Shqipëria mikpret Kinën
2022-09-27 16:14:15


Startoi pasditen e të hënës në Tiranë “Java e kulturës kineze” nën moton  “Shqipëria mikpret Kinën”. Me magjinë e artit marcial kinez Taiji, veprimtaria “Duke përjetuar Taiji kineze” nisi këtë javë të kulturës kineze, e cila do të shpalosë përmes muzikës, valleve, ekspozitave fotografike, por dhe ushqimit kinez, bukurinë dhe lashtësinë e kulturës 5 mijëvjeçare të Kinës për shqiptarët. Kjo javë kulturore bashkon artistët kinezë me ata shqiptarë përmes ekspozitës historike fotografike kino-shqiptare në Muzeun Historik Kombëtar si dhe koncertin e artistëve kinezë dhe atyre shqiptarë të Ansamblit Popullor të Këngëve e Valleve.

Në hapje të veprimtarisë promovuese të Taiji-së kineze ambasadori i Kinës në Shqipëri, Zhou Ding, pasi falënderoi autoritetet shqiptare për mbështetjen e këtij eventi, deklaroi se ky angazhim demonstron hapjen dhe gjithëpërfshirjen e Shqipërisë dhe ndërton një platformë të mirë për pasurimin e kulturës shqiptare dhe promovimin e shkëmbimeve të ndërsjella midis qytetërimeve të ndryshme. Ambasadori Zhou tha se Ambasada e Kinës ka planifikuar dhe organizuar një sërë aktivitetesh për Javën e Kulturës Kineze, të cilat do t’u ofrojnë shqiptarëve dhe miqve nga vendet e tjera një shumëllojshmëri përvojash kulturore kineze, duke u mundësuar të gjithëve përjetimin e shembujve unikë të kulturës kineze.

E pranishme në ceremoni, nënkryetarja e Bashkisë Tiranë, Anuela Ristani, deklaroi se ky aktivitet është një mënyrë e mirë për ta njohur Kinën dhe theksoi se nuk ka gjë më bashkuese dhe më gjithëpërfshirëse sesa sporti. “Jemi shumë të kënaqur që kemi një javë fantastike përpara, me aktivitete të shumta, për të zbuluar gjëra që të gjithëve na bashkojnë dhe që janë të përbashkëta dhe që na bëjnë ta njohim njëri-tjetrin në mënyrë kulturore dhe më të thjeshtë. Uroj të kalojmë një javë super të bukur në Tiranën Kryeqyteti Evropian i Rinisë me kulturë kineze”,- tha Ristani.

Presidenti i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Fidel Ylli, pasi kujtoi lidhjen e ngushtë me Kinën prej Lojërave Olimpike të zhvilluara në Pekin, deklaroi se Taiji është një sport që kërkon të balancojë mendjen dhe trupin e shëndoshë dhe ftoi të gjithë për ta praktikuar atë. “Gjeni forcën fizike në mbrojtje, duke kultivuar forcën mendore”,- tha presidenti i KOKSH-it.

Java e Kulturës Kineze, e bashkorganizuar nga Ambasada Kineze, Ministria e Kulturës dhe Bashkia e Tiranës, e cila do të përmbyllet më 2 tetor, është pjesë e veprimtarisë “Java e kulturës ndërkombëtare” në Tiranë, ku më herët kanë zhvilluar veprimtari të tilla edhe Austria, Suedia, Egjipti, etj. (Eda Merepeza)