Katari ndodhet në Gjirin Persik dhe ka klimë tropikale të shkretëtirës. Këtu sasia mesatare vjetore e reshjeve është vetëm 100 mm. Për të ngritur aftësinë e rezervimit dhe të furnizimit me ujë të vendit, si edhe për të siguruar ofrimin e ujit të pijshëm të mjaftueshëm gjatë organizimit të Kupës së Botës 2022 në futboll, Katari po ndërton 15 rezervuarët më të mëdhenj në botë të ujit në shkretëtirë, një pjesë e të cilëve janë kontraktuar nga një kompani kineze.
Projekti i rezervimit të ujit në Katar(Foto:CMG)
Në një tokë të zhveshur 70 kilometra në jug të kryeqytetit Doha, një projekt hidraulik është në zbatim e sipër. Kjo është pjesa jugore e Projektit të Rezervimit Strategjik të Ujit të Katarit. Projekti, që përfshin shkripëzimin, rezervimin, transportimin dhe shpërndarjen e ujit, nisi në prill të vitit 2015. Në kuadër të këtij projekti është edhe ndërtimi i 15 rezervuarëve super të mëdhenj në pesë zona të vendit. Ndër to, për fragmentin E, që mbulon dy rezervuarë, stacione pompimi, qendrën e kontrollit të cilësisë së ujit, sallën e gjeneratorëve, rrjetin e tubacioneve etj., përgjigjet gjiganti kinez i ndërtimit, Korporata "Gezhouba" e Kinës.
“Një nga rezervuarët është 305 metra i gjatë, 150 metra i gjerë e 11.3 metra i lartë dhe është më i madhi në botë. Kapaciteti i projektuar i tij është rreth 500 mijë metra kubë ujë, që mund të furnizojnë dy milionë banorë me ujë të pijshëm në ditë. Pasi të përurohen të gjithë rezervuarët, jo vetëm do të ngrihet aftësia e furnizimit me ujë e Katarit, por kjo do të ketë edhe rëndësi strategjike, sepse në raste të veçanta, si ndërprerja e burimeve të tjera ujore, këta rezervuarë mund të garantojnë furnizimin me ujë për shtatë ditë të të gjithë vendit”, tha z. Wang Shaohua, përgjegjësi i kompanisë për projektin në Katar.
Projekti i rezervimit të ujit në Katar(Foto:CMG)
Projekti që është marrë përsipër nga kompania kineze, mund të zgjidhë problemin e përdorimit të ujit të pijshëm për kryeqytetin Doha dhe qendrën industriale Umm Said, duke qenë edhe një garanci e rëndësishme për furnizimin me ujë të banorëve vendorë dhe të mbi një milion dashamirësve të futbollit që do të vijnë këtu për Kupën e Botës. Ndërtimi i një vepre të tillë në shkretëtirë është një provë e gjithanshme për kontraktorët, sepse këtu gjatë më shumë se gjysmës së vitit ka rreze të forta diellore, stuhi me rërë dhe temperatura të larta, ndërsa shpejtësia e erës arrin mbi 60 km/orë.
“Arsyeja pse mundëm ta fitonim këtë tender është se kishim përvojë të ngjashme në Lindjen e Mesme dhe niveli ynë teknologjik është i përparuar në botë. Megjithatë, kemi bërë edhe shumë risi për të zgjidhur problemet që hasëm. Për shembull, nëpërmjet ndryshimit të përpjesëtimit të elementeve, përftuam çimento cilësore, që plotësoi kriteret për t'i qëndruar mjedisit me klimë të thatë e të nxehtë të zonës së shkretëtirës,” shpjegoi z. Wang.
Zbatimi i teknologjisë së përparuar jo vetëm shkurtoi kohën e punës, por edhe garantoi cilësinë, duke pakësuar koston. Përveç kësaj, në zbatimin e projektit u promovua si ndërkombëtarizimi, ashtu edhe shtimi i punonjësve vendorë në përbërjen e stafit. Lidhur me këtë, drejtori i burimeve njerëzore i këtij projekti Maulvi Farooq i tha Grupit Mediatik të Kinës:
Menaxheri Wangshaohua(Foto:CMG)
“Kam punuar për më shumë se pesë vjet në këtë projekt. Jam promovuar nga një ndihmës në postin e përgjegjësit që merret me punët nga rekrutimi deri në menaxhimin e burimeve njerëzore. Niveli im profesional është ngritur në mënyrë të dukshme. Projekti ynë ka krijuar mbi 3000 vende pune për banorët vendorë dhe ata që vijnë nga vendet e tjera, duke ndihmuar në zhvillimin ekonomik vendor.”
Shumë pjesëtarë të huaj të stafit jo vetëm kanë pasur përparim në punë, por edhe janë bërë miq me kolegët kinezë.
“Është një eksperiencë e mrekullueshme. Kam njohur shumë miq kinezë, nga të cilët kam parë përgjegjësinë e veçantë të popullit kinez. Mendoj se kjo është e lidhur ngushtë me zhvillimin e shpejtë të Kinës. Nga puna me ta kam fituar shumë përvojë dhe kam njohur një kulturë të re. Në vitin 2019, si punonjës i shkëlqyer, vajta në Kinë. Gjithçka atje ishte shumë e bukur dhe më pëlqen Kina,” tha inxhinieri egjiptian Hady Siddiqui.
Tani ndërtimi po mbaron dhe po pret kontrollin përfundimtar. Kryekontrollori i projektit në terren i palës së Katarit Kalisa Lingam shprehu vlerësimin për punën e kompanisë kineze:
Stacion pompimi(Foto:CMG)
“Këto janë objektet më të rëndësishme të administrimit të ujit në Katar dhe projekti më i madh botëror i rezervuarëve të ujit. Duhej të nisnim ndërtimin në pesë krahina të vendit. Ndër to, pjesa për të cilën përgjigjet kompania kineze ka shpejtësinë më të madhe dhe cilësinë më të lartë të ndërtimit, duke kaluar të gjitha kontrollet e cilësisë inxhinierike, dhe deri tani nuk ka pasur asnjë problem. Mendoj se kompania kineze është më e mira”.(Zhang Yan/Artan)