Përmirësohet situata energjetike në kaskadën e HEC-eve të Drinit
2022-09-20 11:26:45

Kaskada e lumit Drin (Foto Shqiptarja.com)

Kaskada e lumit Drin (Foto Shqiptarja.com)

Reshjet e ditëve të fundit në veri të Shqipërisë kanë përmirësuar disi situatën hidrike në kaskadën e HEC-eve të Drinit, njofton Korporata Elekroenergjetike Shqiptare.

Nivelet e liqeneve të tre hidrocentraleve kryesore që mbajnë peshë në prodhimin e energjisë elektrike kanë pësuar rritje.

Në raport me situatën para reshjeve Fierza është rritur afërsisht me dy metra ndërsa rritja në Koman shkon në afërsisht 1 metër dhe në Vaun e Dejës kjo rritje është më modeste.

Sipas KESH-it, prodhimi ditor në të tre HEC-et është 14.760 MWh. Kjo sasi energjie është pak më shumë se 2/3 e nevojës për konsum në vend.

Falë përmirësimit të lehtë të situatës hidrike në kaskadë është rritur edhe rezerva energjetike në 483 GWh nga 440 GWh që ishe para reshjeve.

Aktualisht çmimet në Bursën Hungareze që shërben edhe si referencë për tregun shqiptar kanë pësuar një ulje graduale. (Fatosi)