Nga 1 tetori rritet ndihma ekonomike për disa kategori
2022-09-23 18:30:20

Ministrja e Shendetesise dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu (Foto Rtsh)

Ministrja e Shendetesise dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu (Foto Rtsh)

Qeveria vendosi që prej 1 tetorit të dyfishojë ndihmën ekonomike për gratë kryefamiljare me 2 fëmijë, për familjet me më shumë se 3 fëmijë dhe të moshuarit që janë pa pension, deklaroi ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, pas mbledhjes së Kabinetit Qeveritar, përcjell “RTSH”.

“Në mbledhjen e qeverisë u vendos që prej 1 tetorit të rritet me 10% masa e pagesës së ndihmës ekonomike për të gjitha familjet përfituese nga programi i asistencës sociale. Po ashtu do të dyfishohet ndihma ekonomike për familjet që kanë dy fëmijë dhe janë pjesë e ndihmës familjare, që janë 5700 gra kryefamiljare me dy fëmijë”,- deklaroi ministrja Manastirliu.

Përsa i përket familjeve që janë përfituese të ndihmës ekonomike me tre dhe më shumë fëmijë është bërë dyfishimi i masës së ndihmës ekonomike duke filluar nga 1 janari.

Lidhur me skemën e ndihmës ekonomike, ministrja Manastirliu tha se janë mbi 64 mijë familje që do të përfitojnë nga këto masa.

Po ashtu, sipas ministres, në mbledhjen e qeverisë, u vendos rritja e mbështetjes me 1 mijë lekë për energjinë elektrike për personat me aftësi të kufizuar.

“Mbështetje për energjinë elektrike do të marrin të gjithë ata që kanë status me aftësi të kufizuar, të cilëve u rritet masa e mbështetjes për energjinë elektrike, në masën që shkon nga 2000 mijë lekë në 3000 mijë lekë. Ndërsa personat të cilët kanë status të verbër të kategorisë së dytë nga 1400 lekë të reja shkon në 2400 lekë të reja. Nga kjo mbështetje përfitojnë mbi 12 mijë persona”,- tha Manastirliu. (Irma)