Antonio Marku (Foto personale)
Antonio Marku është një ndër futbollistët shkodranë që po luan momentalisht në Kosovë. Në fillim të këtij sezoni, mbrojtësi vendosi që edhe në këtë sezon futbollistik të vijojë aventurën e tij me ekipin e Vëllaznimit të Gjakovës, aty ku ka marrë edhe rolin e kapitenit. Në një intervistë për Grupin Mediatik të Kinës (CMG) ai tregon në lidhje me eksperiencën e tij në Gjakovë, sfidat dhe kënaqësia që ka marrë gjatë viteve të karrierës së tij sportive.
CMG: Si filloi pasioni për futbollin dhe kush ju ka nxitur në këtë fushë?
Antonio Marku: Padyshim që një nga gjërat që unë kam trashëguar nga familja është pikërisht sporti, sepse si nga ana e mamit ashtu dhe nga e babait kam pasur familjarë që janë marrë me sport. Gjyshi nga ana e mamit ka qenë portier i Vllaznisë dhe ka luajtur edhe ndeshje zyrtare me Vllazninë e madhe. Gjithashtu daja dhe një xhaxha kanë qenë mundës të Vllaznisë ndërsa xhaxhai tjetër basketbollist, por babai ka qenë portier. Nuk mund të them se kush ka qenë personi kryesor që më ka nxitur në këtë fuhsë, por mund të them se kush ka qenë personi kryesor që nuk më ka nxitur. Kjo është mamaja ime sepse edhe në momentet më të mira të karrierës ajo më thoshte lëre sportin sepse si çdo nënë që është shumë e ndjeshme, ngaqë unë kam pasur shumë dëmtime gjatë karrierës time dhe ajo i ka vuajtur shumë këto momente.
Antonio Marku gjate ndeshjeve te futbollit (Foto personale)
CMG: Si në çdo fushë tjetër edhe futbolli ka shumë sfida dhe të papritura. Cilat kanë qenë sfidat që keni kaluar?
Antonio Marku: Një nga sfidat më të mëdha që ka realisht futbolli është fakti që duhet me qenë shumë i pabesë. Këtë gjë e them se mundesh që të investosh gjithçka për futbollin, por në fund për shumë arsye ëndrrat për një karrierë të mirë futbollistike nuk realizohen. Siç janë dëmtimet e mundshme që fatkeqësisht shumë futbollistë të talentuar nuk i ka lënë të kenë një karrierë të mirë. Gjithashtu mund të jetë edhe pamundësia financiare për të ndjekur shkëmbimet e futbollit në një moshë të re. Këtu mund të përmend edhe padrejtësi të ndryshme që fatkeqësisht ndodhin në botën e sportit dhe që ndikojnë në karrierën e një futbollisti.
CMG: Sa vite keni luajtur te ekipi i Vllaznisë dhe pse u larguat nga skuadra e qytetit tuaj?
Antonio Marku: Përpara se unë të largohesha nga Vllaznia, kisha pesë vjet e gjysëm që isha pjesë e ekipit, dhe dua të them që ëndrra ime e fëmijërisë që të mbroja ngyrat e qytetit tim është realizuar, madje edhe më shumë sesa e kam menduar realisht sepse për një sezon e gjysëm unë kam qenë edhe kapiten i skuadrës së qytetit tim, dhe për këtë gjë ndjehem i gëzuar dhe krenar. Përsa i përket largimit, dua të them se gjatë karrierës janë momentet ku ti duhet të zgjedhësh midis karrierës dhe rrogës, si dhe midis personalitetit dhe dinjitetit si person. Në fakt këto janë situata më të vështira, ku ose duhet të mbyllësh sytë dhe gojën dhe të qëndrosh, ose të thuash dua ta le dhe të iki. Unë kam zgjedhur këtë të dytën edhe pavarësisht se ndoshta nuk ka qenë vendimi i duhur në lidhje me karrierën, por absolutisht ka qenë vendimi i duhur në lidhje me figurën time sportive dhe njerëzore.
Antonio Marku ne moshe te vogel me babain e tij (Foto personale)
CMG: Aktualisht ju luani për ekipin e Vëllaznimit të Gjakovës. Si ndjeheni te ky ekip?
Antonio Marku: Arsyeja kryesore pse unë kam ardhur është për shkak të historisë dhe emrit të madh të skuadrës së Vëllaznimit, si dhe për shkak të ambientit dhe atmosferës së zjarrtë që krijon tifozeria gjakovare. Gjithashtu unë kam besuar tek ideja e një projekti të madh për ta risjellë Vëllaznimin në vitet e sukseseve. Pavarësisht ofertave të ndryshme, kam vazhduar të jem pjesë e klubit sepse unë akoma besoj te një rikthim drejt suksesit, por edhe për arsye të lidhjeve shpirtërore që kam krijuar me qytetin. Unë këtu kam njohur miq shumë të mire, që janë pjesë e jetës time edhe mbas sportit.
CMG: Sapo ka nisur sezoni i ri futbollistik. Cilat janë synimet tuaja te Vëllaznimi?
Antonio Marku: Me thënë të drejtën sezoni nuk ka nisur mirë për shumë arsye të ndryshme, ku çdo ekip i madh e ka krizën e vet dhe çdo gjë ka kohën e vet, por unë besoj që me kalimin e javëve situata do të rregullohet. Gjëja më e rëndësishme është që mos të përsëriten çdo vit të njëjtat gabime apo vendime të gabuara.
CMG: Jeni kapiten i skuadrës së Vëllaznimit, ku keni një përgjegjësi të madhe, por dhe vështirësi si lider i ekipit?
Antonio Marku: Unë mendoj se vështirësia lidhet edhe me përgjegjësinë sepse sa më i madh të jetë ekipi dhe historia më e madhe e ekipit është përgjegjësia. Për këtë gjë unë i falenderoj të gjithë ata që kanë pasur besimin të ma ngarkojnë mua këtë detyrë, që është shumë e madhe dhe e rëndësishme për ekipin.
CMG: Shkodra dhe Gjakova janë dy qytete që lidhen me njëra- tjetrën me shumë gjëra si traditën, kulturën dhe sportin. Çfarë të përbashkët tjetër keni gjetur midis Shkodrës dhe Gjakovës?
Antonio Marku: Gjërat që ju i përmendët nga ana sipërfaqësore unë i kam ditur, por kurrë nuk kam menduar që këto lidhje do të ishin kaq të thella. Realisht në Gjakovë unë kam gjetur një Shkodër në Kosovë, prandaj ambientimi im ka qenë shumë më i lehtë sepse na lidhin shumë gjëra, na lidhin edhe pushimet e verës sepse shumica e gjakovarëve pushimet e verës i kalojnë në Velipojë.
CMG: Perveç futbollit, keni ndonjë pasion tjetër në jetë?
Antonio Marku: Unë kam pasion peshkimin dhe ky është një pasion i trashëguar nga gjyshi dhe daja. Kur kam kohë të lirë shkoj të peshkoj, ku shpesh shkoj dhe me babin, por shumë herë krijohet një situatë humori mes nesh sepse babai dëshiron thejsht të kalojë kohën, kurse unë dua të zë peshk edhe mërzitem kur ai nuk do.
Fanella e KF Vellaznimi (Foto personale)
CMG: Si duhet të jetë një futbollist i suksesshëm në ditët e sotme?
Antonio Marku: Unë do të them diçka që e shoh në kohën e sotme që suksesi real po miksohet shumë me suksesin virtual, dhe kjo gjë nuk më pëlqen dhe mendoj që është e gabuar. Shumë futbollistë të rinj më shumë janë duke e investuar kohën dhe energjitë e tyre në rrjetet sociale sesa në gjërat e vërteta që të çojnë drejt një karrierë të mirë sportive. Mendoj se kjo është një sfidë dhe një betejë shumë e madhe për futbollistët e sotëm, që fatkeqësisht shumë janë duke e humbur këtë sfidë dhe betejë, dhe nuk po arrijnë që të kenë frutet dhe sukseset që realisht mund t’i kenë për shkak të talentit.
CMG: Kujt ja dedikoni suksesin tuaj të deritanishëm?
Antonio Marku: Suksesin tim ja dedikoj të gjithë atyre që më kanë përkrahur dhe kanë besuar tek unë. Këtu përfshij jo vetëm familjen time, por edhe ata miq, trajnerë dhe drejtuesë që kanë besuar tek unë. Më e rëndësishmja është që i jam falenderues dhe mirënjohës Zotit, pa besimin dhe ndihmën e Zotit kurrë nuk do të kisha kaluar disa situata dhe dëmtime që kam pasur gjatë viteve të mia të sportit.
CMG: Si janë marrëdhëniet tuaja me shokët e skuadrës së Vllaznimit brenda dhe jashtë fushe?
Antonio Marku: Marrëdhëniet janë shumë të mira sepse më shumë kohë e kalojmë me njëri- tjetrin sesa mund të kalojmë me njerëzit e shtëpisë. Kemi një respekt të madh brenda dhe jashtë fushe, edhe pse Vëllaznimi nuk është në situatën e vet më të mirë, gjithmonë është kënaqësi dhe privilegj me qenë pjesë e këtij ekipi dhe këtij qyteti.
CMG: Ke menduar të rikthehesh sërish te ekipi i Vllaznisë së Shkodrës?
Antonio Marku: Si thotë ajo shprehja, “kurrë mos thuaj kurrë”. Atje është qyteti im, atje është ekipi ku unë kam kaluar pjesën më të madhe të karrierës sime. Unë besoj se mund të vazhdoj të kontriboj në sport edhe për disa kohë. Nuk mund të jap një përgjigje të saktë sepse kjo është punë shumë më e gjerë sesa kaq, por unë kam kënaqësinë më të madhe që mundem të vazhdoj të kontribuoj për futbollin dhe mendoj që një gjë e tillë mund të jetë e munduar.
CMG: Pushimet verore të këtij viti i keni kaluar në Velipojë, apo diku tjetër?
Antonio Marku: Pushimet e mia verore kanë qenë më të veçanta këtë verë sepse u martova, më 12 qershor bëra golin e jetës time. Pushimet i kalova në Itali me bashkëshorten, pastaj me familjen i kalova në Velipojë si dhe në Francë me shoqërinë. Dua të them se ishte një verë e shkurtër sepse filluam stërvitjen dhe kjo është pjesa më e vështirë e futbollistit.
CMG: Së fundi një përshëndetje për degjuesit e Radio Ejani dhe miqtë tuaj.
Antonio Marku: Ishte me të vërtetë kënaqësi e madhe që isha pjesë e juaja dhe e kohës së dëgjuesve të Radio Ejani. Unë ju uroj përzemërsisht që gjysma e dytë e vitit 2022 të jetë më e mirë dhe e bukur se gjysma e parë.
Intervistoi; Gazmend Agaj