Kriza energjetike dhe konflikti në Ukrainë, rritin koston e prodhimit në tregun shqiptar
2022-09-26 11:05:53

Kriza energjetike në tregjet ndërkombëtare pas konfliktit ruso-ukrainas po i përballin prodhuesit shqiptarë me kosto gjithnjë e më të larta të produkteve.

Sipas raportit të publikuar së fundmi nga Instituti i Statistikave (INSTAT), çmimet e prodhimit të produkteve për tregun vendas në tremujorin e dytë të këtij viti, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2021, shënuan rritje me 16.5%.

Rritja më e madhe e çmimeve vërehet në industrinë nxjerrëse me 26.7%, pasuar nga produktet në industrinë përpunuese, me 21.5%.

Ndërsa çmimet e produkteve të sektorit të energjisë elektrike, gazit, avullit dhe ajrit të kondicionuar shënuan rritje me 13.9%.

Të dhënat e INSTAT-it tregojnë se çmimet e prodhimit të produkteve për tregun vendas në tremujorin e dytë të vitit, krahasuar me tremujorin e parë 2022 shënuan rritje me 2.2%. Rritja më e madhe vërehet në sektorin e industrisë nxjerrëse, konkretisht 4.3%. (Fatosi)