Dionis Koruni (Burimi personal)
Dionis Koruni është një artist në fushën e skulpturës i cili me pasion dhe guxim e ktheu gjithçka në biznes. Pasi mbylli ciklin e studimeve ai mendoi që gjithë dëshirën për të ushtruar skulpturë t’ia dedikonte “Oxhaqeve”. Për shumë njerëz oxhaku është një traditë e hershme shqiptare, e cila mblidhte pranë vatrës familjen. Edhe për Dionis Korunin është i tillë. Ai mendon që zjarri ka efekt relaksues dhe shumë familje e duan oxhakun vetëm prej efektit “Flakë”. Pas shumë vitesh ai mendon se ky binzes në dukje ende i ri do të fuqizohet edhe më tepër.
“Durimi është arma ime më e fortë pa të cilin s’do të mund t’ia kisha dalë”, shprehet ai për Grupin Mediatik të Kinës.
CMG : Çfarë kuptimi ka skulptura për ju?
Dionis Koruni : Faktikisht tek pjesa e shkollës nuk kam qenë asnjëherë për të vazhduar degë të tjera. Ndaj mendova që meqë arti është pjesë ngacmuese e emocioneve, të vazhdoja një degë që lidhet me artin.
Kam pasur përpjekje shumë të mëdha, të cilat më kanë marrë nga koha dhe energjia ime. Pasi vitet kaluan dhe çdo gjë mori "rrugën e vet", e ktheva këtë pasion në biznes. Guri, mermeri apo çdo lëndë tjetër në të cilën mund të punohet ka nevojë për pasion që ta nxjerrësh bukur.
CMG : Ky që jeni sot, jeni produkt i ëndrrave tuaja?
Dionis Koruni : Tani u futa në një botë tjetër, atë të mendimeve më të thella. Nëse e mendon pak më gjatë çdo bukuri e një ëndrre në fakt është relative. Unë kam pasur gjithmonë një ëndërr në sirtar, por kurrë nuk e dërgova deri në fund. Jeta ime filloi pasi e mbylla një ëndërr për t'iu dedikuar një pune të përditshme. Sot nuk ndiej pendesë absolutisht, por jam i gëzuar që kam marrë një vendim të tillë.
CMG : Ka qenë e vështirë për ju të nisnit rrugëtimin e biznesit?
Dionis Koruni : Po patjetër ka pasur shumë vështirësi, të cilat me kohën janë tejkaluar. Një nga fitoret më të mëdha që jeta më ka ofruar ka qenë durimi, vetëm nëpërmjet durimit jam ky që jam sot. Mund të them që duke pasur në xhep durimin përherë analizoja dhe planifikoja çdo gjë në perspektivë dhe kështu çdo gjë pas një farë kohe ka shkuar në vendin e vet, aty ku unë kisha programuar me shumë durim.
CMG: Si mund të jetë një njeri i duruar?
Dionis Koruni: Ka shumë taktika që duhet t’i kenë të gjithë. Në momentin që nuk ke durim ka taktika durimi dhe meditimi, të cilat të sjellin në vete apo të bëjmë më të kthjellët për gjithçka që po ndodh rreth teje.
CMG: Si i sheh familja arritjet e tua?
Dionis Koruni : Unë jam tepër i kënaqur me ritet, në të cilat jam duke ecur. Patjetër që kam për të bërë më tepër, por deri tani ndihem i realizuar. Në sytë e familjes unë jam i arritur. Ndërsa, në shoqëri preferoj të flas sa më pak sepse konkurrenca negative nuk më pëlqen.
Njerëzit priren t’i shkatërrojnë gjërat e bukura.
Dionis Koruni (Burimi personal)
CMG: Sa konkurrentë keni në treg me biznesin tuaj?
Dionis Koruni : Asnjëherë nuk ka konkurrencë në biznes, por çdo gjë lidhet me njeriun. Një njeri kur nuk ka diçka të cilën dikush tjetër e zotëron, atëherë ai lufton për ta pasur me konkurrencë.
Unë mendoj që në Shqipëri realisht ka vend për të gjithë, dyer për të gjithë mjafton të kenë të rinjtë dëshirën dhe durimin.
CMG :Si është përditshmëria juaj në biznesin tuaj të oxhaqeve?
Dionis Koruni : Unë përpos faktit që preferoj të punoj me raste në oxhak vetë, në shumicën e kohës ndjek trendet. Përpiqem të shoh çfarë duan njerëzit. Pjesën më të madhe unë analizoj në biznes se çfarë po ndodh në treg, pjesa tjeter është praktike.
CMG: A e duan shqiptarët oxhakun në familje?
Dionis Koruni: Dikur jo, por sot ka ndryshuar çdo gjë. Trendi i një familje është oxhaku. Nëse dikur një i ri para se të blinte një shtëpi, blinte makinën. Sot, nuk rregullojnë një pjesë të shtëpisë vetëm për të pasur në rregull një oxhak. Pra, sakrifikojnë familjet për të pasur një oxhak. E duan sepse adhurojnë flakën.
Punim nga Dionis Koruni (burimi personal)
CMG:Çfarë simbolizon flaka?
Dionis Koruni : Gjithçka ka flakë në jetë. Është një nga pesë elementet më të rëndësishëm të jetës, ndaj do ta shoqerojë njeriun gjithnjë nëpër ekzistencën e vet.
CMG: A mund të ndani një mesazh për të rinjtë e tjerë që duan të bëjnë biznes?
Dionis Koruni : Unë të rinjve ju them që pushtetin, karrierën dhe çdo gjë tjetër që mendojne të kenë në jeten e tyre, ta kërkojnë në vendin e tyre. Një gjë është e sigurt "Çdo gjë në jetë lidhet me energjinë dhe jo vendin ". Mjafton të kenë mendime pozitive për jetën dhe çdo gjë arrihet.
Intervistoi Megi Latifi