Jeta është një udhëtim në të cilin ne vendosim të ndalojmë në pika ku ka suksese për ne. Të rinjtë shqiptarë gjithnjë kanë kërkuar më tepër nga vetja. Një ndër to është edhe Marsida Bandilli, e cila përfaqëson modelin e studentëve shqiptarë. Duke qënë në përfundim të studimeve pas-universitare të doktoraturës, ajo flet për jetën e saj mes Shqipërisë dhe Brukselit. Gjithçka nisi si pedagoge në Faktultetin e Shkencave Sociale ku Marsida është marrë me jetën studentëve dhe aktiviteteve të inicuara prej saj. Marsida është vlerësuar me çmime europiane dhe ka punuar edhe pranë Parlamentit Europian. Aktualisht ajo është konsulente në një institucion financiar dhe në pritje për të mbyllur doktoraturën.
“Mezi pres të vij në Shqipëri dhe të jap kontributin tim profesional”, shprehet ajo.
“Gjithçka që të rinjtë duhet të bëjnë është të jenë të aftë të mbrojnë ëndrrat e tyre “ thotë Marsida Bandilli për Grupin Mediatik të Kinës.
CMG : Ju kishit një jetë shumë sociale këtu, si u shkëputet?
Marsida Bandilli : Po, kisha një jetë sociale, që në fakt kisha punuar për ta ngritur. Çdo ditë e jetës sime ishte e dedikuar për të bërë diçka ndryshe. Një energji e cila rridhte natyrshëm prej idealeve të mia se si duhet të duket dhe zhvillohet jeta.
Më pas gjykova dhe mendoj me të drejtë, që përveç të jetuarit mirë duhet të jesh i arsimuar mirë. Ndjeva nevojën për të bërë një eksperience ndryshe dhe zgjodha Brukselin.
Studimet, kisha vendosur si qëllim për t’i thelluar më tej ndaj krijova shkëputjen time të parë. Kjo më ka ndihmuar të eci përpara dhe të njoh gjëra të reja.
Unë tani e ndaj jetën mes Shqipërisë dhe Brukselit dhe mendoj që këtu kam rrënjë të forta dhe në Bruksel një pemë, që rritet çdo ditë profesionalisht. E them me krenari që jam e arritur në karrierë falë guximit dhe punës për t’i bërë gjërat si duhet.
Marsida Bandilli ne Parlamentin Europian(Foto Personale)
CMG : Jeni vlerësuar shumë në Shqipëri apo jo?
Marsida Bandilli : Po unë kam qënë një vajze që kam bërë gjithnjë punën që kam dashur dhe aktivitete që më kanë ndihmuar të rritem profesionalisht. Isha një pedagoge tek Shkencat Sociale dhe e bëja me shumë dashuri punën time.
Por, e ke parasysh se sa e rëndësishme është të kesh një eksperiencë "europiane"? Ëndrra e të gjithëve është të ndërtojnë për veten e tyre gjëra të reja.
Nga natyra unë jam kurioze dhe doja të dija si funksiononte jeta sociale në Europë, me çfare përballeshin të rinjtë atje. Vlerësimet që kam marrë në Shqipëri më kanë ndihmuar të rris egon time profesionale dhe të vazhdoj vetëm përpara.
CMG : Cilat janë sfidat që duhet t’i njohë çdo i ri apo e re prej teje?
Marsida Bandilli : Sfidat kanë ekzistuar gjithnjë edhe kur kam qenë këtu edhe kur nisa rrugën për studime në Bruksel. Shqiperia është vend i ngrohtë me njerëz shumë solarë dhe të dashur, ndërsa Brukseli është ndryshe, aty njerëzit janë shumë indiferentë dhe të tregojnë një anë tjetër, që unë nuk isha mësuar ta shihja tek njerezit.
Mendoj që sfida më e madhe e çdo njeriu është përshtatja. Nëse do të arrihej përshtatje mes njerëzve në një kohë të mjaftueshme atëherë këtë do ta quaja tejkalim sfide.
CMG : Cila është puna juaj e parë që ju ka diktuar rregullat profesionale?
Marsida Bandilli (F Personale)
Marsida Bandilli : Puna është gjithçka. Fatmirësisht unë kam punuar gjithnjë. Jam atashuar gjithnjë në punë që kanë të bëjnë me profesionin tim.
Komunikimi është arma ime më e forte ndaj e nisa në një zyrë konusulence më pas e vazhdova karrierën time në ngjitje.
CMG : Karriere në ngjitje është edhe Parlamenti Europian? Ishte arritje për ty dhe a dote punoje për Shqiperinë atje?
Marsida Bandilli : Po e ruaj si një nga eksperiencat më të bukura dhe të vlefshme sepse unë isha ende e re në moshë dhe në një vend ku ti je e huaj dhe sërish vlerësohesh. kupton meritokracinë. Shqipëria gradualisht është në hapat e duhur për në BE, ndaj unë do isha e lumtur të punoja për Shqiperinë time të dashur, duke e përfaqësuar atë në parlamentin Europian.
CMG : Pse jo, të punoni në Parlamentin shqiptar?
Marsida Bandilli : Sigurisht që po. Do doja shumë ta provoja, por ende dua të mësoj. Kam një rrugë përpara që të marr dije dhe më pas t’i aplikoj. Parlamenti është përgjegjësi e madhe ndaj unë kam detyrime të mëdha gjithashtu.
Marsida Bandilli (Foto Personale)
CMG : Cili është njeriu që të ka mbështetur në çdo hap që ke bërë?
Marsida Bandilli : Asgjë nuk arrihet vetëm. Unë jam mirënjohëse ndaj çdo njeriu që në “kështjellën” time vendosi një gur sado të vogël. Nëna ime është fansja ime më e madhe, por edhe shoqëria. Unë kam kam njohur një staf të mirë në Universitetin e Tiranës ndaj u jam mirënjohëse për çfarë kanë bërë për mua, sepse më kanë qëndruar pranë sa herë unë kam pasur nevojë për ta.
CMG : Projekti juaj i doktoraturës ju ka marrë kohë?
Marsida Bandilli : Po. Ka qenë një kohë e gjatë për mua sepse në Bruksel kanë një sistem të fortë filtrash për të nxjerrë në pah më të mirën. Për momentin unë e mbyll doktoraturën dhe do të shoh përpara për të ardhmen time.
Me sytë jam nga Parlamenti Europian, duke shpresuar që Shqipëria të anëtarësohet sa më shpejt dhe unë të punoja për ta.
CMG : Besimi është diçka që lind apo fitohet?
Marsida Bandilli : Jo nuk kam pasur këtë besim që kam sot. Besimi im ka dashur 10-vite të formohet fillimisht. Pas 10-vitesh unë jam një tjetër njeri, më e plotësuar dhe më e realizuar. Këshilla që do të jepja për çdo të ri është: "Ndiqni ëndrrat tuaja!"
Marsida Bandilli (Foto Personale)
Intervistoi :Megi Latifi