Wang Yi takohet me Henry Kissinger-in
2022-09-20 17:59:14

Foto nga Chinese Foreign Ministry

Foto nga Chinese Foreign Ministry

Ministri i Jashtëm kinez Wang Yi tha të hënën se përparësia më e ngutshme për Kinën dhe ShBA-në është që të trajtojnë siç duhet çështjen e Tajvanit, duke paralajmëruar se menaxhimi i gabuar i këtij problemi do të ketë një ndikim shkatërrues mbi marrëdhëniet dypalëshe.

Gjatë një takimi në Nju-Jork me ish-sekretarin amerikan të Shtetit Henry Kissinger, kryediplomati kinez theksoi gjithashtu se vizita e kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve të ShBA-së Nancy Pelosi në rajonin e Tajvanit, shqyrtimi nga Senati i "Projektligjit të politikës lidhur me Tajvanin për vitin 2022" dhe deklarimi për "mbrojtjen" e Tajvanit nga pala amerikane, sfidojnë rëndë që të gjitha tre komunikatat e përbashkëta kino-amerikane dhe minojnë themelet politike të marrëdhënieve dypalëshe.

Wang Yi tha se aspirata më e madhe e palës kineze është të arrihet ribashkimi paqësor i vendit dhe ajo do të bëjë të gjitha përpjekjet për këtë.

"Megjithatë, duhet parë se, sa më të shfrenuara bëhen forcat e 'pavarësisë së Tajvanit', aq më shumë zvogëlohet mundësia e  zgjidhjes paqësore të çështjes së Tajvanit," paralajmëroi Wang.

Henry Kissinger mori pjesë në hartimin e Komunikatës së Shangait ndërmjet Kinës e ShBA-së 50 vjet më parë. Ai tha se Uashingtoni e Pekini duhet të synojnë dialogun e jo kundërvënien dhe duhet të ndërtojnë marrëdhënie dypalëshe të bashkëjetesës paqësore. (Fani/Artan)