Marrëdhëniet midis Kinës dhe Europës. Domosdoshmëria e bashkëpunimit dypalësh në ekonomi, mbrojtjen e mjedisit, përballja e sfidave të përbashkëta të njerëzimit. Intervistë me prof. Enver Bytyçi, drejtor i Institutit të Studimeve të Europës Juglindore
CMG: Në dekadën e tretë të shekullit të 21-të, bota përballet me sfida në rritje si pandemia COVID-19, ndryshimet klimatike, kriza ushqimore dhe rreziku i recesionit ekonomik. Si i vlerësoni marrëdhëniet aktuale të Kinës si ekonomia e dytë e botës dhe Bashkimit Europian si ekonomia e tretë .
Prof. Enver Bytyçi: Sigurisht që bota ndodhet në një situatë krize, sidomos nga pikëpamja ekonomike dhe financiare. Është përmendur vazhdimisht se lufta në Ukrainë është shkaku i gjithë kësaj situate, por në fakt kanë ndikuar dhe faktorë të tjerë siç ishte pandemia Covid 19 dhe fatkeqësi të ndryshme natyrore që kanë ndodhur në vende dhe rajone të ndryshme të botës. Të gjitha këto janë pengesa për zhvillimin dhe progresin e rajoneve, të kontinenteve, shteteve të ndryshme dhe për pasojë bota nuk është e sigurtë nga pikpamja e përparimit të suksesshëm dhe të qëndrueshëm edhe në pikëpamje ekonomiko-financiare.
Krizat vazhdimisht krijojnë probleme jo vetëm brenda vendeve ku mund të nxiten tensione sociale dhe ndryshime politike, por krijojnë probleme edhe në planin global, në aleancat e vendeve të ndryshme, krijojnë situata të ndjeshme që duhen shfrytëzuar. Në rastin konkret krijojnë situtë të re edhe midis fuqive të ndryshme të mëdha, konkretisht midis Bashkimit Europian dhe Republikës Popullore të Kinës.
Prof Enver Bytyçi në intervistë për CMG
Kina dhe BE-ja kanë një traditë të qëndrueshme prej disa dekadash në marrëdhëniet e tyre ekonomike dhe tregtare. Kina si fuqia e dytë ekonomike e botës me 21 për qind të GDP-së së botës dhe BE po ashtu si një fuqi e tretë ekonomike e botës, të dyja pas SHBA-së kanë një marrëdhënie të qëndrueshme ekonomike dhe tregtare. Në fund të vitit 2021 BE dhe Kina nënshkruan një marrëveshje për bashkëpunimin në investime.
Kjo marrëdhënie ekonomike, tregtare dhe e investimeve midis të dy fuqive është një marrëdhënie tashmë e konkretizuar. Praktikisht miliarda dollarë ose euro janë investuar në Kinë. Ne e dimë që kompanitë më të fuqishme të Europës si ato të industrisë së makinave, prodhimit të tyre ndodhen në Kinë sepe ky vend është tregu më i madh i botës dhe duke qenë se fuqia e krahut të punës është më e lirë dhe kostoja e prodhimit të makinave është shumë më e ulët. Prodhimi i makinave në Kinë ze vendin e parë në botë dhe në këtë kuptim kjo marrëdhënie e investimeve midis Europës dhe Kinës është një marrëdhënie pa kthim.
Deri sa kemi një zhvillim të pakthyeshëm të shkëmbimeve ekonomike dhe tregtare dhe investimeve midis dy pjesëve, kjo do të thotë se çfarë do që të ndodhë këto marrëdhënie do të vazhdojnë të zhvillohen dhe do të ripërtërihen akoma më shumë.
Ka diskutime midis kontinentit europian dhe Kinës, ka skepticizëm dhe dallime në konceptin e qeverisjes dhe të aplikimit të politikave por ajo çka përcakton marrëdhënien midis vendeve dhe shteteve është marrëdhënia ekonomike, tregtare dhe financiare. Edhe gjeopolitika është një gjeoekonomi më shumë dhe është në funksion të tregjeve dhe nuk mundet që Europa të humbasë tregun kinez duke acaruar apo shkëputur marrëdhëniet me Kinën.
CMG: Në Dialogun e 9-të Ekonomik dhe Tregtar i Nivelit të Lartë Kinë-BE të zhvilluar në muajin korrik të dyja palët arritën një sërë konsensusesh dhe rezultatesh mbi koordinimin e politikave makroekonomike, bashkëpunimin në industri dhe zinxhirët e furnizimit, reformat e Organizatës Botërore të Tregtisë, si dhe hapjen e mëtejshme të tregut. Kjo mbledhje dhe rezultatet e saj tregojnë se pavarësisht dallimeve të tyre, Kina dhe BE kanë ende hapësirë për bashkëpunim. Opinioni juaj për këtë?
Prof. Enver Bytyçi: Vendosja e dialogut midis Pekinit dhe Brukselit është një urë komunikimi që ka shërbyer për t’i thelluar vazhdimisht marrëdhëniet midis dy palëve. Ky dialog është konkretizuar edhe në këtë Samit të fundit dhe për pasojë unë mendoj se synimi i të dy palëve është që t’i thellojnë e t’i çojnë më tej marrëdhëniet ekonomike midis tyre. Të mos harrojmë se Kina ka potenciale demografike, ekonomike të fuqishme, por dhe teknologjike të padiskutueshme.
Në këtë kuptim them që Kina ka nevojë për teknologjinë dhe investimet europiane, por dhe Europa ka nevojë për lëndët e para dhe për prodhimet kineze, të cilat janë me cilësi të mire dhe kosto më të ulët. Tregtia nuk njeh kufizime politike, ajo ka trendin e vet të ekonomisë së tregut dhe për pasojë bazohet në kritere në të cilat politika nuk mund të ndërhyjë. Në këtë mënyrë në ekonominë kineze sa i përket cilësisë së mallrave, sa më shumë rritet ajo, aq më e madhe bëhet tregtia për shkak të kostos së ulët të prodhimit dhe të çmimeve të lira. Prandaj shkëmbimet tregtare midis Europës dhe Kinës janë gjithnjë e më shumë në rritje, sidomos për shkak të luftës në Ukrainë ato janë rritur sepse mungon një burim furnizimi me lëndë të pare dhe lëndë të tjera.
Është rritur mundësia që shkëmbimet tregtare midis Europës dhe Kinës të shtohen. Dua të them është se Europa e ka pak më të vështirë të gjejë konsensusin për një marrëdhënie më të ngushtë me Kinën sepse ajo funksionon nëpërmjet vetos dhe për pasojë jo të gjitha vendet europiane janë të interesuara për një bashkëpunim ekonomik dhe tregtar me Kinën.
Prandaj shoh një bashkëpunim më të ngushtë dhe më të përparuar midis vendeve të veçanta të Bashkimit Europian se sa vetë BE-së. Nëse vende të tilla si Gjermania, Italia apo të tjera do të prisnin që dritën jeshile t’ua jepte Brukseli për shkëmbime dhe marrëdhënie tregtare me Kinën, ato nuk do të mund të ndodhnin për një periudhë të gjatë për shkak të burokracisë dhe mekanizmave të vendimarrjes, që ekzistojnë në BE.
Trendi kryesor do të jetë ndoshta edhe për një periudhë të caktuar ai i marrëdhënieve të vendeve të veçanta dhe sidomos atyre të fuqishme, përfshirë këtu edhe Francën me Republikën Popullore të Kinës, se sa një vendimarrje e përgjithëshme e një bashkëpunimi midis të gjitha vendeve të Bashkimit Europian. Mjafton një vend i vogël të vendosë veton për një marrëveshje të caktuar dhe marrëveshja nuk mund të hyjë në fuqi dhe kur mungon vullneti politik për të hartuar dhe nënshkruar marrëveshje me vende të ndryshme atëhere gjenden mekanizma që të justifikohet vetoja ose refuzimi i një marrëveshjeje të tillë.
Kinë-Be bashkëpunimi (Foto CMG)
CMG: Meqënëse jemi te mekanizmat, konflikti Rusi-Ukrainë po ripërcakton gjeopolitikën globale, veçanërisht përfshirjen kineze në rajon.Një fakt për këtë është Mekanizmi i Bashkëpunimit Kinë-Europë Qendrore dhe Lindore, i njohur si Mekanizmi 17+1, krijuar në 2012 me iniciativën e qeverisë kineze me synim përmirësimin e marrëdhënieve të biznesit dhe investimeve midis Kinës dhe vendeve të Evropës Qendrore dhe Lindore, si pasojë e tërheqjes së vendeve baltike Lituani, Letoni dhe Estoni së fundmi është kthyer në Mekanizmin 14+1. Cili është vlerësimi juaj për këtë?
Prof. Enver Bytyçi: Sigurisht që në kulmin e konfliktit në Ukrainë do të ketë tronditje të tilla, rrjedhje nga iniciativat e përbashkëta midis Europës dhe Kinës . Është për t’u vlerësuar fakti që Kina ka iniciuar shumë nisma bashkëpunimi dhe integrimi me rajone të ndryshme të botës dhe një ndër to është nisma gati 10 vjeçare “17+1” . Ajo nisi si nisma “16+1”, pastaj u bë “17+1” dhe tani është “14+1” për shkak të konfliktit në Ukrainë, sigurisht.
Ka vende, qarqe dhe lobe të caktuara, të cilat krijojnë një asocim midis luftës në Ukrainë dhe konfliktit midis Kinës dhe Tajvanit, madje bëjnë një lloj paralelizmi lidhur me këtë. Unë mendoj që kjo është e gabuar për shkak se Kina nuk është e interesuar për konflikt të armatosur në rajonin e saj, por është e interesuar që çeshtjet e pazgjidhura të zgjidhen në mënyrë paqësore. Besoj që Kina do t’i përmbahet këtij kursi për shkak të interesave të veta për t’ju përmbajtur këtij kursi dhe në këtë kuptim nuk mund të ketë paralelizëm.
Unë mendoj se Europa dhe Kina janë të interesuara për një integrim ekonomik, financiar, infrastrukturor dhe në të gjitha pikëpamjet sepse çdo qeveri në botë ka si përparësi mirëqenien e qytetarëve të vet dhe për pasojë krijimi i një mundësie të tillë me Rrugën e Mëndafshit është një askes i madh për përmirësimin e jetës së qytetarëve jo thjesht duke lidhur dy kontinente.
CMG: Duke ndjekur median kineze kam pare analiza të ndryshme dhe njera prej tyre tkurrjen e Mekanizmit 17+1 e shikon si një mënyrë që në 10 vjeçarin e ekzistencës së këtij Mekanizmi ndoshta ka ardhur koha e reformimit të tij. Madje hidhet ideja që nisma kineze “Një brez, një rrugë” mund të bashkohet me Mekanizmin tashmë “14+1”. Ju si mendoni për këtë ide?
Prof. Enver Bytyçi: Jo vetëm teorikisht, por edhe praktikisht mendoj se është më tepër një tronditje politike se sa në kuptimin e funksionimit të Mekanizmit. Të tri vendet që janë larguar nga Mekanizmi nuk kanë lidhje të drejtpërdrejtë me nismën “Një brez, një rrugë” dhe për pasojë mendoj se nuk e dëmton këtë mekanizëm. Përkundrazi mund të ndihmojë që kohezioni të jetë më i plotë në përcaktimin e objektivave të ardhëshme.
Unë besoj që iniciativat kineze kanë në thelb paqen, sigurinë, stabilitetin dhe si të tilla ndryshojnë nga mekanizmat, qëllimet dhe synimet e Rusisë. Marrëdhënia Kinë-Europë edhe në kuadër të Mekanizmit 14+1 ku përfshihen vendet e Europës Qendrore dhe Lindore, por dhe Juglindore, përfshirë dhe Shqipërinë mund të ridimensionohen në kuptimin e një programi të ri të zhvillimit të projekteve dhe të zhvillimit të infrastrukturës.
Kinës do t’i duhet të ruajë një raport ekuilibri midis Europës dhe Rusisë, sepse të gjitha iniciativat e Kinës për t’u lidhur me Europën kalojnë në territorin rus dhe është e natyrshme që me të gjitha vendet që infrastruktura do të zhvillohet do të duhet një ekuilibër marrëdhëniesh.
Ishte këto ditë dhe Samiti i Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait në Uzbekistan dhe mendoj që aty përfaqësohen shtete me interesa të ndryshme. Presidenti Erdogan i kërkoi presidentit Putin që të tërhiqet nga rajonet e pushtuara të Ukrainës, përfshirë dhe Krimenë çka do të thotë që mendimi i Turqisë është i kundërt me atë që bën Rusia. Ndërsa kryeministri i Indisë gjithashtu kritikoi qëndrimin e Rusisë dhe intervenimin e saj në Ukrainë. Por edhe Kina ndaj aktit të agresionit të Rusisë në Ukrainë është e distancuar, duke mos e njohur aktin e ndërhyrjes sepse ajo është përcaktuar për respektimin e sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës.
Pra kemi të bëjmë me një iniciativë të Shangait ku ka shumë elemente përbashkues në çeshtjet e sigurisë dhe të politikave të këtij rajoni, por ka dhe dallime në konceptin dhe mënyrën se si duhet t’i qasemi çeshtjeve dhe konflikteve sot në botë, si duhet t’i zgjidhim ato.
CMG: Samiti i ardhshëm Kinë-BE në 2023 u përmend gjatë bisedës midis presidentit kinez Xi Jinping dhe homologut të tij polak Andrzej Duda në korrik. Ju si e parashihni zhvillimin e këtyre marrëdhënieve në të ardhmen e afërt?
Prof. Enver Bytyçi: Është shumë e rëndësishme që Polonia mban një qëndrim krej të ndryshëm nga vendet balltike, në raport me Kinën. Kjo sepse edhe Polonia si vendet balltike ka të njejtin sensibilitet lidhur me konfliktin në Ukrainë. Lidhur me samitin e ardhshëm, bashkëpunimi Kinë-Europë do të vazhdojë. Vazhdimi i dialogut do të thotë prirje për të zgjidhur problematikat që ekzistojnë midis dy vendeve. Problematikat tashmë janë të njohura. Në Europë është ngritur çeshtja e të drejtave të etnisë ujgure në Kinë e të drejtave të njeriut dhe sigurisht që Kina ka mundësi të bëjë përparime në këto fusha. Por problematikat e të drejtave të njeriut në shumicën dërmuese janë tejkaluar përballë nevojës për bashkëpunim ekonomik dhe financiar.
Intervistoi Eda Merepeza