mbarë bota.
Wang Wei, drejtori i Departamentit të Planifikimit pranë Ministrisë së Industrisë dhe të Teknologjisë së Informacionit, theksoi: "Sipas të dhënave jo të plota statistikore, në sektorin e manifakturës ka afro 60 projekte me investime të huaja me një vlerë mbi 1 miliard dollarë amerikanë secili, dhe vëllimi i përgjithshëm i investimeve të huaja i kaloi 200 miliardë dollarët. Do të vazhdojmë të nxitim hapjen e nivelit të lartë në fushën e manifakturës, të ofrojmë vazhdimisht shërbimet e duhura dhe të krijojmë një mjedis më tërheqës për investimet e huaja, që të mbrojmë bashkërisht qëndrueshmërinë dhe funksionimin e lirshëm të zinxhirëve globalë të industrisë e të furnizimit."
Rritja e vazhdueshme dhe hapja e mëtejshme e ekonomisë kineze i ka dhënë impuls zhvillimit të ekonomisë globale, duke përfshirë kompaninë neozelandeze të produkteve të qumështit "Theland". Nëpërmjet Ekspozitës Ndërkombëtare të Importit të Kinës, që zhvillohet në Shangai çdo nëntor, "Theland" ka zgjeruar shpejt shërbimet në Kinë. Sipas të dhënave statistikore, vëllimi i shitjes së produkteve të kësaj kompanie është ngritur nga më pak se 3 mijë shishe në 30 mijë shishe në javë, duke shënuar edhe rekordin prej 80 mijë shishesh në javë. Sivjet "Theland" planifikon të shtojë edhe 50 ferma të reja për plotësimin e kërkesave të tregut kinez.
Sheng Wenhao, kryeekzekutivi i "Theland"-it për rajonin e Azi-Paqësorit, u shpreh: "Në vetëm më pak se tre muaj, produkti ynë i ri u gjend në kontenë Pinguo të Rajonit Autonom Ningxia-Hui të Kinës Veriperëndimore, ndërsa në të kaluarën duheshin të paktën tre vjet. Pse kaq shpejt tani? Falë Ekspozitës Ndërkombëtare të Importit, që ka krijuar një platformë të tregtisë shumëpalëshe dhe të furnizimit të larmishëm, produktet tona gjetën shpejt platformën vendore të shitjes dhe kështu më shumë konsumatorë kinezë mund të gëzojnë plotësisht 'efektin përhapës' të kësaj ekspozite."
Pavijoni i kompanisë "Theland" në Ekspozitën Ndërkombëtare të Importit në Shangai, në nëntor 2021/ foto nga VCG
Kohët e fundit, grupi gjerman BASF zhvilloi në provincën Guangdong të Kinës Jugore ceremoninë e futjes në funksionim të një baze të integruar. Kjo bazë është njësia me investimet më të shumta të kompanive gjermane në Kinë, prej afro 10 miliardë eurosh.
Wang Wei, drejtori i Departamentit të Planifikimit pranë Ministrisë së Industrisë dhe të Teknologjisë së Informacionit, tha: "Do të bëjmë më shumë përpjekje për përmirësimin e mjedisit të biznesit. Kina nuk do të ndryshojë vendosmërinë e zgjerimit të hapjes me nivel të lartë dhe të ndarjes së rasteve të zhvillimit me vendet e tjera të botës. Kina do të vijojë të jetë një vend tërheqës për investimet e huaja."
Baza e integruar e grupit BASF në provincën Guangdong të Kinës Jugore / foto nga VCG
Nga janari deri në gusht të këtij viti, vlera e përdorimit real të investimeve të huaja në Kinë arriti mbi 892.7 miliardë juanë, 16.4 për qind më shumë në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Mario Boselli, presidenti i Institutit Itali-Kinë dhe i Fondacionit të Këshillit Itali-Kinë, shprehet:"Në përputhje me drejtimin e hapjes së mëtejshme, mendoj se hapja në nivel të lartë e Kinës ka rëndësi jetike për nxitjen e tregtisë globale nga një këndvështrim më i gjerë. Në kushtet e mbylljes së dyerve nga disa vende, rëndësia e hapjes së Kinës bëhet edhe më e dukshme, çka është me rëndësi për të gjitha ekonomitë e botës." (Wang Lei/ Artan)