Kur bëhet fjalë për muzikën tradicionale kineze, në mendjen e njerëzve vijnë imazhet e të moshuarve që luajnë pipa-n (një lahutë me katër tela) dhe guqin (një instrument me shtatë tela).
Megjithatë, muzikantët tradicionalë kinezë tani po prezantojnë punën e tyre dhe po angazhohen me audiencën në një mënyrë që provokon mendime dhe emocione.
Pamjet në platforma të shumta të transmetimit të drejtpërdrejtë, “livestreaming”, tregojnë muzikantët duke vënë në skenë shfaqje kreative në internet në një mjedis që është krejtësisht i ndryshëm nga salla e koncerteve dhe skena tradicionale.
Më 24 gusht, Orkestra Kombëtare Tradicionale e Kinës njoftoi se po bashkëpunonte me platformën e videove të shkurtra “Douyin”, për të organizuar shfaqje në internet, ku muzikantët e ansamblit luanin 87 instrumente tradicionale.
Instrumentistët nga Orkestra Kombëtare Tradicionale e Kinës dhanë shfaqje interneti më 24 gusht 2022/ foto nga China Daily
Zhao Cong, interpretuesja kryesore e pipa-s në orkestër dhe gjithashtu drejtuesja e saj tha se ky është një territor i ri për muzikën tradicionale kineze, që me të vërtetë nxit frymëzimin.
Çdo të martë, muzikantët e orkestrës japin shfaqje të drejtpërdrejta për bamirësi, dhe në ditët e tjera, ata interpretojnë si solistë apo si ansambël.
“Synimi ynë kryesor është që ende të performojmë për audiencën fizike, por transmetimet e drejtpërdrejta janë skena jonë e dytë, pasi ato janë të hapura për një numër të pakufizuar audience”,- tha Zhao.
Këto shfaqje i kanë dhënë një tjetër atmosferë orkestrës, e themeluar në vitin 1960. Së fundi, ajo ka tërhequr vëmendjen e gjerë dhe ka fituar një bazë të madhe fansash për shkak të popullaritetit në rritje të muzikës tradicionale kineze me audiencën e re.
Për shembull, gjatë Festivalit të Fenerëve të këtij viti, orkestra organizoi një koncert në internet që është parë më shumë se 24 milionë herë, ndërsa më 18 korrik dha një koncert në hapësirën kibernetike, i cili u pa mbi 130 milionë herë brenda një muaji.
Që nga shfaqja e Covid-19 në fillim të vitit 2020, muzikantët e orkestrës kanë dalë vullnetarë për të dhënë programe të drejtpërdrejta që janë parë më shumë se 7 milionë herë.
“Muzika tradicionale kineze mund të jetë pioniere dhe krijuese, edhe pse instrumentet datojnë qindra, apo edhe mijëra vjet më parë. Ne gjithmonë duam t'i prezantojmë këto instrumente të shkëlqyera dhe muzikën kineze te audienca, veçanërisht te brezi i ri”,- tha Zhao.
Ajo shtoi se shumë komente për shfaqjet e drejtpërdrejta të orkestrës kanë qenë vërtet pozitive, duke i bërë muzikantët të vetëdijshëm se ka një audiencë shumë më të madhe në internet.
Zhao Cong, drejtorja e krye-instruementistja e Pipas-s e Orkestës Kombëtare Tradicionale të Kinës në një koncert/ foto nga China Daily
Koha e sfidave
Sidoqoftë, kalimi nga sallat tradicionale të koncerteve në platformat e transmetimit në internet nuk është i lehtë për muzikantët.
Shen Xiangyang, e cila luan instrumentin yangqin dhe ka performuar me orkestrën që nga viti 1990, e pa atë jashtëzakonisht sfiduese kur ajo fillimisht performoi shfaqje të drejtpërdrejta.
Yangqin luhet me shkopinj bambuje që kanë koka gome ose lëkure. Gjatë Dinastisë së vonë Ming (1368-1644), instrumenti mbërriti në Kinë nëpërmjet Rrugës së Mëndafshit, dhe nga fundi i dinastisë Qing (1644-1911), ai ishte bërë një pjesë thelbësore e pothuajse të gjitha operave popullore kineze në mbarë vendin.
Shen tha se kur iu propozua fillimisht për të dhënë një shfaqje “live”, ajo dha një “jo” të prerë, pasi nuk kishte parë asnjë të tillë më parë dhe ishte mësuar të praktikonte vetë, të bënte prova me muzikantë të tjerë dhe të performonte për audiencën fizike në sallat e koncerteve. Por, duke qenë mendjehapur dhe kurioze për gjëra të reja, më në fund pranoi.
Përmes celularit, më 4 korrik ajo bëri interpretimin e parë “live”, nga një cep i shtëpisë së saj. Ajo përgatiti vepra që kishte luajtur shpesh në koncerte, por pas shfaqjes, reagimet nga publiku nuk ishin aq të mira sa priste.
Shen kërkoi ndihmë nga kolegët e saj më të rinj që kishin përvojë në “live streaming”, përpara se të bënte disa rregullime të shpejta dhe të ndryshonte pjesët që luante gjatë këtyre shfaqjeve.
Ajo përshtati këngë të njohura dhe bleu drita dhe mikrofona për performancat e saj në internet. Ajo gjithashtu hulumtoi dhe luajti muzikë që është më e pëlqyera nga të rinjtë dhe foli para audiencës për shkathtësinë e instrumentit të saj.
Instrumentistja e Yangqin-it Shen Xiangyang dha shfaqje interneti së bashku me muzikantët e rinj të Orkestrës Kombëtare Tradicionale të Kinës më 24 gusht 2022/ foto nga China Daily
“Ishte shumë sfiduese, sepse më dukej sikur po punoja si një ekip me një person. Madje s’më zinte gjumi para performancave të transmetimit të drejtpërdrejtë, pasi isha shumë nervoze”,- tha Shen, e cila zakonisht ka kolegë nga orkestra që e ndihmojnë për të ndezur dritat dhe për të kontrolluar foninë.
“Më duhet edhe të flas gjatë interpretimeve “online”, gjë që nuk e kam bërë kurrë në asnjë shfaqje në sallën e koncerteve”,- tha ajo.
Fillimisht, vetëm dy persona ndoqën interpretimin e saj “live”, por shpejt numri u rrit në më shumë se 800. Mesazhet që ajo mori nga audienca ishin inkurajuese dhe prekëse.
Shen tha se krahasuar me erhu-në apo pipa-n, yangqin-i nuk është për shijet e shumicës. Por interpretimet e saj internet u kanë mundësuar njerëzve që nuk e njihnin instrumentin të interesohen për të dhe tashmë janë të shumtë ata që kanë shfaqur interes për ta parë në sallat e koncerteve.
Një fanse i tha Shen se ajo mësoi të luante yangqin që në fëmijëri, por hoqi dorë pas disa vitesh. Ajo theksoi se iu rikthye interesi për instrumentin pasi pa shfaqjet “online” të Shenit.
E lindur në Changsha, kryeqendra e provincës Hunan, Shen pa për herë të parë një yangqin teksa kalonte një cep rruge pranë shtëpisë së saj kur ishte nxënëse e shkollës fillore. Ajo u tërhoq nga tingulli "i pastër dhe emocionues" i instrumentit.
Kur zbuloi se interpretuesja e yangqin-it në rrugë ishte një mësuese e re muzike në shkollën e saj, Shen u kënaq dhe vendosi ta mësonte instrumentin për argëtim, duke mos pritur kurrë që ta luante atë në mënyrë profesionale.
“Tani, jam e zënë me shfaqje në sallat e koncerteve dhe fansat e mi më lënë mesazhe duke më pyetur për planet e mia të transmetimit të drejtpërdrejtë. Nuk do ta ndaloj transmetimin “live”, pasi është një dritare për mua për t'u lidhur me fansat e rinj”,- tha ajo.
Zhao Cong, drejtorja e krye-instruementistja e Pipas-s e Orkestës Kombëtare Tradicionale të Kinës dha shfaqje interneti së bashku muzikantët e rinj në orkestër/ foto nga China Daily
Mendimi krijues
Për muzikantët e Orkestrës Kombëtare Tradicionale të Kinës, audienca e sallës së koncerteve është krejtësisht e ndryshme nga ato që shikojnë vetëm shfaqje “online”.
Li Chao, interpretuesi i erhu-së në orkestër, deklaroi se audienca që paguan për biletat e koncerteve është e përgatitur, por ajo “online” jo. Platformat e transmetimit të drejtpërdrejtë sfidojnë idenë e tyre për të prezantuar muzikën dhe instrumentet. Sipas tij, kjo gjë i frymëzon të jenë më krijues dhe të mendojmë jashtë kornizave.
Ndryshe nga Shen, Li, 32 vjeç, filloi të shikonte shfaqje të drejtpërdrejta pas përhapjes së pandemisë. Ai kishte disa ide për platforma të tilla, por nuk kishte dhënë kurrë një shfaqje në internet deri në korrik.
Që prej nisjes së punës në orkestër, në vitin 2012, Li ka fituar një bazë fansash. Kur ai startoi kanalin e tij në “Douyin”, duke postuar shfaqjet e drejtpërdrejta, mbështetësit e tij i panë performancat, duke e bërë atë të ndihej mirë dhe i relaksuar.
“Më mori pak kohë që të përshtatesha me të folurit dhe performancën, duke përdorur vetëm telefonin tim. Meqenëse audienca online është jashtëzakonisht spontane, më duhet të improvizoj. Për shembull, kur më kërkojnë të luaj një këngë pop, unë duhet të reagoj shpejt, ose ata ndalojnë së ndjekuri shfaqjen”,- tha Li.
Sipas tij, megjithëse muzika tradicionale kineze ka dëshmuar një ringjallje dhe ka fituar fansa të rinj, duhet ende kohë për t'u treguar njerëzve për këtë muzikë dhe instrumentet e përdorura për ta luajtur atë.
“Shumë njerëz tani luajnë instrumente tradicionale kineze në shfaqje të drejtpërdrejta. Ata veshin kostume të mrekullueshme dhe performojnë pjesë që i shërbejnë audiencës në internet”,- tha Li.
Sidoqoftë, kjo mund të mashtrojë audiencën për sa i përket asaj se çfarë janë në të vërtetë instrumentet muzikore tradicionale kineze. “Ne duam t'i japim audiencës muzikë autentike tradicionale kineze dhe t'i luajmë instrumentet tona për të shfaqur plotësisht tingujt që ata shpalosin”,- theksoi Li.
Interpretuesja e guzheng, Miao Qing, ishte ndër muzikantët e parë nga Orkestra Kombëtare Tradicionale e Kinës që nisi programet e transmetimit të drejtpërdrejtë. Në vitin 2017, së bashku me një grup muzikantësh të rinj, Miao performoi shfaqje të tilla në platformat e mediave sociale, duke luajtur erhu, flaut bambuje dhe ruan (një instrument me tela), me orkestrën dhe si soliste.
Me çdo shfaqje të drejtpërdrejtë që zgjat rreth dy orë, muzikantët fituan më shumë se 200.000 ndjekës brenda një viti.
Instrumentistja e Guzheng-ut Miao Qing dha shfaqje interneti / foto nga China Daily
Miao, 32 vjeçe, tha se të gjithë muzikantët e orkestrës tani i bashkohen programeve të transmetimit të drejtpërdrejtë, gjë që po e bën skenën shumë më të gjallë. “Si muzikantë, ne duam t'i ndajmë historitë tona me audiencën dhe t'u tregojmë atyre më shumë për instrumentet tona, të cilat zakonisht nuk mund t'i bëjmë në sallat e koncerteve. Platformat online dhe programet e transmetimit të drejtpërdrejtë na ofrojnë mundësinë për t'u afruar me audiencën”,- tha ajo.
Kur luan pjesë klasike me guzheng në sallat e koncerteve, Miao zakonisht vesh fustane të bukura, por për audiencën në internet, ajo vishet më thjesht.
Ajo zakonisht i fillon programet e saj në internet me disa pjesë të thjeshta për të tërhequr audiencën me aftësitë e saj verbuese. Ajo gjithashtu ndërvepron me ta duke iu përgjigjur pyetjeve dhe duke luajtur këngët që ata kërkojnë.
“Ashtu si disa muzikantë, unë fillimisht isha kundër transmetimit të drejtpërdrejtë, sepse isha mësuar të takohesha me audiencën time në sallat e koncerteve. Megjithatë, meqë turnetë u shtynë dhe sallat u mbyllën për shkak të pandemisë, shfaqjet “live” u zhvendosën në internet, që është një tendencë e pashmangshme”,- tha Miao.
Sipas “Douyin”, gati 2 milionë shfaqje të drejtpërdrejta me muzikë tradicionale kineze u shfaqën në platformë vitin e kaluar.
Këtë vit, numri u rrit në më shumë se 3 milionë deri në qershor, duke tërhequr mbi 6 miliardë shikime, pasi platforma ofroi mundësi të reja për muzikantët që kërkonin të siguronin jetesën nga performancat “live”.
Zhang Fuping, zv.president i “Douyin”, tha se “livestreaming” është bërë një format i ri që do të ketë një ndikim të madh në skenën muzikore tradicionale kineze, duke shtuar se këto shfaqje u ofrojnë muzikantëve të ardhura shtesë gjatë pandemisë.
Përveç pipa-s, erhu-së dhe suona-s (një instrument frymor prej druri), shfaqjet “online” kanë prezantuar instrumente jo aq të njohura në audiencë. Ato përfshijnë konghou, (një instrument i lashtë me shumë tela) dhe xun, (një flaut në formë vazoje, një nga instrumentet tradicionale më të vjetra të Kinës).
Zhang tha se me pjesëmarrjen e muzikantëve nga Orkestra Kombëtare Tradicionale e Kinës, programet në internet që paraqesin muzikë tradicionale kineze do të jenë shumë më profesionale dhe plot ngjyra.
Ai shtoi se “Douyin” gjithashtu planifikon të mbështesë përmes transmetimit të drejtpërdrejtë 1000 muzikantë kinezë që interpretojnë muzikë tradicionale.