Guvernatori Sejko: Ekonomia shqiptare do të vijojë rritjen pavarësisht inflacionit të lartë
2022-09-20 11:43:42

Guvernatori i Bankes se Shqiperise Gent Sejko (Foto Banka e Shqiperise)

Guvernatori i Bankes se Shqiperise Gent Sejko (Foto Banka e Shqiperise)

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko ka deklaruar se ekonomia shqiptare pritet të shënojë rritje në vitin 2022 e më tej, duke dëshmuar gjerësinë dhe soliditetin e burimeve të rritjes, qëndrueshmërinë e mbështetjen e sektorit financiar, si dhe fleksibilitetin e sektorit privat.

Gjatë një takimi me zëvendësdrejtorin e përgjithshëm të Fondit Monetar Ndërkombëtar, Bo Li, guvernatori Sejko vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera të bashkëpunimit midis Bankës së Shqipërisë dhe FMN-së. Ai tha se ato kanë qenë një mbështetje e vazhdueshme për hartimin e reformave ekonomike dhe financiare të vendit dhe sidomos për zbatimin e reformave të nevojshme për konsolidimin e sistemit bankar shqiptar.

“Në përmbushje të mandatit të saj kryesor, Banka e Shqipërisë ka vijuar procesin e normalizimit të politikës monetare. BSH-ja mbetet e gatshme të ndërhyjë në kohën dhe me forcën e duhur për të garantuar stabilitetin e çmimeve në vend, duke krijuar kushte të përshtatshme për rritjen e qëndrueshme dhe afatgjatë të ekonomisë shqiptare”,- u shpreh Sejko.

Zëvendësdrejtori i përgjithshëm i FMN-së, Bo Li, theksoi se vitet e fundit, Shqipëria është përballur me tre goditje të forta të njëpasnjëshme si tërmeti i vitit 2019, pandemia mbarëbotërore dhe rritja e theksuar e ҫmimit të energjisë dhe ushqimeve. Por, sipas tij, vendi ka vazhduar progresin, falë edhe masave mbështetëse dhe koordinimit përkatës të autoriteteve kryesore në vend për të kufizuar në kohë efektin e këtyre goditjeve.

Më tej, Li nënvizoi se pavarësisht sfidave botërore dhe efekteve të tyre lokale, Shqipëria duhet të vazhdojë rrugën e reformave të mëtejshme me qëllim adoptimin dhe përafrimin me standardet e BE-së.

Forcimi i institucioneve, përmirësimi i qeversisjes dhe përputhshmëria me standardet më të mira ndërkombëtare mbeten kushte thelbësore për zbatimin e reformave dhe arritjen e këtyre objektivave. (Fatosi)