Zhvillohet Forumi i Nivelit të Lartë për Shkëmbimet Kulturore Kinë-Argjentinë
2022-09-29 12:16:55

Të mërkurën u zhvillua në Pekin Forumi i Nivelit të Lartë për Shkëmbimet Kulturore Kinë-Argjentinë. Forumi, i organizuar bashkërisht nga Grupi Mediatik i Kinës (CMG) dhe Sekretariati i Medies dhe i Komunikimit Publik i Argjentinës, është një ndër veprimtaritë për kremtimin e 50-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Kinës e Argjentinës dhe të Vitit të Bashkëpunimit Miqësor Kinë-Argjentinë 2022. Tema kryesore e forumit ishte "Thellimi i shkëmbimeve mediatike dhe shtimi i përbashkët i mirëqenies së popullit" dhe në të morën pjesë me prani fizike ose nëpërmjet lidhjes në internet zyrtarë qeveritarë nga Kina, Argjentina e vende të tjera të Amerikës Latine dhe mbi 100 përfaqësues të mediave.

Në videofjalimin e mbajtur në forum, ministri i Jashtëm, i Tregtisë Ndërkombëtare e i Çështjeve Fetare i Argjentinës Santiago Cafiero u shpreh se mirëkuptimi i ndërsjellë është një bazë e rëndësishme për bashkëpunimin ndërkombëtar dhe përfitimet e përbashkëta janë guri i themelit për zhvillimin e bashkëpunimit ndërmjet vendeve të ndryshme. Në kornizën e nismës "Një brez, një rrugë", një sërë marrëveshjesh të arritura mes Argjentinës e Kinës do të shtojnë pandërprerë përfitimet e popullit argjentinas, duke promovuar ndërtimin e një bote më paqësore e më të drejtë.

Drejtori i CMG-së Shen Haixiong theksoi se, me planifikimin e liderëve të të dy vendeve, marrëdhëniet e partneritetit strategjik Kinë-Argjentinë kanë vijuar të thellohen, duke u bërë shembulli i bashkëpunimit ndërmjet ekonomive të reja. CMG-ja dëshiron të punojë së bashku me përfaqësues të qarqeve të ndryshme argjentinase për të dhënë kontributin e medies për ndërtimin e bashkësisë së fateve të përbashkëta ndërmjet Kinës e Amerikës Latine dhe të mbarë njerëzimit.

Nga ana e saj, ndihmësministrja e Jashtme kineze Hua Chunying u shpreh se zhvillimi i mirë i marrëdhënieve kino-argjentinase jo vetëm u ka sjellë të dy popujve përfitime, por edhe ka dëshmuar se bashkëpunimi me përfitime të përbashkëta ndërmjet vendeve të ndryshme është i mundur, duke përmbushur shpresat e njerëzve. Gjatë këtij procesi, mediat e të dy vendeve kanë luajtur një rol të pazëvendësueshëm për shtimin e njohjes e të miqësisë ndërmjet të dy popujve. (Fani/Artan)