foto nga VCG
Në Institutin “Konfuci” të Universitetit të Kajros u zhvillua të dielën ceremonia e fillimit të një programi pilot për mësimin e gjuhës kineze në shkollat e mesme egjiptiane dhe i një programi trajnimi për mësuesit egjiptianë.
Zhang Tao, i ngarkuari me punë i ambasadës kineze në Egjipt, tha në një videomesazh se 12 shkolla të mesme publike në Egjipt do të përfshihen në programin pilot, i cili do të shënojë një pikënisje të re për mësimin e gjuhës kineze në shkollat e mesme egjiptiane.
Në shtator 2020, Kina dhe Egjipti nënshkruan një memorandum mirëkuptimi për mësimdhënien e kinezishtes si një gjuhë e dytë e huaj me zgjedhje në shkollat fillore dhe të mesme egjiptiane, tha Zhang. Sipas tij, Kina dhe Egjipti kanë bërë përparim të madh në bashkëpunimin ndërmjet shkollave, në arsimin profesional, përgatitjen e përbashkët të talenteve dhe bashkëpunimin kërkimor-shkencor.
Mohamed Megahed, zëvendësministri egjiptian i Arsimit, u shpreh se Egjipti dhe Kina kanë forcuar bashkëpunimin e tyre në fushën arsimore në vitet e fundit.
Falë përpjekjeve të përbashkëta të të dyja palëve, programi pilot ka nisur një vit më parë se sa ishte planifikuar, tha ai, duke shtuar se shpreson që programi do të ndihmojë më shumë egjiptianë të dinë më shumë për Kinën.
Programi i trajnimit për mësuesit do të zgjasë 10 ditë dhe do të ofrojë kurse për metodat e mësimdhënies, mësimin e gjuhës dhe përdorimin e teksteve dhe të aplikacioneve elektronike. Gjithsej 12 mësues do të marrin poste si instruktorë të gjuhës kineze pas trajnimit. (Artan)