Të kuptosh fëmijën kur gënjen, kjo është një detyrë e vështirë për prindin, por nëpërmjet këshillave dhe disa treguesve mund t’ju ndihmojnë të kuptoni nëse fëmija ka thënë të vërtetën apo ju ka gënjyer.
Si fillim prindi duhet të kuptojë se sa i qartë është fëmija gjatë rrëfimit të tij. Jini të kujdesshëm, a ka mospërputhje në atë që fëmija thotë? Dhe nëse është e besueshme ajo çfarë thotë?
Së dyti, ju mund ta kuptoni fëmijën tuaj nga shprehja e fytyrës. Kur fëmijët janë duke thënë të vërtetën, ata janë të relaksuar, ndërsa fëmijët që gënjejnë mund të jenë të shqetësuar dhe shprehja fytyrës mund t’i tregojë ankthin që ata përjetojnë kur gënjejnë.
Kur fëmijët thonë të vërtetën, zëri i tyre është i qetë, i plotë, pa ndërprerje kur tregojnë diçka. Por cilat janë arsyet që i çojnë fëmijët drejt gënjeshtrës? Si duhet të reagojë prindi në situata të tilla? Për të gjitha këto pyetje, është përgjigjur për Grupin Mediatik të Kinës, Psikologe Daniela Gjorgo.
Daniela Gjorgo Psikologe (Foto nga Instagrami)
CMG: A ka një moshë të caktuar se kur fillon të gënjejë fëmija?
Daniela Gjorgo: Fëmijët fillojnë të gënjejnë rreth moshës 5 vjeç, sepse përpara kësaj moshe kanë të vështirësi të theksuar që të ndajnë realitetin nga imagjata.
CMG: Cilat janë arsyet që fëmija fillon të gënjejë?
Daniela Gjorgo: Arsyeja përse fillon një fëmijë që të gënjejë, kjo patjetër është një sjellje e mësuar që lind dhe zhvillohet në një mjedis familjar, në kopësht etj. Arsyeja primare është modeli i gënjeshtarit në familje, qoftë edhe për gjëra të vogla, ashpërsia, ekzagjerimi për të thënë të vërtetën. Të gjitha këto, qoftë modeli i gënjeshtarit, qoftë të kërkuarit për të thënë të vërtetën me ngulm, e bëjnë fëmijën të gënjejë. Sepse e bën fëmijën të jetë nën trysni. Të gjitha nga këto sjellje ekstreme, tregojnë modelin e fëmijës që gënjen.
CMG: Si duhet të sillen prindërit nëse përballen me një situatë të tillë, a duhet t’i detyrojmë në ato momente për të pranuar të vërtetën?
(Foto nga Beenke)
Daniela Gjorgo: Prindi duhet të bëjë identifikimin, nëse gënjeshtra është një tipar i fëmijës apo kjo është një ngjarje aksidentale . Gjithashtu duhet që prindi duhet të shohë motivet dhe rrethanat që i çojnë fëmijën në gënjeshtër, apo cilës kategori gënjeshtre, i përket gënjeshtra e këtij fëmije dhe a bashkëndodh kjo sjellje, pra gënjeshtra në probleme të tjera sjellore? Prindi duhet të vëzhgojë për një kohë fëmijën dhe duhet të gjejë burimin e së vërtetës dhe shkakun që e çoi në këtë gënjeshtër. Në asnjë mënyrë prindi nuk duhet të bëhet ndëshkues i fëmijës dhe ta kanosë atë, pasi këto sjellje do të përforconin edhe më tepër, dhe do të motivonin edhe më tepër gënjeshtrën.
CMG: Sa janë të përgatitur prindërit në lidhje me situata të tilla? Sepse ka prindër që nuk i gënjejnë asnjëherë fëmijët e tyre, por sërish fëmijët gënjejnë. Cila është këshilla që jepni ju si psikologe për prindërit kur përballen në raste të tilla?
Daniela Gjorgo: Përballë një fëmije që fillon të gënjejë, prindi si për çdo lloj pjese tjetër të zhvillimit duhet të prindërojë nëpërmjet stileve të prindërimit autoritative. Prindi nuk duhet të bëhet shumë autoritar, nuk duhet të bëhet shumë i bezdisshëm për fëmijën, por as shumë liberal që të anash kalojë në heshtje çdo sjellje jo të përshtatshme të fëmijës së tyre. Prindi duhet të jetë midis të dyjave në momente të caktuara. Pra në momente të caktuara të qëndrojë autoritar ndaj fëmijës, dhe në momente të tjera të përdorë stile më liberale, në mënyrë që fëmija të jetë më afër të vërtetës, të ketë më pak trysni e të rritet dhe të zhvillohet normalisht në momentin që kapet kjo sjellje apo dhe në vijim.
-Një shprehje thotë: “Gënjeshtra i ka këmbët e shkurtra”, por një studim i fundit ka treguar se një gënjeshtër mund të lindë nga një mendje e shëndoshë. Sipas studiuesve, nëse fëmija juaj gënjen, kjo tregon për një zhvillim të mirë të mendjes së tij.
(Foto nga Foto Daily Sun)
Sipas një studimi të kryer nga Universiteti i Torontos ku morën pjesë 1200 fëmijë, u arrit në përfundimin se, gënjeshtra është diçka normale tek fëmijët. Sipas shkencëtarëve, sa më herët të fillojë një fëmijë të gënjejë, aq më i mirë është zhvillimi i rritjes së tij. Fëmijët e përfshirë në studim i përkisnin moshës 2-17 vjeç. Ata u vendosën në një dhomë ku pas tyre gjendej një lodër. Fëmijëve iu ndalua të ktheheshin për të parë lodrën. Më pas të gjithë fëmijët u pyetën nëse ishin kthyer apo jo dhe përgjigjet e tyre u verifikuan përmes kamerave. 90% e fëmijëve gënjyen dhe sidomos ata të grupmoshës 2-4 vjeçare.
Udhëzuesi i studimit Kang Lee ka thënë se, gënjeshtra tek fëmijët është diçka tërësisht normale dhe është pjesë e proçesit të rritjes së shëndetshme. Ai e shpjegon këtë situatë me faktin se të gënjesh e ta mbash gjatë një gënjeshtër kërkon përpjekje të madhe intelektuale. Nëse një fëmijë gënjen, kryesisht përpara moshës 5-vjeçare, ai vë në përdorim të gjitha aftësitë e tij, veçanërisht ato të vetëkontrollit. Por shumë prindër i tremben faktit se mos fëmija bëhet gënjeshtar edhe kur të rritet. Studiuesi ka shpjeguar se nuk ka vend për shqetësime nga prindërit sepse kjo nuk do të thotë se fëmijët kur të rriten do të gënjejnë në mënyrë të vazhdueshme. Gënjeshtrat në fëmijëri nuk janë asgjë tjetër veçse një fazë normale e rritjes së tyre që duhet respektuar pa e bërë alarmante situatën.
(Foto nga The Indian Express)
Intervistoi: Sava Lena