foto nga VCG
Në mes në maleve në kontenë Yingshan të provincës Hubei të Kinës Qendrore, gjenden shumë baza bujqësore ekologjike. Themeluesi i tyre, Wen Binjun, është biri i një fshatari. Në vitin 2013, ai u kthye në vendlindje dhe filloi të kërkonte rrugën e rigjallërimit rural ndërmjet ekonomisë ekologjike qarkulluese.
Wen Binjun, themeluesi i kompanisë së bujqësisë ekologjike "Xiannong" të provincës Hubei, shprehet: "Në vendlindjen tonë ka male të gjelbra e lumenj të kulluar. Duke shfrytëzuar këtë mjedis shumë të mirë natyror, të merresh me bujqësi, si mbjellja e perimeve dhe e drithërave dhe rritja e bagëtive, dhe të ofrosh ushqime të sigurta, duke garantuar shëndetin e njerëzve, është një gjë me më shumë rëndësi se punët e tjera."
Në bazat ekologjike të Wen-it, gjethet e mbetura të perimeve bëhen ushqime ekologjike për kafshët, me të cilat ushqehen derra të shëndetshëm. Mbeturinat që lëshojnë derrat, nga ana e tyre, përpunohen e kthehen në plehra organike në një tokë që gjendet relativisht në lartësi, dhe pas hollimit, plehrat rrjedhin natyrshëm në arat që janë në një nivel relativisht të ulët. Dheu pjellor kultivon pastaj perime e fruta organike......Me ndryshimin e stinëve, një cikël i tillë gjallëron bujqësinë qarkulluese dhe përmirëson jetën e banorëve.
Zheng Zaiwang, kryetari i fshatit Zhengjiachong të kontesë Yingshan, shprehet: "Në të kaluarën fshati ynë ishte shumë i varfër dhe nuk kishte ndonjë zhvillim të madh. Pas zhvillimit të bujqësisë ekologjike, është zgjidhur problemi i punësimit të të tërë fshatit. Në të kaluarën, të ardhurat vjetore për frymë ishin afro 6 700 juanë (rreth 927 dollarë amerikanë), ndërsa tani arrijnë në 18 mijë juanë (afro 2 500 dollarë)".
Duke synuar mbrojtjen e ujërave të kulluara dhe maleve me bimësi të harlisur dhe duke ndjekur konceptin e bashkëjetesës harmonike me natyrën, bujqësia ekologjike në kontenë Yingshan ka krijuar mbi 3 mijë vende pune dhe 70 mijë fshatarë kanë shtuar të ardhurat.
"Sot jemi për mbrojtjen e maleve të gjelbra dhe ujërave të kulluara, por kjo nuk do të thotë se duhet të bëhet në dëm të jetesës së njerëzve. Shpresojmë se në këtë mjedis të mirë natyror, banorët do të bashkëjetojnë me natyrën në mënyrë harmonike dhe do të kenë një jetë organike, të vazhdueshme dhe të qëndrueshme," tha Wen-i.
foto nga VCG
Bujqësia ekologjike me ekonominë qarkulluese ka nxitur rigjallërimin rural. Një metodë që mund të mbrojë mjedisin dhe njëkohësisht të nxitë pasurimin e banorëve, pse mos të përhapet?
Kina planifikon të ndërtojë 1 mijë ferma ekologjike në rang kombëtar deri në vitin 2025, që do të shërbejnë si shembull për ndërtimin e 10 mijë fermave ekologjike në rang province, duke siguruar më shumë produkte bujqësore të gjelbra e cilësore dhe duke nxitur zhvillimin e vazhdueshëm të ushqimeve të sigurta.
Ronnie Lins, drejtori i Qendrës së Studimit të Çështjeve të Kinës të Brazilit, tha: "Në planin e saj të zhvillimit, Kina i kushton rëndësi domosdoshmërisë së forcimit të kontrollit e parandalimit të ndotjes dhe nxitjes së ndërtimit ekologjik, duke i përdorur këto si metoda për përmirësimin e vazhdueshëm të cilësisë mjedisore. Ky përmirësim do të jetë në ndihmë të thellimit të strategjisë së zhvillimit të vazhdueshëm dhe të konsolidimit të rezultateve pozitive në nxitjen e prodhimit dhe në përmirësimin e jetesës së popullit."
Bujqësia ekologjike e Kinës është edhe ajo një rrugë efikase për pakësimin e shkarkimit të gazit serrë dhe për përballimin e ngrohjes së klimës globale, prandaj ka vlerë edhe për zhvillimin e vazhdueshëm të bujqësisë globale.
Urusov Volodymyr, profesor i asociuar i historisë në Universitetin e Kievit në Ukrainë, është i mendimit se zhvillimi i gjelbër i Kinës dhe rëndësia që i ka kushtuar ajo ndërtimit të qytetërimit ekologjik do të sjellin përfitime për miliarda banorë brenda e jashtë Kinës. E gjithë bota ndjek me vëmendje se si do ta kryejë Kina tranzicionin e gjelbër dhe pret të mësojë nga ajo, vuri në dukje ai. (Wang Lei/ Artan)