Rruga e re e zhvillimit: Zhvillimi i përbashkët
2022-09-22 16:39:43

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Qyteti Hefei i provincës Anhui gjendet në perëndim të deltës së lumit Jance në Kinën Lindore. Zhvillimi i përbashkët i deltës së lumit Jance i ka sjellë mundësi industrisë automobilistike në Hefei.

Yu Zhaobing, drejtori i Departamentit të Bashkërendimit Industrial të Komisionit të Zhvillimit dhe Reformës të qytetit Hefei të provincës Anhui, tha:

"Për shembull, shumë përbërës të pjesëve të brendshme e të jashtme të automjeteve vijnë nga Shangai e Zhejiang-u dhe shumë përbërës elektronikë të automjeteve vijnë nga Jiangsu-ja. Falë rezultateve të dukshme të integrimit e të bashkëpunimit industrial, janë ulur shumë kostot e prodhimit, duke tërhequr një numër të kompanive kryesore automobilistike në Hefei."

Qeveria qendrore kineze ka zbatuar strategji kombëtare të zhvillimit të krahinave perëndimore, të rigjallërimit të Kinës Verilindore, të fuqizimit të Kinës Qendrore, të zhvillimit me përparësi të Kinës Lindore etj., për të zgjidhur problemin afatgjatë të zhvillimit të pabalancuar të ekonomisë rajonale, duke realizuar zhvillimin e përbashkët rajonal. Në dekadën e fundit, zhvillimi i përbashkët rajonal është ngritur në nivel më të lartë. Për shembull, në “Planin e zhvillimit të grupit urban Chengdu-Chongqing”, të publikuar në vitin 2016 shpallet se, deri në vitin 2030, grupi urban i përbërë nga qytetet Chengdu e Chongqing në rrjedhën e sipërme të lumit Jance, do të zhvillohet në një grup urban nga i rangut kombëtar në atë botëror.

Massimo Bagnasco, nënpresidenti i Dhomës së Tregtisë të BE-së në Kinë, tha:

"Rrethi ekonomik Chengdu-Chongqing ka potencial të madh. Nëse i hedhim një sy rajonit Pekin-Tianjin-Hebei, Zonës së Madhe të Gjirit dhe Zonës së Deltës së Lumit Jance, shohim se strategjia kombëtare ka nxitur realisht zhvillimin ekonomik në këto zona. Ne i shohim mundësitë, por duhet të punojmë me pushtetin vendor për t'i konkretizuar këto mundësi."

Zhvillim me cilësi të lartë do të thotë zhvillim i përbashkët jo vetëm i rajoneve të ndryshme, por edhe i qyteteve, fshatrave, ekonomisë, shoqërisë, qytetërimit material, qytetërimit shpirtëror etj., duke realizuar më në fund pasurimin e përbashkët të popullit.

Ronnie Lins, drejtori i Qendrës Studimore të Çështjeve të Kinës të Brazilit, tha:

"Në situatën e re ndërkombëtare, zhvillimi i përbashkët urban e rural ka rëndësi shumë të madhe. Për Kinën, kjo është një politikë e rëndësishme publike, me qëllim që të arrihet rritja me cilësi të lartë."

Urusov Volodymyr, profesor i asociuar i Fakultetit të Historisë të Universitetit Kombëtar “Taras Shevchenko” të Kievit, u shpreh:

"Krahas promovimit të zhvillimit të përbashkët brenda vendit, Kina ka propozuar gjithashtu nismën “Një brez, një rrugë”, Nismën e Zhvillimit Global etj., dhe ka promovuar aktivisht dialogun Jug-Veri dhe bashkëpunimin Jug-Jug, për të zgjidhur çështjen e zhvillimit të paekuilibruar global. Në Uganda, varietetet e reja të orizit dhe teknologjitë bujqësore nga Kina, i kanë ndihmuar mbi 10 mijë fermerë vendës të shtojnë prodhimin dhe të ardhurat."

Robert Sagula, kultivues orizi nga Uganda, tha:

"Në të kaluarën, me mbjelljen e varietetit tonë vendor të orizit, merrnim vetëm rreth dhjetë kuintalë për akër në sezon, por me farën hibride të orizit, mund të marrim dyzet kuintalë për akër."

Dr. Michael Borchmann, ish-drejtori i Drejtorisë së Çështjeve Europiane e Ndërkombëtare të landit gjerman të Hesenit, u shpreh:

"Nisma e Zhvillimit Global e paraqitur nga presidenti kinez Xi Jinping në sesionin e 76-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së vitin e kaluar, përmban shpresa për gjithë bashkësinë ndërkombëtare, veçanërisht për vendet në zhvillim. Në OKB është ritheksuar herë pas here rëndësia e Nismës së Zhvillimit Global për Agjendën e Zhvillimit të Vazhdueshëm 2030, e cila synon të zhdukë varfërinë dhe të zvogëlojë pabarazinë." (Fani/Artan)