"Shqipëria mikpret Kinën"
2022-09-28 17:03:58

Taiji në Tiranë (Foto Ambasada e Kinës)

Taiji në Tiranë (Foto Ambasada e Kinës)

Në kuadër të Javës Kulturore Ndërkombëtare 2022, nisi këtë të hënë Java Kulturore Kineze. Nga 26 dhe deri më 2 tetor 2022 nën moton “Shqipëria mikpret Kinën” do të zhvillohet ky event, i  bashkëorganizuar nga Ambasada Kineze, Ministria e Kulturës dhe Bashkia e Tiranës. Eventi i parë që nisi “Javën e Kulturës Kineze” ishte “Duke përjetuar Taiji Kineze”, ku mjeshtra kinezë  përcollën për publikun e Institutit Konfuci” në Tiranë magjinë e arteve marciale, duke prezantuar disa performanca “Taiji” nga tre mjeshtra kinezë dhe një shqiptar. Shkëmbimi i artit, takimi i kulturave të ndryshme është e veçanta e këtyre aktiviteteve. Edhe kjo veprimtari nisi me një parakalim të veshjeve karakteristike kineze, nga  studentë shqiptarë të Institutit Konfuci në Tiranë.

Në ceremoninë e hapjes së “Javës së Kulturës Kineze” ishin të pranishëm Ambasadori i Kinës në Shqipëri Zhou Ding,  Nënkryetarja e Bashkisë së Tiranës Anuela Ristani,  Presidenti i Komitetin Olimpik Kombëtar Shqiptar Fidel Ylli, pedagogë, gazetarë, nxënës të Institutit Konfuci pranë Universitetit të Tiranës, qytetarë dhe dashamirës të arteve marciale.  

Te rinjte e Institutit Konfuci Tirane

Te rinjte e Institutit Konfuci Tirane/ CMG

 “Javën e Kulturës Kineze” e hapi  Ambasadori Kinez në Tiranë Zhou Ding, i cili u shpreh se “Qytetërimet pasurohet nga bashkëpunimi i ndërsjellë. Në nismën “Shqipëria mirëpret botën” Ministria e Kulturës së Shqipërisë dhe Bashkia e Tiranës  nisi javën e  Kulturës 2022. Kjo demonstron hapjen dhe gjithëpërfshirjen e Shqipërisë, ndërton një platformë të denjë për pasurimin e kulturës dhe miqve të Shqipërisë, si dhe promovimin e ndërsjelltë midis qytetërimeve të ndryshme. Në këtë kuadër, Ambasada Kineze ka planifikuar dhe realizuar me kujdes një sërë aktivitetesh për “Javën e kulturës kineze”, duke iu ofruar  shqiptarëve dhe miqve nga vendet e tjera, një shumëllojshmëri përvojash kulturore kineze, duke u mësuar të gjithëve shembullin unik të kulturës kineze.

Jam shumë i lumtur që Instituti Konfuci në Universitetin e Tiranës, ka hapur një kurs “Taiji”, i cili do të ndihmojë më shumë miqtë tanë të njohin këtë sport të shëndetshëm. Në të njëjtën kohë jam i gatshëm që të bashkëpunoj edhe me Komitetin Olimpik Kombëtar Shqiptar për të promovuar “Taiji” në Shqipëri.”, tha ambasadori Zhou Ding.

Duke përshëndetur nisjen e “Javës së Kulturës Kineze”, nënkryetarja e Bashkisë së Tiranës,  Anuela Ristani  u shpreh “Është kënaqësi që e hapim Javën e Kulturës Kineze, me një aktivitet kaq të bukur dhe kaq simbolik. Ndonjëherë mendojmë për shumë gjëra, ndërkohë që një mënyrë për ta njohur Kinën apo edhe kultura të tjera është nëpërmjet një aktiviteti që të gjithë e bëjmë, pavarësisht nga pozicioni, apo nga mosha dhe asnjë gjë nuk është më bashkuese dhe më gjithëpërfshirëse se sa sporti. Ne jemi shumë të kënaqur që kemi një javë fantastike përpara me lloj- lloj ekspozitash, shfaqjesh, për të sjellë pak më shumë njohuri mbi një vend, të cilin shumë vite përpara e kemi njohur shumë më tepër nga sa e njohim sot, por për të zbuluar gjëra që të gjithëve na bashkon dhe që janë të përbashkëta, si dhe që na bëjnë t’a njohim njëri- tjetrin në mënyrë kulturore dhe të thjeshtë. “, u shpreh Anuela Ristani.

Presidenti i KOKSH -se Fidel Ylli

Presidenti i KOKSH -se Fidel Ylli/ CMG

Presidenti i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar Fidel Ylli, Kina në fjalën e tij u ndal tek e veçanta e Taiji-së kineze.

“Për mua personalisht është kënaqësi e veçantë që të ndodhem sot këtu, për të çelur festimet e Javës Kulturore Kineze, pasi edhe vetë kam qenë i lidhur me Kinën që në Lojërat Olimpike Verore  të vitit 2008 si shef i delegacionit Olimpik dhe njëkohësisht, dhe si President i Komitetit Olimpik në Lojërat Olimpike 2022  që u zhvilluan po në Pekin.  Kina më ka mahnitur, dhe vijon të më lerë mbresa të jashtëzakonshme me kulturën, artin,  traditat dhe padiskutim dhe me sportin. Në Javën e Kulturës Kineze jemi mbledhur të përjetojmë Taiji- Kinez, një lloj arti marcial, tradicional Kinez që është pjesë e trashëgimisë kulturore e mbrojtur nga Unesko. Pa diskutim që e para gjë që më erdhi në mendje, kur mora ftesën në dorë nga ambasadori Zhou Ding, mu kujtua një thënie e mënçur kineze: “Kërko të drejtën aty ku lakohet, qëndro i fortë si mal dhe lëviz, si një lum madhështor. Ju ftoj të gjithëve që të shijojmë dhe pse jo, dhe ta praktikojmë këtë lloj sporti që kërkon të balancojë mendjen dhe trupin e shëndoshë. Gjeni forcën fizike, të vetmen mbrojtje duke kultivuar forcën mendore” ka përfunduar President i KOKSH Fidel Ylli.

Motoja që përcakton artin e lashtë marcial kinez të Taiji është: “Kur të vijë momenti për lëvizje, bëhu si një dragua apo një tigër, duke u shprehur shpejt si rrufeja, e kur të vijë momenti për qetësi, hesht dhe qetë, qëndro si mali”.  Tre mjeshtra kinezë dhe një shqiptar performuan për publikun “Kongfu”, Taiji, Taiji me shpata, në duel, por edhe të katër së bashku në fund të eventit. Arbër Çekrezi, mjeshtër i arteve marciale nga qyteti i Elbasanit u shpreh gjatë eventit: “Pasi kam praktikuar një mori artesh martciale kryesisht si Karate, Kik box, Moi Tai, etj, e kam gjetur veten tek “Taiji” sepse është art vërtet i mrekullueshëm. E praktikoj rregullisht ” ka përfunduar Çekrezi.

Mjeshtri i Taiji-së (Foto Ambasada e Kinës)

Mjeshtri i Taiji-së (Foto Ambasada e Kinës)

Artet marciale e kanë origjinën nga kultura tradicionale kineze, e cila buron nga Taoizmi, të cilat janë të lidhura ngushtë me kultivimin e karakterit dhe disiplinës morale. Përbërësit kryesorë të arteve marciale përfshijnë kultivimin e virtyteve, teknikat fizike, jetëgjatësinë, përmirësimin e shëndetit, vetëmbrojtjen dhe parandalimin e dhunës. Në historinë 5 mijë vjeçare të qytetërimit kinez, arti i parë marcial ishte "Jiao-di", luftimi trup me trup dhe përkon në vitet 2852-2205 p.e.s. Artet marciale kineze kanë një origjinë të thellë filozofike dhe shpirtërore, që ndikon shumë në teknikat dhe parimet e tyre. Format e arteve marciale janë pjesë e kulturës dhe qytetërimit kinez, e njohur si një kulturë që buron nga Qielli. Sipas filozfit Laozi "Nëse dikush është i aftë për të luftuar kundër 10 apo 100 vetëve, ai nuk duhet ta bëjë këtë kur nuk është e dobishme. Në vend të luftimit ai mund të përdorë butësinë për të pushtuar forcën. Kjo është baza e virtytit të arteve marciale.

Publiku i pranishëm pasi shijoi artin e bukur të “Taiji” nga mjeshtrat kinezë, ndoqi në fund të mbrëmjes edhe një grup fëmijësh të cilët me ndihmën e mësuesve u bënë protagonistë duke  u ngjitur në skenë për të provuar artet marciale “Taiji”, dhe duke i lënë publikut kryeqytetas një buzëqeshje për këtë kulturë kaq të bukur të arteve marciale. Ky event i lë rradhën një larmi aktivitetesh kulturore, duke e sjellë në një javë Kinën në Tiranë.

Taiji është një trashëgimi kulturore e Uneskos, e cila pasohet në filozofitë kineze të Konfucianizmit dhe Taoizmit në konceptet dialektike thelbësore. Është një lloj kultivimi i brendshëm dhe i jashtëm, post tradicional, i njohur edhe si lëvizja e meditimit, ekuilibrit, harmonisë, shëndetit dhe dhënies në Taiji, janë shumë në përputhje me ndërtimin e një komuniteti me një të ardhme të përbashkët për njerëzimin, të iniciuar nga Kina. Dhe besohet se ajo do të vazhdojë të nxisë promovime të paqes dhe harmonisë botërore. Taiji është e përhapur në më shumë se 150 vende dhe ka më shumë se 400 milionë praktikues në mbarë botën.

  Sava Lena