Janar-gusht, fitimet e ndërmarrjeve të mëdha industriale kineze ulen 2.1 %
2022-09-27 17:37:41

Foto:VCG

Foto:VCG

Fitimet e firmave të mëdha industriale kineze në tetë muajt e parë të vitit 2022 ranë 2.1 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, treguan të martën të dhënat zyrtare.

Vlera e përbashkët e fitimeve të ndërmarrjeve industriale me të ardhura kryesore vjetore biznesi  të paktën 20 milionë juanë (2.83 milionë dollarë) secila arriti në 5.53 trilionë juanë gjatë kësaj periudhe, bëri të ditur Zyra Kombëtare e Statistikave.

Në muajin gusht, krahasuar me korrikun, ndër 41 sektorët kryesorë industrialë, ritmi i rritjes së fitimit në 27 prej tyre është përshpejtuar, ka shënuar rënie më të vogël ose e ka përmbysur prirjen e rënies duke arritur rritje.

Në kushtet e vazhdimit të rimëkëmbjes së zinxhirëve të  industrisë dhe të furnizimit, industria e prodhimit të pajisjeve ka pasur një përmirësim të ndjeshëm. Megjithatë, fitimet në tetëmujorin e parë u ulën me 2 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, 3.7 pikë përqindjeje më pak se në janar-korrik.

Me nxitjen e politikave mbështetëse të konsumit të qeverisë për industrinë e automjeteve, prodhimi dhe shitjet në industrinë e prodhimit të automjeteve u përshpejtuan më tej në gusht. Fitimet u shtuan 1.02 herë mbi bazë vjetore, duke arritur normën më të lartë të rritjes sivjet.

Rimëkëmbja e vazhdueshme e prodhimit industrial, së bashku me ndikimin e temperaturave të larta, kanë çuar në një kërkesë të fortë për energji elektrike, duke nxitur rikthimin e shpejtë të fitimeve në industrinë e energjisë elektrike, njoftoi Zyra Kombëtare e Statistikave.

Fitimet e industrisë energjetike të Kinës në gusht u shtuan 1.58 herë krahasuar me të njëjtin muaj të vitit 2021, 111.8 pikë përqindjeje më shumë sesa ishte rritja në korrikun e sivjetshëm.