Të premten, Rajoni Autonom i Xinjiang-Ujgurit dhe Misioni i Përgjithshëm i Kinës në Zyrën e Kombeve të Bashkuara në Gjenevë zhvilluan së bashku forumin me temë "Rezultatet e respektimit dhe të mbrojtjes së të drejtave të njeriut në Xinjiang të Kinës".
Kryetari i Komisionit të Përhershëm të Asamblesë Popullore të Rajonit Autonom të Xinjiang-Ujgurit Shawkat Imin u shpreh se Xinjiang-u është një rajon shumë tërheqës, duke i ftuar të gjithë të shkojnë aty për vizitë.
"Xinjiang-u mbron stabilitetin shoqëror sipas ligjit, përshpejton zhvillimin ekonomik me cilësi të lartë, përmirëson vazhdimisht nivelin e jetesës së banorëve, forcon pandërprerë unitetin ndërmjet kombësive të ndryshme dhe mbron plotësisht lirinë e besimit fetar dhe kulturat e kombësive të ndryshme. Xinjiang-u ka shpejtuar hapat e hapjes me botën e jashtme dhe sot është bërë një kanal i rëndësishëm i shkëmbimeve ndërmjet vendeve përgjatë 'Një brez, një rrugë'. Unë i mirëpres të gjithë të vijnë në Xinjiang për të dëshmuar stabilitetin e lulëzimin e tij dhe sukseset e arritura në çështjen e të drejtave të njeriut në këtë rajon," tha Imin.
Përfaqësuesi i përhershëm i Kinës në Zyrën e Kombeve të Bashkuara në Gjenevë Chen Xu u shpreh se Rajoni Autonom i Xinjiang-Ujgurit vë gjithmonë në plan të parë interesat e popullit dhe punon gjithmonë për përmirësimin e nivelit të jetesës së njerëzve.
"Nëpërmjet përpjekjeve të palodhshme, zhvillimi ekonomik e shoqëror dhe çështja e të drejtave të njeriut në Xinjiang kanë pasur suksese të jashtëzakonshme. Banorët e kombësive të ndryshme jetojnë të lumtur. Nisur nga motive politike, disa vende perëndimore nuk i marrin parasysh këto suksese dhe fabrikojnë gënjeshtra lidhur me Xinjiang-un, duke politizuar problemin e të drejtave të njeriut. Veprimet e tyre do të dështojnë patjetër," tha ai.
Në forum u shfaq gjithashtu dokumentari "Ky është Xinjiang-u", ku paraqiten sukseset e zhvillimit ekonomik e shoqëror dhe të çështjes së të drejtave të njeriut në këtë rajon.
Pjesëmarrësit në forum vlerësuan sukseset e arritura nga Xinjiang-u i Kinës në fushën e luftës kundër terrorizmit e ekstremizmit, të zhvillimit, të pakësimit të varfërisë e të mbrojtjes së të drejtave të njeriut. Ata shprehën përkrahje për qëndrimin e Kinës mbi problemin e Xinjiang-ut, duke kundërshtuar ndërhyrjen në punët e brendshme të Kinës nëpërmjet problemit të Xinjiang-ut. (Fani/Artan)