Zyrtari: Kina nuk do të përfshihet në garë bërthamore me asnjë vend
2022-09-27 16:44:59

Foto:VCG

Foto:VCG

Kina tha të hënën se nuk do të përfshihet në ndonjë garë armësh bërthamore me asnjë vend dhe u kërkoi vendeve me arsenalet më të mëdha bërthamore që të përmbushin në mënyrë efektive përgjegjësinë e tyre të veçantë për çarmatimin bërthamor.

Duke folur në një mbledhje të nivelit të lartë të Kombeve të Bashkuara për të përkujtuar dhe promovuar Ditën Ndërkombëtare për Zhdukjen e Plotë të Armëve Bërthamore, e cila është më 26 shtator, zëvendëspërfaqësuesi i përhershëm i Kinës në OKB Geng Shuang përsëriti angazhimin e vendit të tij në rrugën e zhvillimit paqësor.

Kina është e përkushtuar fort ndaj një strategjie bërthamore të vetëmbrojtjes dhe nuk do të përdorë e para armë bërthamore në çfarëdo kohe e rrethane, tha Geng, duke theksuar se Kina i mban gjithmonë kapacitetet e saj bërthamore në nivelin minimal të kërkuar për ruajtjen e sigurisë kombëtare.

"Ne kurrë nuk konkurrojmë me asnjë vend për sasinë ose shkallën e kapaciteteve bërthamore, as nuk marrim pjesë në ndonjë formë të garës së armëve bërthamore me ndonjë vend tjetër," vuri në dukje ai.

Më 3 janar, liderët e Kinës, Rusisë, ShBA-së, Britanisë së Madhe dhe Francës, pesë shtete me armë bërthamore, publikuan një deklaratë të përbashkët, duke theksuar se një luftë bërthamore nuk mund të fitohet e nuk duhet të zhvillohet dhe duke ripohuar se nuk do t'i drejtojnë armët e tyre bërthamore kundër njëri-tjetrit ose ndaj ndonjë vendi tjetër.

I dërguari kinez tha gjithashtu se vendet me arsenalet më të mëdha bërthamore – Shtetet e Bashkuara dhe Rusia – duhet të përmbushin përgjegjësinë e veçantë që kanë lidhur me çarmatimin bërthamor.

Ato duhet të pakësojnë më tej në mënyrë të ndjeshme e thelbësore arsenalet e tyre bërthamore, për të krijuar kushtet e nevojshme për çarmatimin e gjithanshëm dhe të plotë bërthamor, u shpreh Geng Shuang-u.