Denisi Taraj një fëmijë i talentuar, kënduar që në moshën 5vjeçare pjesë operistike si “La Donna e Mobile”, por pasioni dhe dëshira e tij e madhe për muzikën, mori formë kur ai u regjistrua në Akademinë e Arteve në degën e Kantos. Pasi përfundoi studimet ai vuri re vështirësitë e përballjes me tregun muzikor në Shqipëri sa i përket zhanrit të muzikës klasike. Edhe pse e donte fortë këtë muzikë, ai vendosi që të shkonte drejt Gjermanisë, këtë herë për të marë mësime për muzikën pop dhe atë moderne, që të përshtatej me tregun muzikor shqiptar.
Pas disa muajve ku ndoqi mësimet në muzikë Denisi u rikthye në Tiranë dhe nisi punën për realizimin e këngëve të tij. Këngën e “Eja” e nisi në bashkëpunim me profesorin gjerman, Martin Fuchs, për ta finalizuar me xhirimet e videoklipit ne Shqipëri. Ka realizuar dy bashkëpunime me Erik Lloshin si edhe me disa këngëtarë të tjerë. Denis Taraj paralelisht me këngën, punon si profesor muzike, por fokusi i tij janë pjesëmarrjet në kompeticionet e rëndësishme në Shqipëri dhe jashtë saj.
CMG: Ti e ke nisur muzikën që në moshë të vogël. Na trego se si kanë qenë fillimet e tua, si dhe rrugëtimi yt muzikor?
Denis Taraj: Kur kujtoj fillimet e mia, përjetoj gjithmonë emocione. Isha 5 apo 6 vjeç kur këndoja në shtëpi gjatë gjjthë kohës kryesisht pjesë operistike si “La Donna e Mobile”, etj. Më pas vajzat e hallës, pra kushërirat e mia, të cilat janë muzikante e kuptuan talentin tim dhe më adresuan drejt rrugës së artit. Fillova të marr pjesë në festivale për fëmijë, mora pjesë në të gjitha konkurset muzikore të shkollave shtetërore, ku kam fituar plot çmime të para e të dyta, derisa ndalova së kënduari muzikën moderne.
CMG: Ke fituar shumë çmime në periudhën e shkollës, por cilat këngë i flinin mirë në vokalit tënd dhe këngët e cilit këngëtar këndoje më së shumti ?
Denis Taraj: Sa i përket pjesës operistike ishin “La Donna e Mobile”, “O sole mio”, ndërsa nga këngët moderne këndoja këngët e Alban Skënderaj, i cili pati shumë sukses në atë kohë me këngët “Vetëm ty” dhe “Diçka”. Nga repertori i huaj këndoja edhe këngë të Ricky Martin, dhe kështu nisi fëmijëria ime. Nga pjesëmarrja ime në konkurse të ndryshme ku konkuroja jam ndarë me çmime të para.
CMG: Më pas ti vazhdove të studioje muzikë në mënyrë individuale, derisa nise studimet në Akademinë e Arteve. Por përpara arteve, mësimet që ti merrje për muzikë, drejt cilit zhanri muzikor i përkisnin?
Denis Taraj: Mësimet private më zgjatën deri 15 vite ku mora mësime mbi pianon, kanton klasike operistike, solfezhin, në mënyrë që të formohesha sepse më pas do konkuroja në Akademinë e Arteve. Më pas fitova të drejtën e studimit dhe aty vazhdova vetëm me muzikën klasike. Ishte momenti kur e ndërpreva muzikën moderne. Vazhdova studimet derisa u diplomova, por kur pashë që tregu ishte pak i ngushtë për këtë lloj muzike vendosa ta lë muzikën klasike.
CMG: Mos ndoshta nuk ka qenë aq e fortë për ty muzika klasike, sa ajo moderne?
Denis Taraj: Në fakt dëshira për muzikë klasike ka qenë jo vetëm madhështore si dëshirë, por unë jetoja me atë muzikë. Kur u futa tek Akademia e Arteve ëndërroja diçka tjetër dhe pashë një realitet që s’e prisja dhe u zhgënjeva pakëz nga realiteti që pashë. Kisha shumë fantazi dhe prisja një gjë shumë të bukur si nga vetë emri “Art”, por pashë luftë, pengesa të shumta, disa hallka që për stilin tim të jetesës nuk funksionojnë. Më vonë pashë dhe tregun sa i limituar ishte, kjo i vuri kapakun çdo gjëje dhe në atë moment vendosa ta ndërprisja muzikën klasike. U nisa drejt Gjermani për 3 sezone, ku mora mësime për muzikën moderne nga pedagogë të njohur aty.
CMG: Si erdhi ky vendim i menjëhershëm pas një investimi në muzikën klasike, a more ftesë nga dikush? Dhe si rrodhi ngjarja më pas?
Denis Taraj: Nuk u largova përfundimisht nga Shqipëria, por ika vetëm për 2 muaj meqënëse deri në 3 muaj na lejohet të lëvizim më Europë, dhe mora mësime nga pedagogët më të njohur në Gjermani. Aty jetojnë edhe kushërirat e mia, të cilat në fillim më drejtuan drejt muzikës. Ato më siguruan orët mësimore me pedagogët më të njohur të muzikës moderne në Gjermani ku edhe tani marr mësime ndonjëherë online në Skype.
CMG: Sa kohë t’u desh për të kaluar zërin nga ai i tenorit në atë këngëtarit të muzikës moderne? Dhe sa vështiresi ka kjo gjë?
Denis Taraj: Ka shumë vështirësi sepse diçka mbetet nga ajo, sepse janë 16 vite studim dhe mua mu deshën gati 3 vite për të rrëzuar 70-80% të impostimit tim klasik, si dhe për t’u futur në muzikën moderne, në mënyrë që të ngjaj bukur kjo gjë. Vokali im mund të qëndrojë në ngjyrat e tenorit ku unë studiova, por jo në tingullin e muzikës moderne sepse teknika e muzikës moderne ndryshon nga impostimi në muzikën klasike.
CMG: Si mund ta shpjegojmë më thjesht këtë gjë për ata që nuk kanë studiuar për muzikë?
Denis Taraj: Është thjesht impostimi ku jepet vokali në muzikën klasike dhe muzika moderne e ka me frymë, më elegante, të ngrohtë e të dashur vokalin për veshin e publikut.
CMG: Nëse do të të jepet mundësia, a e synon ta vazhdosh karrierën artistike në Gjermani, ndoshta aty ku ke marrë mësim?
Denis Taraj: Nëse do të ktheja vitet pas po, por në momentin që po flasim, nuk e shoh fare si opsion, pasi unë kam investuar shumë në Shqipëri, ku përveç se kam realizuar shumë këngë, po punoj për tregun muzikor këtu, kam gjithashtu edhe disa projekte të miat ku unë kam investuar shumë punë dhe është e vështirë që t’i hedh të gjitha poshtë e t’ja nis një jete të re nga fillimi. Por në momentet e studimeve të mia, pasi mbarova artet mendoj se duhet ta kisha bërë atë hap. Kur nuk e bëra në atë kohë, tani nuk bëhem pishman sepse po punoj fort për të arritur suksesin aty ku unë dëshiroj dhe shpresoj që publiku të më dojë.
CMG: Do veçoje ndonjë këngë tënden që e ke përzemër?
Denis Taraj: Po, do përmendja këngën “Eja”, një material muzikën e së cilës e kam realizuar së bashku me një kompozitor gjerman Martin Fugs, dhe Enis Mullai, me tekst nga Erjona Rushiti. Për mua kjo është shumë e dashur dhe e ngrohtë, është një këngë, të cilës refrenin mund t’ja dëgjoj gjithë ditën dhe nuk më mërzitet. Kënga flet për historinë e mirë të një çifti. E përshëndes shumë Martinin, ishte një bashkëpunim i bukur, por pak i vështirë sepse Martini kishte një filozofi ndryshe, muzika perëndimore ishte pak ndryshe, por ia arritëm ta realizonim me sukses këtë material. Bashkë me Martinin ne e kishim një shprehje që përdornim në gjermnanisht, “Deutsch Pünktlichkeit’, përpikmëria gjermane, pasi me shqiptarët e kemi ndonjëherë vonesën dhe ai më rrinte tërë kohës mbi kokë duke vëzhguar edhe orarin. Një herë të vetme që u vonua ai 1 minutë unë ia vura në dukje duke i thënë; ku e ke përpikmërinë ti si gjerman? Kjo shaka na ka mbetur sa herë që flasim me njëri- tjetrin dhe gjej rastin ta përshëndes.
CMG: E kam dëgjuar këtë këngë, ku ti i këndon një vajze dhe e fton atë për të kërcyer së bashku deri në agim. Do ta bëje me të vërtet këtë?
Denis Taraj: Po, sigurisht që do ta bëja.
CMG: Sa këngë ke realizuar deri tani?
Denis Taraj: Deri tani kam sjellë gati 11 këngë, të cilat i kam realizuar për 4 vite. Kam bërë dy bashkëpunime me këngëtarin Erik Lloshi, të cilin e përshendes shumë.
CMG: Ti ke edhe angazhime të tjera përveç këngës?
Denis Taraj: Po, jam duke punuar pranë Qendrës së Kurseve “Pentagram”, ku jap mësim prej 8 vitesh, për këndimin individual dhe jam shumë i lumtur për këtë gjë. E ndjej veten shumë mirë duke punuar me talentet e reja dhe besoj që jemi më rrugën e duhur. Shpresoj që edhe këtyre të rinjve t’u dëgjohet zëri shumë shpejt sepse janë e ardhmja e këtij vendi.
CMG: Ku do të të shohim në vazhdimësi dhe cili është synimi yt për të arritur drejt muzikës?
Denis Taraj: Momentalisht po punoj për materiale të reja muzikore, për të qenë sa më pranë publikut, ku dua që të gjej veten si unë tek publiku, ashtu edhe ai tek tekstet e këngët e mia. Kam dëshirë që të marr pjesë në festivalin “Kënga Magjike”, si dhe në Festivalin e Këngës në Rtsh. Këto mendoj janë dy kompeticione të rëndësishme përsa i përket karrierës së një artisti. Nuk i kam prekur deri më tani pasi emri im nuk ka qenë aq i fortë sa të përballonte lëkundjet e dallgëve, ndërsa tani mendoj se emri im po forcohet dhe është gati që për çdo lëkundje që mund të shfaqet të ketë rezistencë. Mendoj që shumë shpejt do të më shihni në këto dy kompeticione, ndoshta jo këtë vit, por vitin që vjen do të jetë momenti ku unë do t’i prek ato skena. Më pas ëndrra ime që për momentin është në sirtar, është që të përfaqësoj Shqipërinë në Festivalin Europian të këngës, ku mendoj se ky do të ishte kulmi i një artisti.