Edicioni i 4-t i Fjalorit Standard të Kinezishtes Bashkëkohore/
Studiuesi i gjuhës kineze Li Yuming ishte shumë i emocionuar kur pa hyrjet e reja që dokumentonin përparimin e arritur në Kinë, pasi shfletoi edicionin e fundit të një fjalori të kinezishtes të përhapur, i cili u publikua së fundmi. Fjalori Standard i Kinezishtes Bashkëkohore, i lançuar në vitin 2004, tashmë ka arritur në edicionin e tij të 4-t. Në këtë version përfshihen rreth 1 mijë fraza të reja që pasqyrojnë ndryshimet e Kinës në strukturën ekonomike e shoqërore, në krahasim me edicionin e kaluar të 8 viteve më parë. Midis tyre janë janë fraza si "gjendja e re normale", "parakalim në kthesë" etj.
"Këto rreth 1 mijë fraza kryesore janë mbledhur nga aspekte të ndryshme të shoqërisë, sipas progresit të kohës," - thotë Li Xingjian, kryeredaktor i Fjalorit. Ai shton se edicioni i ri përmban mbi 12 mijë fjalë dhe afro 72 mijë fraza, duke paraqitur një pamje gjithëpërfshirëse të këtij fjalori bashkëkohor kinez.
Fotografia që u bë më 20 nëntor 2021 pasqyron terrenin e Konferencës së Internetit Industrial 5G+ të Kinës në Wuhan, në provincën Hubei të Kinës qendrore.(Xinhua/ Wu Zhizun)
Dokumentimi i evolucionit të shoqërisë
Li Yuming, kryetari i Shoqatës së Leksikografisë në Kinë thotë se rishikimi në kohë i Fjalorit ka dokumentuar evolucionin e shoqërisë dhe plotëson kërkesat e përdoruesve për referencë. Frazat si "aspirata origjinale", "antikorrupsion", "dizajn i nivelit të lartë", "gjendja e re normale", "zonë e tregtisë së lirë", "Zona e Madhe e Gjirit Guangdong-Hong Kong-Makao", "qytetërim ekologjik", "kilometri i fundit" etj. tashmë kanë zënë vend dhe mund të gjenden në Fjalor. "Versioni i fundit pasqyron dy prirje kryesore: synimi i objektivave të gjelbra e të karbonit të ulët në jetën ekonomike e shoqërore dhe ndikimi i dukshëm i internetit në jetën e përditshme të kinezëve," – thotë Zhang Yiwu, profesor i gjuhës dhe letërsisë kineze në Universitetin e Pekinit.
Termat si "ekonomia e karbonit të ulët" dhe "Weibo", shërbimi i mikroblogimit të Kinës, ishin shtuar që në edicionin e dytë të Fjalorit në vitin 2010, kur të dyja konceptet e përhapura ishin mirëpritur gjerësisht. Në vitin 2014, fraza "blerja në internet" u përfshi në Fjalor pasi zhvillimi i vrullshëm i sektorit të biznesit elektronik e bëri atë shumë të njohur për të gjithë. Në edicionin e sotëm, artikujt e rinj përfshijnë "kulmi i shkarkimit të karbonit", "asnjanësimi i karbonit", "informatika cloud" dhe "pagesa në celular".
Një pjesëmarrëse e Ekspozitës së Dytë Ndërkombëtare të Produkteve të Konsumit promovon produktet ushqimore përmes transmetimit të drejtpërdrejt në Haikou të provincës Hainan të Kinës Jugore, më 28 korrik, 2022 (Xinhua/ Yang Guanyu)
Tregu kombëtar i karbonit në Kinë ka parë një qarkullim kumulativ prej 194 milionë tonësh të kuotave të emetimit, me vlerë rreth 8.5 miliardë juanë (afro 1.2 miliardë dollarë amerikanë) qysh kur u bë funksional në korrik të vitit 2021. Po gjatë këtij viti, përmasat e tregut kinez të informatikës cloud i tejkaluan 300 miliardë juanët. Për më tepër, shkalla vjetore e transaksioneve të pagesave celulare, u ngrit nga dhjetra miliardë juanë në vitin 2011, në plot 527 trilionë juanë në vitin 2021. “Bollëku i fjalëve të reja pasqyron frymën e shoqërisë”, - thotë Wang Fang, presidente e Shtëpisë Botuese të Mësimit dhe Kërkimit të Gjuhëve të Huaja. Sipas saj, "shfaqja e frazave të reja është rezultat i transformimeve të jashtëzakonshme dhe arritjeve të mëdha gjatë dekadës së fundit".
Një tren i shpejtësisë së lartë duke udhëtuar në linjën hekurudhore Pekin-Tianjin, më 25 janar 2019. (Xinhua/ Xing Guangli)
Kuptimet e reja në fjalët e vjetra
Me krijimin e frazave të reja edhe fjalët e vjetra gjithashtu kanë marrë një kuptim të ri. Ky fenomen të kujton se sa shumë ka përparuar shoqëria. Ndër to është edhe shprehja "parakalim në kthesë". Kuptimi origjinal i kësaj fraze i referohet vrapuesve me aftësi dhe guxim të lartë, të cilët i kalojnë kundërshtarët e tyre pikërisht në kthesë. Në fjalorin e përditësuar kjo frazë ka fituar një kuptim figurativ, të shndërrimit të vështirësisë dhe rreziqeve në mundësi, përballjes me sfidat dhe tejkalimin e të tjerëve. Automjetet e reja me energji të pastër, konsumi në internet, 5G-ja, hekurudhat e shpejtësisë së lartë, inteligjenca artificiale etj., janë industritë e reja që dëshmoshjë se "parakalimi në kthesë" është bërë një realitet nga Kina.
“Një nga kriteret më të spikatura për përfshirjen e frazave të reja në këtë botim është përdorimi i gjerë nga publiku”, - thotë Zhang Shiping, i cili është përgjegjës për rishikimin e Fjalorit. Sipas tij, "Përfshirja e frazave të reja reflekton zhvillimin e shoqërisë dhe nga ana tjetër, ka pasuruar më tej edhe vetë gjuhën". Ndërsa Li Yuming mendon se "Fjalorët janë kujtesa kolektive e kombit” - duke shtuar se “me zhvillimin e shoqërisë, duhet të shtohen hyrje të reja për të siguruar që kjo kujtesë të mbetet e freskët”. (Wang Lei/ Laçi)