Rezarta Gjika ka lindur e jetuar në Vlorë si dhe ka studiuar për ekonomi biznes në Universitetin e Vlorës. Ajo ka jetuar në Greqi për 10 vjet ku ka punuar si përkthyese e gjuhëve greqisht-shqip-anglisht. Pasi u largua nga Greqia, Rezarta u vendos në Suedi ku jetoi 2 vjet e punësuar si shofere në një kompani transporti.
Në një intervistë për Grupin Mediatik të Kinës Rezarta tregon se në vitin 1992 i ati ka hapur një autoshkollën Gjika në qytetin e Vlorës, që sipas saj ka qenë e para në Shqipëri. Atëkohë Rezarta ishte 5 vjeç dhe u rrit në këtë biznes familjar, që iu kthye në pasion, pavarësisht studimeve dhe pasioneve të tjera të saj.
Rezarta Gjika
CMG: Rezarta, sa vite ke që e ushtron këtë profesion?
Rezarta Gjika: Unë kam lindur instruktore. Në fakt makinën e kam mësuar që 5 vjeçe me volvot e autoshkollës në 1992 nga babai im dhe instruktore në zemër jam bërë që 10 vjeçe. Pastaj në terren që 15 vjeçe kur ndihmoja mësueset e mia dhe vajzat që vinin tek autoshkolla jonë në ato vite. Me dëshmi instruktori në fakt jam bërë sapo mbusha moshën dhe plotësova kriteret.
CMG: Pse vendose ta trashëgosh profesionin dhe jo të ndjekësh një drejtim tjetër?
Rezarta Gjika: Sepse është i pari që e ka hapur dhe dëshiroj ta trashëgoj brez pas brezi Sepse e kam aftësinë ta realizoj më së miri. Sepse dëshiroj t’i mbush rrugët me femra në timon. Sepse e dua femrën të pavarur dhe krenare. Sepse dua t’i jap mundësinë çdo femre shqiptare, në fshat apo qytet që prej xhelozisë së partnerit ndoshta as nuk e kishte ëndërruar veten në timon. Sepse…ka shumë arsye!
CMG: Ke pasur momente që mund të jesh ndjerë e paragjykuar në këtë profesion?
Rezarta Gjika: Jo, aspak nuk e kam ndjerë. Kam ndjerë veç admirim që në kohën kur numëroheshin dhe femrat që mësonin makinën. Nuk është tabu, por është një profesion që duhet ta duash shumë që ta bësh. Nuk besoj se mësohet, por është e lindur. Ndërthuret dashuria për drejtimin e mjetit me aftësinë didaktike për t’i mësuar të tjerëve ato që di vetë, dhe këtë jo të gjithë e kanë, aq me tepër që je në rrugë jo nëpër banka. Do edhe shumë guxim!
Unë patentën e kam marrë para 17 vjetësh kur kam mbushur moshën sipas rregullit, por makinën e kam mësuar 5 vjeçe me jastëk se nuk më arrinin këmbët.
CMG: Cila është motoja juaj në jetë?
Rezarta Gjika: Unë gjithnjë kam pasur një moto që të ndihmoj gratë. Nuk dua që të ketë pabarazi ndërmjet burrave dhe grave. Kam një slogan që është “Gratë në timon”. Patenta është e drejtë për të gjithë sipas një raporti mjekësor.
CMG: Më shumë femra apo meshkuj që i japin makinës?
Rezarta Gjika: Nëse do flisnim disa vite më parë do thoja meshkuj. Por, dukshëm ky rezultat është përmbysur tani. Ka po aq femra sa edhe meshkuj që i japin makinës. Vetëm unë kam patentuar një numër shumë të madh femrash.
Autoshkolla e familjes Gjika
CMG: Në drejtimin e një makine kush ka më tepër aftësi?
Rezarta Gjika: Meshkujt janë ata që e kanë instikt të drejtpërdrejtë, ndërsa femrat janë shumë të kujdeshme. Vërtet mund të kenë pasiguri, por e mësojnë gjithçka me mendimin e brendshëm për të qënë korrekte.
CMG: A ju përmbush ky profesion?
Rezarta Gjika: Po, sepse unë nuk dua që në familje apo shoqëri të ketë mungesë barazie. Gratë bëjnë gjithmonë përpjekje për t’ia dalë.
CMG: Çfarë mendimi keni për opinionin e krijuar se vajzat janë shofere të këqija?
Rezarta Gjika: Unë jam shumë feministe dhe e luftoj këtë përditë, ndaj dhe dashuroj punën që bëj sepse mendoj se ne jemi të afta ta bëjmë më së miri dhe madje me më shumë sukses, gjithçka. Sa i përket drejtimit të mjetit jemi shumë të kujdesshme siç e tregojnë edhe sondazhet se aksidentet e kryera nga femrat janë në përqindje shumë më të ulët.
Femrat në timon nuk bëjnë asnjë gabim sepse janë shumë të vëmendshme dhe të dëshiruara për të mësuar, por e vetmja gjë që na duhet t’iu aktivizojmë është inkurajimi, motivimi dhe shpresa se do t’ia dalin. Vijnë të tmerruara nga opinioni i rëndomtë i partnerëve se nuk do t’ia dalin dot.
Rezarta Gjika
CMG: Pse gabimet më të mëdha bëhen te parkimi? Cilat janë disa sekrete që ua mëson shoferëve të rinj?
Rezarta Gjika: Parkimi është bërë fobi sepse nuk dinë ta shpjegojnë edhe pse dinë vetë ta bëjnë. Me rregullore ka 3 manovra të cilat po t’i respektosh dhe me përpikmëri është parkim i sigurt. Unë nga ana ime dhe nga përvoja me kursante kam edhe metodat e mia për t’ua bërë sa më të lehtë. Si sekret mund të them zbatoni formulën, sepse nuk është rastësore apo dhunti. Duke respektuar 3 manovrat mund ta bëni edhe më mirë se ata që mendojnë se e dine, por e bëjnë me 20 manovra, ndërkohë që mjaftojnë veç 3.
CMG: Cila është këshilla juaj për shoferët e rinj?
Rezarta Gjika: Ne kemi moton “Kujdes në jetë dhe në mjet”. Ndaj, është shumë e rëndësishme që ato pesë mundësi që i jepen një shoferi të ri për të marrë patentën t’i shfrytëzojë dhe të mos paguajë për të qënë shofer sepse dëmet do të jenë më pas tepër të mëdha. Nuk duhet hequr kurrë përqëndrimi sepse atëherë kur fiton siguri fillon të bësh gabime. Makina do vëmendjen më të madhe.
Intervistoi: Megi Latifi