Foto ngaTeatri Kombetar i Operas,Baletit dhe Ansamblit Popullor gjate interpretimit te shfaqjes Zare
Ansambli Popullor çeli sezonin artistik me muzikalin “Zare”, frymëzuar nga kënga “Zare trëndafili” e vitit 1936, duke i rikthyer shkëlqimin ansamblit dhe shënuar kështu premierën e parë. Në qendër të veprës është tema e dashurisë midis dy të rinjve, e cila zhvillohet në tre akte. Mjeshtri muzikor Edi Xhani, i cili ka qenë pjesë e Ansamblit është shprehur për mediat se, artistët janë shumë të talentuar, por kanë nevojë për ushqim muzikor të ri. Shfaqja etnomuzikore me titullin e këngës së njohur qytetare, “Zare” solli për rreth një orë e 30 minuta dasmën shqiptare, duke përfshirë motivet nga veriu në jug, duke ngjitur në skenë emrat më në zë si, Ilir Shaqiri, Aranit Hoxha, Iris Bega, Genci Kastrati, etj. Kënga e njohur mori jetë në këtë premiere të Ansamblit. Sipas drejtorit Sokol Marsi, qëllimi kryesor është rikthimi me një vepër të plotë.
Teatri Kombetar i Operas,Baletit dhe Ansamblit Popullor
“Është një vepër risi për publikun shqiptar, pasi nuk është thjesht një shfaqje e zakonshme, por një muzikal i plotë ku ndërthuren muzika, vallja, kënga dhe aktrimi. Ka pasur një mungesë shumë të madhe në skenat shqiptare për vepra të tilla, aq më tepër shqip, pasi i gjithë materiali muzikor dhe koreografik është autentik shqiptar i risjellë në skenë me mjeshtri nga muzikanti Edi Xhani dhe koreografi Andrea Kokeri”, është shprehur ai për mediat.
Rrjedha e ngjarjeve e këtij muzikali, që nga lindja e dashurisë deri në martesën e Zares me Arbrin, shtjellohet në tre skena. Kjo vepër vjen si risi për publikun pasi nuk është thjesht një shfaqje e zakonshme, por një cikël i plotë, ku ndërthuren muzika, vallja, kënga dhe aktrimi.
Mjeshtri muzikor Edi Xhani, i cili ka ardhur nga SHBA për këtë shfaqje thotë se, përkatësia e çiftit nga krahina të ndryshme, e ka lejuar që të krijojë një muzikë nga treva të ndryshme. Gjithashtu etnomuzikalit “Zare” i ka dhënë zë dhe këngëtari i mirënjohur Ilir Shaqiri.
Teatri Kombetar i Operas,Baletit e Ansamblit Popullor
Ai është shprehur për mediat: “Jam i kënaqur me prezencën e të gjithë artistëve këtu, me punën që kanë bërë , me përkushtimin maksimal që kanë bërë muzikanti Edi Xhani dhe koreografi Andrea Kokeri. Ky është letërnjoftimi ynë është AND-ja jonë në kulturë, gjithçka fillon nga folku dhe këtë gjë e ka theksuar edhe Fishta, pasi nga aty buron gjithçka. Dhe këta mjeshtra i sjellin ato këngë që kanë vënë vulën e vet nëpër vite dhe shekuj. Ka edhe këngë shumë të vjetra këtu në këtë program, por i sjellin me një kostum të ri, qoftë nga ana muzikore, e qoftë nga ana koreografike, pra i sjellin në kohë, dhe kjo është e bukur. Mua mu duk sonte sikur vallëzoi e tërë Shqipëria.” ka theksuar për mediat këngëtari i mirënjohur Ilir Shaqiri.
Nën drejtimin artistik të Sokol Marsit, “Zare” ngjiti në skenë tre breza, ku krahas artistëve të Operas dhe Ansamblit, shfaqjes ju bashkuan edhe artistë të rinj nga bendi muzikor, balerinë të Shkollës së Baletit, si dhe grupi i baletit “Ida”.
Foto nga Teatri Kombetar i Operas,Baletit dhe Ansamblit Popullor
Drejtori artistik Sokol Marsi është shprehur për median: “Skena jonë ka nevojë për shfaqje të tilla, për shfaqje me dimension kaq të madh, të këtyre gjinive siç është etnomuzikali, ku baza është muzika jonë popullore, janë veshjet tona, kostumografia jonë, këngët tona popullore, por të sjella e të vendosura sot në skenë me të gjithë teknikalitetet” ka përfunduar Marsi.
Në këtë shfaqje janë angazhuar rreth 100 artistë, dhe synimi është që të afrojë edhe të rinj, sidomos valltarë. Premiera “Zare” kishte si synim rikthimin e shkëlqimit të dikurshëm të Ansamblit Popullor, i cili pritet të fitojë vëmendjen e publikut përmes materialeve të reja muzikore.
Sava Lena
Foto nga Teatri Kombetar i Operas,Baletit dhe Ansamblit Popullor