Shtëpia botuese Dituria përzgjidhet midis fituesve nga Europa Krijuese e cila do të mbështetet prej saj, në vitin në vijim. 10 autorë të mrekullueshëm, 10 vepra letrare, autorë shqiptarë dhe të huaj, do të jenë në duart e lexuesve. Do të jenë vepra të pabotuara më parë në gjuhën shqipe, prandaj ardhja e tyre është e mirëpritur nga lexuesit shqiptarë të cilët do të kenë mundësi të pasurojnë mozaikun e titujve të krijuesve europianë.
Autoret e perzgjedhur te projektit
Komisioni Evropian lançoi në shkurt një thirrje për propozime në kuadër të fushës së kulturës të programit “Evropa Krijuese” për të mbështetur projekte të bashkëpunimit evropian. Me këtë thirrje, Komisioni Evropian mbështet profesionistë të sektorit kulturor dhe krijues në një spektër të gjerë aktivitetesh dhe nismash. Botimi i 10 autorëve të përzgjedhur europianë nga Shtëpia Botuese Dituria, fituese e projektit, synon forcimin e krijimit ndërkombëtar, lejimin e qarkullimit te veprave dhe artistëve evropianë dhe kultivimin e talenteve. Autorët e përzgjedhur në projektin fitues të Shtëpisë Botuese Dituria janë: Julia Navarro, Umberto Eco, Rosa Liksom, Rafik Schiami, Simone de Bevaour, Timothee de Pombelle, Janneke Schotveld, Grigor Banushi, Tatiana Tibuleac dhe Katarina Taikon. Një pjesë e tyre janë shumë të njohur për publikun shqiptar, një pjesë tjetër më pak, gjithsesi bëhet fjalë për autorë me peshë dhe për një kombinim të përkryer të përvojave, tematikave, vende të origjinës dhe guximit për të bërë letërsi dhe për të ndikuar në shoqëri. Më poshtë po ju njohim me një biografi të shkurtër të secili prej tyre:
Julia Navarro: ka lindur në Madrid në vitin 1953. Ajo është një romanciere dhe gazetare spanjolle. Pasi shkroi disa libra mbi aktualitetin dhe politikën, botoi romanin e saj të parë Vëllazëria e pëlhurës së shenjtë, i cili ishte në listat e bestseller, si në Spanjë ashtu edhe jashtë saj. Ky libër bashkë me Bilbla prej argjile, Më thuaj kush jam dhe Qëllo, tashmë jam i vdekur, janë të përkthyer edhe në gjuhën shqipe.
Umberto Eco: Autor me shumë reputacion në botën e letrave dhe të mendimit. Lindi në Itali në janar të vitit 1932 dhe vdiq 2016. Ishte shkrimtar, filozof, kritik letrar, semiolog dhe profesor universiteti italian. Njihet më së shumti për romanin e tij të 1980 Emri i trëndafilit, përkthyer edhe në shqip, si dhe nga një numër i madh romanesh, gjithashtu të përkthyera në shqip, si Historia e bukurisë, Numri zero, lavjerrësi i Fukoit, Si të udhëtosh me një salmom, etj.
foto Vanilla papers
Rosa Liksom: është emri i artit për Anni Ylävaara, një shkrimtare bashkëkohore finlandeze. Ajo ka lindur në vitin 1958. Libri i parë që i hapi rrugën e suksesit, i vlerësuar edhe me çmime, është libri me tregime Një ndalesë nate. Ndërkohë romani Kabina nr. 6, i përkthyer edhe në shqip ka fituar Çmimin Finlanda që është më i rëndësishmi në atdheun e saj. Veprat e saj janë bestseller ndërkombëtar.
Rafik Schami: është emri i artit i Suheil Fadel, një autor siriano – gjerman, i lindur në vitin 1946 në Damask. Është hera e parë që autori do të vijë në gjuhën shqipe, pasi është përkthyer në 34 gjuhë të botës. Temat përcaktuese të veprës së Schamit janë jeta e emigrantëve në Gjermani, portretizimi i botës arabe në të kaluarën, politika dhe shoqëria dhe vetë rrëfimi. Schami konsiderohet një tregimtar i talentuar. Librat e tij janë kryesisht koleksione tregimesh, me rrëfime që të kujtojnë qëllimisht Netët Arabe (1001 Netë).
Simone de Bevaour: ishte një shkrimtare franceze, intelektuale, filozofe ekzistencialiste, aktiviste politike, feministe dhe teoriciente shoqërore. U lind në Paris në vitin 1908 dhe vdiq në vitin 1986. De Beauvoir shkroi novela, ese, biografi, autobiografi dhe monografi mbi filozofinë, politikën dhe çështjet sociale. Prej saj në shqip kemi të përkthyer librat Mikeshat, Një dashuri transatlantike, Një vdekje shumë e ëmbël, etj.
Timothee de Fombelle: Shkrimtari, emri i vërtetë i të cilit është François Place, lindi në vitin 1973 në Paris. Pasi punoi si mësues letërsie, ai iu përkushtua teatrit. Në vitin 2006, filloi të shkruajë letërsi për fëmijë dhe u bë i njohur me romanin e ilustruar për adoleshentë Tobi, sekretet e pemës dhe Tobi, një milimetër e gjysmë guxim; romane që janë të përkthyer edhe në shqip, bashkë me romanin Kapitenia Rosali. Autori është i përkthyer në 19 gjuhë të botës.
foto Revista letrare
Janneke Schotveld: Lindi më 1974 në Vendet e Ulëta. Në vitin 2012 hoqi dorë nga mësimdhënia, për t’iu përkushtuar plotësisht letërsisë. Sot krijimtaria e Jannekes numëron rreth tridhjetë libra, të gjithë shumë të vlerësuar nga kritika e lexuesit anembanë botës për stilin e të shkruarit dhe mesazhet e forta që përcjellin. Aktualisht është ndër autoret më të njohura të letërsisë holandeze për fëmijë. Në shqip prej saj kemi të përkthyer romanin Gjyshja në arrati.
Grigor Banushi: është i vetmi autor shqiptar i përzgjedhur në këtë listë. U lind në Tiranë më 1948 dhe pasi studioi gjuhë shqipe dhe lëtërsi, punoi fillimisht si mësues e më pas si gazetar në Radio Tirana. Në vitin 1997 është botuar romani i tij i parë, me titull Vdekja e Narcisit, të ndjekur nga romanet Fytyra e Djallit, Mëria e Zanave, Aromat e vjeshtës, Pasanikë të varfër dhe Simfonia e pambaruar. Librat e Banushit karakterizohen nga dinamizmi i ngjarjeve, ndërsa përshkohen nga dashuria dhe humanizmi.
Tatiana Tibuleac: Lindi më 1978 në Republikën e Moldavisë. Studioi për Gazetari dhe fillimisht u bë e njohur si autore e një rubrike në gazetë. Punoi kryesisht në media si reportere, redaktore dhe prezantuese, por prej vitit 2008 jeton në Paris ku i është kushtuar letërsisë. Romani Kopshti prej qelqi, i përkthyer edhe në shqip, fitoi Çmimin Europian të Letërsisë në vitin 2019, ndërkohë që romanet e saj janë të përkthyera në rreth 20 gjuhë.
Katarina Taikon: Shkrimtarja suedeze Katarina Taikon lindi në vitin 1932 dhe vdiq në vitin 1995. Ajo ishte aktiviste e njohur për të drejtat civile. Debutoi në vitin 1963 me librin novator Gruaja cigane, që u bë pikënisje për luftën kundër racizmit institucional ndaj pakicës rome në Suedi. Vepra e saj më e njohur është Katitzi, një seri librash autobiografikë e përbërë nga trembëdhjetë vëllime, që lexohet gjerësisht nga brezat e fëmijëve dhe është sot pjesë e fondit letrar suedez. Tre libra nga ky cikël, janë të përkthyer edhe në shqip.
Neritana Kraja