Samiti Digjital, Balluku: Ndërkombëtarët të mbështesin vendet e Rajonit
2022-09-23 18:41:19

Zv.kryeministrja Belinda Balluku (Foto Rtsh)

Zv.kryeministrja Belinda Balluku (Foto Rtsh)

Zv.kryeministrja Belinda Balluku, e pranishme në Samitin Digjital që u mbajt në Prishtinë, u bëri thirrjeve ndërkombëtarëve që të mbështesin financiarisht vendet e Rajonit për të forcuar sistemet digjitale, pasi dëmet e sulmeve kibernetike mund të jenë ndërkufitare.

“Digjitalizimi nuk është zgjedhje por domosdoshmëri, prandaj duhet të jemi në hap me zhvillimet e reja dhe si qeveri t’i akomodojmë gjitha këto. Sulmet kibernetike në Shqipëri ishin të organizuara në mënyrë profesionale nga një shtet tjetër, por reagimi ynë dhe i aleatëve ishte i shpejtë për mbrojtjen ndaj tyre. Kjo duhet parë si reflektim për të rishikuar mbrojtjen e sistemeve tona. Ftoj ndërkombëtarët që të mbështesin financiarisht vendet e Rajonit, pasi dëmet e sulmeve mund të jenë ndërkufitare”,- tha Balluku, raporton “RTSH”.

Sistemi TIMS u sulmua mbrëmjen e 9 shtatorit, ku për pasojë për pak kohë u paralizua puna në Aeroportin e Rinasit, por pas ndërhyrjeve, u arrit që të viheshin në punë dy sportele, ku u punua me regjistra në mënyrë manuale për të regjistruar hyrjet dhe daljet. Sistemi TIMS u rikthye në të gjitha pikat kufitare pas 24 orësh. Ndërkohë, në korrik u sulmuan shërbimet online, ku prej gati 4 javësh ato mbetën të bllokuara. Autoritetet shqiptare fajësuan Iranin për këto sulme, pas të cilave u mor dhe vendimi për të prishur marrëdhëniet diplomatike. (Irma)