Ministri i Jashtëm kinez takon shefin e diplomacisë europiane
2022-09-23 21:48:50

Foto nga Chinese Foreign Ministry

Foto nga Chinese Foreign Ministry

Ministri i Jashtëm kinez Wang Yi u takua të enjten në Nju-Jork me përfaqësuesin e lartë të Bashkimit Europian për Politikën e Jashtme dhe të Sigurisë Josep Borrell.

Wang Yi u shpreh se, në situatën e trazuar ndërkombëtare, si dy forca kryesore në botë, Kina dhe BE-ja duhet të mbajnë përgjegjësitë e veta dhe të ruajnë prirjen e mirë të dialogut e të shkëmbimeve. Të dy palët duhet t'i përmbahen bashkëpunimit me përfitime të përbashkëta e multilateralizmit dhe të mos e konsiderojnë njëra-tjetrën si kundërshtare, duke mos e dobësuar bashkëpunimin për shkak të konkurrencës.

Josep Borrell theksoi nga ana e tij se bota e sotme po përjeton një mungesë të rendit dhe stabiliteti europian po përballon sfida. BE-ja i kushton rëndësi të madhe statusit dhe rolit të Kinës si një fuqi e madhe, e cila është e pazëvendësueshme në përballimin e sfidave globale dhe në ruajtjen e rendit të pasluftës. BE-ja dëshiron të vazhdojë kontaktet strategjike me Kinën, duke shfrytëzuar plotësisht rolin e mekanizmave të dialogut të nivelit të lartë në të gjitha fushat. Brukseli është shumë i shqetësuar për përhapjen e mundshme bërthamore dhe shpreson që Pekini do të ushtrojë ndikimin e vet të rëndësishëm për zgjidhjen e këtij problemi.

Duke folur për situatën në Ukrainë, kreu i diplomacisë kineze u shpreh se tani detyra e parë është armëpushimi. Kina nuk do të rrijë duarkryq dhe as nuk do t'i hedhë benzinë zjarrit, tha ai, por do të vazhdojë të luajë rolin e duhur në mënyrën e vet. Pala kineze i përkrah BE-në dhe vendet kryesore europiane të vazhdojnë ndërmjetësimin, duke bërë të gjitha përpjekjet për të arritur paqen.

Të dy palët shkëmbyen gjithashtu mendime për problemin e të drejtave të njeriut, duke vënë në dukje që ky problem nuk duhet të politizohet. (Fani/Artan)