Foto nga VCG
Të hënën, në sesionin e 51-të të Këshillit për të Drejtat e Njeriut të Kombeve të Bashkuara, një grup vendesh kundërshtuan ndërhyrjen në punët e brendshme të Kinës nën pretekstin e të drejtave të njeriut.
Çështjet që lidhen me Rajonin Autonom të Xinjiang-Ujgurit, Rajonin e Posaçëm Administrativ të Hong-Kongut dhe Rajonin Autonom të Tibetit janë punë të brendshme të Kinës dhe të drejtat e njeriut nuk duhet të politizohen e të trajtohen me standarde të dyfishta, sipas një deklarate të përbashkët të lexuar nga përfaqësuesi i Pakistanit në emër të 68 vendeve.
Respektimi i sovranitetit, pavarësisë dhe integritetit territorial të shteteve dhe mosndërhyrja në punët e brendshme të vendeve sovrane përbëjnë normat bazë që rregullojnë marrëdhëniet ndërkombëtare, thuhet në deklaratë.
Më tej në të shtohet se të gjitha palët duhet të respektojnë qëllimet dhe parimet e Kartës së OKB-së, t'u përmbahen parimeve të universalitetit, paanshmërisë, objektivitetit e mospërzgjedhshmërisë dhe të respektojnë të drejtën e popullit të çdo vendi për të zgjedhur në mënyrë të pavarur rrugën e zhvillimit në përputhje me kushtet kombëtare.
Theksi duhet të vihet njëlloj në të gjitha llojet e të drejtave të njeriut dhe duhet t'u kushtohet rëndësi e mjaftueshme të drejtave ekonomike, shoqërore e kulturore, dhe në veçanti së drejtës për zhvillim, thuhet në deklaratë. (Artan/Fani)