Iniciativa e Zhvillimit Global hedh dritë mbi zgjidhjen e sfidave globale
2022-09-25 17:10:28

Sipas ekspertëve, Iniciativa e Zhvillimit Global e Kinës hedh dritë mbi zgjidhjet për sfidat aktuale globale, ndërsa përfaqësues nga e gjithë bota janë mbledhur këto ditë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së për të diskutuar rreth çështjeve dhe temave të nxehta ndërkombëtare.

Asambleja e 77-të e Përgjithshme e OKB-së u hap në selinë e Kombeve të Bashkuara në Nju Jork në 13 shtator. Kjo është hera e parë që OKB-ja ka mbajtur një takim krejtësisht “offline” që nga shpërthimi i pandemisë COVID-19. Debati i përgjithshëm i këtij sesioni dhe një sërë takimesh të nivelit të lartë zhvillohen në datat 20-26 shtator. Pjesëmarrësit po diskutojnë zgjidhje për çështjet kryesore, si zhvillimi global dhe reforma e OKB-së.

Mes sfidash të shumta, duke përfshirë konfliktet e armatosura, ndarjet dhe emergjencën klimatike me të cilat përballet njerëzimi, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres i kërkoi të hënën komunitetit ndërkombëtar të dyfishojë përpjekjet për ta kthyer botën "në rrugën e duhur", duke paralajmëruar se zhvillimi global ka arritur një moment "vendimtar", pasi krizat po rrezikojnë realizimin në kohë të Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm.

Takimi ministror i "Grupit të Miqve të Iniciativës për Zhvillim Global", i organizuar nga Kina të martën, mblodhi ministrat e Jashtëm dhe krerët e institucioneve ndërkombëtare. Në takim u shqyrtua progresi pozitiv i bërë që nga propozimi i kësaj iniciative.

Gjatë sesionit të 76-të të OKB-së në shtator të vitit të kaluar, presidenti kinez Xi Jinping propozoi Iniciativën, e cila synon ndërtimin e një komuniteti global zhvillimi dhe mbështet konceptet e zhvillimit si prioritet dhe me njerëzit në qendër, për të përshpejtuar zbatimin e Axhendës 2030 për Zhvillim të Qëndrueshëm. Gjatë vitit të kaluar më shumë se 100 vende dhe organizata ndërkombëtare shprehën mbështetje për Iniciativën dhe më shumë se 60 vende i janë bashkuar tashmë Grupit.

 

Reduktimi i varfërisë është një nga fushat kyçe të Iniciativës për Zhvillim Global. Për këtë qëllim, Kina ka punuar me palë të ndryshme në mbarë botën për të ndërtuar rrjete bashkëpunimi në bujqësi, arsim, luftën kundër pandemisë së COVID-19, ndryshimet klimatike etj..

Për shembull, në rajonin e Luginës së Çarjes në Kenian Jugperëndimore, rendimentet e produkteve kryesore bujqësore vendase janë rritur ndjeshëm falë aplikimit të gjerë të teknologjive bujqësore kineze, përmes të cilave shumë fermerë kenianë kanë dalë nga varfëria. Kina ka bashkëpunuar gjithashtu me këtë vend për të krijuar një laborator të përbashkët të biologjisë molekulare, i cili jo vetëm ka kultivuar më shumë se 10 varietete të reja kulturash, por gjithashtu ka trajnuar një numër të madh teknikësh bujqësorë për shumë vende afrikane.

Në takimin ministror të "Grupit të Miqve të Iniciativës për Zhvillim Global", Kina propozoi forcimin e përafrimit strategjik me agjencitë e zhvillimit të OKB-së dhe marrjen e shtatë masave të tjera praktike që mbulojnë promovimin e prodhimit të ushqimit, partneritetin e energjisë së pastër, bashkëpunimin në arsimin dixhital dhe ndarjen e të dhënave satelitore mbi zhvillimin e qëndrueshëm.

Asambleja e Përgjithshme është organi kryesor këshillues, mbikëqyrës dhe rishikues i OKB-së, i përbërë nga të gjitha shtetet anëtare të saj. Asambleja e Përgjithshme mban seanca të rregullta nga shtatori deri në dhjetor të çdo viti, me debatin e përgjithshëm në fazën e parë dhe diskutimin mbi tema të ndryshme në fazën e fundit.

Më 17 shtator Kina publikoi dokumentin e saj të pozicionit për këtë sesion, duke theksuar se bota ka nevojë për multilateralizëm të vërtetë dhe për të promovuar ndërtimin e një komuniteti me një të ardhme të përbashkët për zhvillimin global. Kina u bëri thirrje të gjitha vendeve të forcojnë solidaritetin dhe bashkëpunimin për të kërkuar së bashku zgjidhje ndaj problemeve globale.