Olti Gega, një këngë në duet me Bujar Qamilin
2022-09-24 13:19:30


Olti Gega, këngëtari i njohur nga Puka, i cili me talentin dhe zërin e tij të bukur ka arritur nje audiencë mbarëkombëtare, që në moshë të vogël filloi të këndonte dhe të aktivizohej në muzikë. Olti u bë i njohur për publikun shqiptar me pjesëmarrjen në Festivalin Folklorik të Gjirokastrës 2000 ku ansambli ku bënte pjesë  u nderua me çmimin e parë. Ai e vazhdoi muzikën edhe në ShBA, ku jeton aktualisht dhe së fundmi ka sjellë këngë mjaft të bukura dhe të suksesshme, si kënga "Dasma e Malësorit" e cila u shndërrua në hitin e dasmave veriore. Projekti më i ri i Oltit është një bashkëpunim me këngëtarin e mirënjohur Bujar Qamili me këngën "Flakë-Flakë", e cila eshte publikuar para pak kohësh duke marrë pelqimin e fansave të shumtë të dy këngëtarëve. Në një intervistë për Grupin Mediatik të Kinës (CMG) ai tregon për karrierën e tij muzikore si dhe projektet në të ardhmen.

CMG: Para pak kohësh keni publikuar këngën tuaj të re në bashkëpunim me këngëtarin e mirënjohur Bujar Qamili. Si erdhi ky bashkëpunim?

Olti Gega: Kjo këngë ka disa kohë që ishte në bisedim e sipër që të punohet diçka në bashkëpunim me Bujarin sepse kishim një koncert të përbashkët dhe vendosëm që të kemi edhe ne një këngë bashkë. Këtë këngë e punuam dhe me shokun tonë të përbashkët, kompozitorin Edi Balilin. Na zgjati pak si shumë që të arrinim ta nxirrnim në treg, por fatmirësisht çdo gjë shkoi ashtu siç duhet dhe kënga është pritur me shumë sukses. Kënga po ecën mirë dhe unë jam shumë i kënaqur, por për arsye të largësisë dhe koha jo e mjaftueshme, u zvarrit pak për të dalë sepse ishte llogaritur që të dilte në sezonin e pranverës, por zgjati pak dhe doli diku nga mesi i verës.

CMG: Keni bërë bashkëpunime me këngëtarë të tjerë të muzikës popullore apo ky ishte dueti juaj i parë?

Olti Gega: Unë kam dhe realizime të tjera në duete, ku një bashkëpunim tjetër është me këngëtaren tropojane Vitore Matoshi. Gjithashtu kam një bashkëpunim tjetër që akoma nuk e kemi nxjerrë këngën me Remzie Osmanin, por shpresojmë që në muajin maj të vitit tjetër kjo këngë të dalë. Kam dhe shumë bashkëpunime të mira, por kam preferuar që t’i le surprizë, kur të vijë momenti të dalin në tregun muzikor.

CMG: Vihet re që te kënga e fundit me Bujarin, muzika por dhe interpretimi është ndryshe nga këngët tuaja popullore të mëparshme. Pse erdhët ndryshe në stilin muzikor këtë herë?

Olti Gega: Është e çuditëshme sepse fillimet e mia të karrierës kanë qenë në rrymën muzikore pop rock dhe gradualisht ngaqë gjithë familja është në ansamblin folklorik të shtetit, kam filluar duke marrë ngapak me ato. Në vitin 2000 e tutje kur ishte Maratona e Këngës Popullore, por edhe festivalet folklorike që zhvilloheshin çdo katër vite në Gjirokastër, fillova të isha pjesëmarrës dhe gradualisht më hyri në qejf ky lloj zhanri dhe këtu filloi ndërthurja.

CMG: Në të gjitha këngët popullore që keni publikuar keni futur dhe insturmentin e çiftelisë, duke e ruajtur muzikën tradicionale të pastër.

Olti Gega: Të gjitha videoklipet e mia, të reja apo të vjetra bazën e kanë pasur tradicionale epike shqiptare, që është baza solistike e çiftelisë. Në të gjitha këngët e dasmave apo dhe këngët që ja kushtojmë legjendarëve, në këngë është çiftelia dhe bilbili.

CMG: Kush janë bashkëpunëtorët tuaj në realizimin e këngëve?

Olti Gega: Bashkëpunëtorët që kanë ndihmuar gjithmonë në realizimin e këngëve të mia janë Roland Çukaj, i cili është shumë orkestrues i mirë, ka një studio moderne dhe di të punojë mire. Jam shumë i kënaqur me punën e tij dhe gjërat që kam arritur deri sot. Gjithashtu kam bashkëpunuar me Luan Dagistanin, Edmond Zhulalin, Behar Nelin i cili është shumë i mirë dhe i talentuar, duke përfunduar me Edi Balilin dhe me surprizat që do të vijnë në të ardhmen.



CMG: Keni marrë pjesë në shumë aktivitete muzikore si dhe në Festivalin Folklorik të Gjirokastrës. Cilat kanë qenë emicionet që keni përjetuar në skenënë e festivalit të vetëm folklorik kombëtar?

Olti Gega: Në vitin 2000 ka qenë hera e parë që unë merrja pjesë në një festival folklorik që ishte gjithëpërfshirës, ku merrnin pjesë të gjitha trevat shqiptare, duke përfshirë Kosovën, Malin e Zi si dhe shqiptarët e Maqedonisë së Veriut. Ka qenë hera e parë që ne kemi marrë vendin e parë, hera e parë që unë merrja pjesë dhe atëherë ne morëm vendin e parë si ansambël dhe emocionet kanë qenë të mëdha.  

CMG: Prej sa vitesh jetoni në  ShBA dhe cili është angazhimi juaj atje në lidhje me muzikën?

Olti Gega: Në ShBA nuk kam shumë vite, por që nga mbarimi i shkollës së lartë gjiithë kohës kam qenë në angazhime nëpër festa dhe koncerte në Europë. Shumicën e koncerteve i kam realizuar në Gjermani, Greqi, Itali, Zvicër dhe në vende të ndryshme. Këtu në ShBA kam tre vjet që kam hedhur bazat, punoj përsëri me dasmat, gëzimet familjare dhe nëpër koncerte të ndryshme. Këtu nuk ka koncerte në masë sikur janë në vende të ndryshme të Europës, ngaqë këtu janë angazhime më të mëdha, por dhe popullsia shqiptare nuk është aq sa në vendet e Europës.

CMG: Në vidoklipet tuaja vihet re dhe kostumi popullor tradicional. E pëlqeni ta vishni gjithmonë kostumin tradicional të trevës suaj?

Olti Gega: Për atë këngë që unë do ta këndoj me motive popullore veriore, gjithmonë do ta kem një simbol autokton të veriut. Kështu që veshjet që unë i kam në klipe janë veshje tradicionale të fisit tim, ngaqë ne jemi një fis, një mbiemër.



CMG: Si e keni trashëguar ju këngën popullore nga familja dhe të afërmit tuaj?

Olti Gega: Ne bëjmë pjesë nga Kabashi legjendar dhe ato dikur kanë qenë tre vllezër, ku njëri ka jetuar kohë më parë në Kabashin e Prizrenit, tjetri në Kabashin e Pukës ku bëjmë pjesë ne dhe një në Kabash të Kolonjës. Të gjithë këta vëllezër kanë qenë artista dhe këngëtarë, duke ardhur tek stërgjyshërit që ka qenë Pranush Gega, i cili ka histori legjendare sepse i ka shkruar këngë të gjithë klerikëve dhe personave me pozita në atë kohë. Pastaj duke pasuar edhe tek xhaxhallarët e mi si dhe te familja ime, ku ne të gjithë si familje merremi me art, nga mamaja, babai, vëllezërit dhe motrat, pra të gjithë merremi me muzikë.

CMG: Keni qenë i angazhuar këtë vit në sezonin e dasmave dhe gëzimeve familjare?

Olti Gega: Këtë vit fluksi i damsave dhe gëzimeve familjare ose i koncerteve të ndryshme fillon tani në shtator dhe deri në nëntor. Pra nuk është sikur në Shqipëri që fillon në muajin maj dhe mbaron diku nga shtatori. Edhe pse nuk ka ardhur akoma sezoni una jam shumë i kënaqur  dhe kjo do të thotë se do të kemi një sezon shumë të mirë.


CMG: Në Shqipëri vini vetëm për pushime apo edhe për koncerte kur keni ftesa?

Olti Gega: Unë vij çdo vit në Shqipëri. Unë vendlindjen e kam nga Puka edhe pse kemi vite që kemi ardhur në qytetin e Lezhës, por të them të drejtën kur  e takon një person këtu që flet shqip na duket gjaku jonë. Prapë të tërheq vendi që të vish në Shqipëri sepse kemi dhe familjarët tanë atje.

CMG: Së fundi një përshëndetje për dëgjuesit e Radio Ejani dhe adhuruesit tuaj.

Olti Gega: Përgëzimet më të mira për çdo shqiptar dhe uroj që të ketë qenë një sezon i mbarë për të gjithë shqiptarët. Ata që e pëlqejnë këngën time, do ju them që tani është vetëm fillimi, por ju premtoj se do të kemi shumë gjëra të bukura, duke ju bërë që të kërceni me këngët e mia tani e tutje.