Zgjerohet tregu kinez i konsumit
2022-09-22 21:22:43

Të enjten, Zyra Kombëtare e Statistikave e Kinës publikoi një sërë raportesh lidhur me sukseset e zhvillimit ekonomik e shoqëror, ku vihet në dukje se Kina ka shfrytëzuar epërsinë e tregut të vet gjigant dhe ka përmirësuar strukturën e konsumit, duke theksuar se tashmë konsumi po bëhet forca lëvizëse kryesore për rritjen ekonomike.

Sipas raportit, përmasat e tregut të konsumit në Kinë janë zgjeruar pandërprerë. Në vitet 2016 e 2019, vëllimi i përgjithshëm i shitjes me pakicë të mallrave të konsumit i kaloi përkatësisht 3 trilionë dhe 4 trilionë juanët, ndërsa në vitin 2021 arriti në 4.4 trilionë juanë, duke shënuar rekord historik.

Nga viti 2013 deri vjet, shpenzimet e konsumit të banorëve u rritën mesatarisht 9 % në vit. Në vitin 2021, kontributi i shpenzimeve të konsumit për rritjen ekonomike arriti në 65.4 % dhe konsumi u bë motori kryesor i rritjes ekonomike.

Me zhvillimin e shpejtë të internetit, të informatikës cloud, të inteligjencës artificiale etj., mënyrat e reja të konsumit, si blerja në internet dhe pagesa e lëvizshme, janë shtuar pandërprerë, duke promovuar gjallërimin e tregut dhe lulëzimin e konsumit.

Tani blerja në internet është bërë një pikë e rëndësishme e rritjes së tregut të konsumit. Nga viti 2015 deri në vitin e kaluar, rritja vjetore e vëllimit të shitjes me pakicë arriti mbi 20 %. (Fani/Artan)