“Lulëkuqe mbi mure” është një film epokal, një nga majat e piramidës së kinematografisë shqiptare, kompleks, i arrirë në të gjitha elementet. Filmi “Lulëkuqet mbi mure” mori shkas nga romani “Bonjakët”, shkruar nga Petraq Qafëzezi, botuar në vitin 1972. Petraq Qafëzezi është i njohur më së shumti në opinionin publik shqiptar si autor tekstesh dhe pjesëmarrës i të gjithë festivaleve në Radiotelevizionin Shqiptar. Por ajo që i dha më tepër famë, ishte romani i tij autobiografik “Bonjakët”, që shërbeu edhe si bazë e skenarit të filmit, i cili u bë shumë dashur për publikun. Romani i botuar në vitin 1972 fitoi çmim të parë në konkursin kombëtar të zhvilluar nga Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve në Tiranë.
Historia e filmit nisi, kur regjisori Dhimitër Anagnosti po kërkonte për një skenar të mirë filmi për filmin e ri. Në këtë kohë atij i vjen një propozim nga shkrimtari Vath Koreshi, i cili i sugjeroi që ta shihte me vëmendje romanin e Petraq Qafëzesit, “Bonjakët”, libër i cili kishte zgjuar interes tek lexuesi. Anagnosti e lexoi romanin dhe shprehu interesim për të, por skenari për filmin duhej të punohej nga e para. Nuk kaloi shumë kohë dhe skenari u bë gati. Në subjektin e tij, filmi flet për përpjekjet dhe ndihmën që dhanë debatikasit dhe të rinjtë shqiptarë në luftën kundër fashistëve italianë.
Aktori Timo Flloko ne rolin e mesuesit - foto imdb
Ngjarja zhvillohet në një nga jetimoret e Tiranës. Jetimët e strehës vorfnore, të ndodhur nën urdhërat e drejtorit dhe kujdestarit të tyre, detyrohen të pastrojnë netëve me radhë parullat anash mureve, që antifashistët shkruanin herë pas here kundër armikut. Katër shokë jetimë, Jaçja, Lelua, Bardhi dhe Tomi, njëri prej cilëve kishte lidhje me të riun antifashist Aliun, në shenjë proteste ndaj pushtuesit fillojnë të organizojnë fshehurazi plane kundër disa bashkëpunëtorëve të urryer, të cilët njiheshin si shërbëtorë e spiunë të fashistëve italianë. Dy prej tyre, të cilët ishin vënë dhe nën shënjestrën e komunistëve ilegalë, ishin drejtori i jetimores dhe kujdestari i saj. Të nxitur dhe nga atentati i kryer nga Aliu kundër një oficeri italian, jetimët bëhen të guximshëm dhe mendojnë se si mund të rrëzojnë kujdestarin e tyre tradhëtar nga shkallët e kapanonit ku flinin. Plani i organizuar prej tyre rezulton i suksesshëm. Një natë kujdestari i dehur nga pija nuk e sheh fijen e spangos që fëmijët e kishin lidhur në të dyja anët e shkallës dhe si pasojë rrëzohet dhe thyen krahun.
Drejtori i jetimores lajmëron italianët, me qëllim që t’i vinin në ndihmë e të bënin të mundur kapjen e organizatorëve dhe pjesëmarrësve. Por as kuislingët nuk ia arritën qëllimit, pasi të gjithë jetimët e marrë në pyetje heshtën. Heshti edhe Sulua, njëri nga gjashtë fëmijët e pastrueses së jetimores, i cili në të vërtetë nuk ishte jetim, por një i regjistruar gjoja si i tillë nga nëna e tij, pasi ajo nuk kishte mundësi ta ushqente. Jetimi Sulo, të cilin kujdestari e kishte vënë për të spiunuar shokët e tij, nga frika e presioneve të vazhdueshme përpiqet të kapërcejë natën murin e jetimores, por vritet me armë zjarri nga patrulla italiane. Kjo pikë përbën edhe pikën kulmore të filmit. Në përfundim, disa nga jetimët, më të rriturit në moshë, e braktisin jetimoren dhe hidhen në ilegalitet. I bashkohen grupit të debatikasve dhe luftës antifashiste për çlirimin e vendit nga pushtuesit italianë.
Akttori Kadri Roshi ne rolin e kujdestarit - foto imdb
Me këtë skenar, mes të nxehtit të muajit korrik, nisën xhirimet e filmit, të cilat më pas u montuan dhe duke shtuar muzikën edhe efektet, e plotësuan kuadrin e filmit. Hezitimi i parë nëse filmi do të mirëpritej apo jo, kaloi pasi komisioni përfundimtar dha verdiktin që filmi mund të shfaqej për publikun e gjërë. Filmi, skenat e të cilit ishin përjetuar vetë pikë për pikë nga autori i librit “Bonjakët”, Petraq Qafëzesi, erdhi i vërtetë dhe i dhëmbshur për publikun.
Filmi evokon,midis të tjerash, edhe aksionet e lëvizjes antifashiste që sapo kishte nisur në vend. Përshembull, elementi që përdoret në film, sipas të cilit banorët e qytetit ku ndodhej jetimorja, merrnin herë pas here fëmijë jetimë për dreka ose darka, ka një të vërtetë. Këtë fakt e ka mbështetur vetë autori i librit Petraq Qafëzezi si eksperiencë personale.
Poster i filmit - foto imdb
Rolin kryesor, atë të kujdestarit e interpreton i madhi Kadri Roshi, me rolin e kujdestarit. Në film interpreton edhe Agim Qiriaqi, në rolin e drejtorit të jetimores, një rol të cilin Qiriaqi e realizoi me shumë elegancë. Ndërkohë duhet përmendur aktori Timo Flloko në rolin e mësuesit. Mësuesi ishte një rol psikologjik, Anagnosti kërkonte të sillte atë që nuk ishte e dukshme, pak a shumë atë që kanë sot aktorët e metodës, sipas parimin të ajsbergut, që Flloku e solli me mjaft vërtetësi. Aty spikat mjeshtëria e tij aktoriale. Ka mbetur sidomos në mendje të spektatorit momenti kur Timo Flloko recitoi në një skenë ku fëmijët ndodhen në klasë, një fragment nga poezia “Anës lumenjve” të Fan Noli, të cilin e sjell me njaft vërtetësi, pa artifice të tepërta, por me një realizëm që bind. Pikërisht për këtë interpretim, Timo Flloko meritoi “Medaljonin e festivalit”, si aktori më i mirë, në Festivalin e filmit të vitit 1977.
Timo Flloko sjell në kujtimet e tij faktin që ndërsa xhirohej filmi, së bashku me Agim Qiriaqin e vinin në dyshim suksesin e filmit, duke e paragjykuar si film për fëmijë, të cilit nuk i dihej fundi. Suksesi i madh i filmit, fakti që ai i qëndroi të gjitha kohërave dhe që sot shihet me dëshirë dhe entuziazëm, tregon se zgjedhja e skenarit nuk ishte e gabuar.
Në film interpretojnë edhe një kast fëmijësh të talentuar, si Strazimir Zaimi, Enea Zhegu, Krenar Arifi, etj. Ndërkohë që kolona zanore e filmit u kompozuar nga Kujtim Laro mbi një temë origjinale. Filmi u nderua me medaljen e Artë në Giffoni, në Itali më 1985.
Prapaskenat e filmit - foto imdb
Neritana Kraja