Të hënën u hap për median "IAA Transportation" për vitin 2022, ekspozita më e madhe e makinave komerciale, si dhe ekspozita më e vjetër gjermane. Pavarësisht krizës së tanishme energjetike, organizatorja, Shoqata Gjermane e Industrisë së Automjeteve (VDA), ende shpreson që, nëpërmjet ekspozitës, të shfaqë vazhdueshmërinë dhe gjallërinë e fuqishme të industrisë së automjeteve.
Produkte në ekspozitën IAA Transportation 2022(Foto:VCG)
Sipas një sondazhi të kryer ditët e fundit nga VDA-ja, rritja e ndjeshme e kostos së karburantit ka pasur një ndikim të madh mbi ndërmarrjet në zinxhirin e furnizimit të automjeteve. 95 % e kompanive gjermane pjesëmarrëse në sondazh u shprehën se çmimet e energjisë elektrike janë shumë të larta, ndërsa 81 % pohuan se po përballojnë trysni të mëdha nga çmimi i gazit natyror. Po ashtu, kostoja e energjisë është rritur 50 % për më shumë se gjysmën e ndërmarrjeve, kurse për 41 % madje është dyfishuar. Ndërkohë, mbi dy të tretat e kompanive të përfshira në sondazh parashikojnë se kostoja e energjisë do të vijojë të rritet në vitin 2023.
Ekspozita "IAA Transportation" këtë vit do të zhvillohet nga 20 deri më 25 shtator dhe në të marrin pjesë mbi 1400 kompani nga 42 vende të botës që prodhojnë makina transporti të rënda dhe të lehta, autobusë, makina të posaçme, pjesë këmbimi etj. Megjithëse kriza energjetike ka krijuar pengesa për realizimin e objektivit të asnjanësimit të karbonit, ulja e lëshimit të karbonit dhe zhvillimi i ekonomisë së gjelbër janë të pandashme nga elektrifikimi i makinave. Prandaj, vazhdueshmëria e transportit është fokusi i produkteve të paraqitura nga pjesëmarrësit në edicionin e sivjetshëm të ekspozitës.
Pavijoni i Maxus-it në IAA Transportation 2022(Foto:CMG)
Kompanitë kineze, me produktet dhe teknologjitë e tyre të fundit, nuk bëjnë përjashtim. Kryemenaxheri për rajonin e Evropës i kompanisë kineze të prodhimit të makinave "Maxus", Chu Shijun, u shpreh se, si vendlindja e industrisë së automjeteve dhe tregu i dytë në botë për makinat me energji të reja, Europa është një zonë e rëndësishme e globalizimit të kompanisë.
“Kjo është hera e dytë që kompania jonë merr pjesë në këtë ekspozitë. Do të paraqesim këtu kamionçinat elektrike, kamionët e lehtë elektrikë dhe të ashtuajturat automjete shumëqëllimëshe (MPV) elektrike. Kemi krijuar disa pika shitjeje në Gjermani dhe shpresojmë që, me këtë rast, të gjejmë më shumë shpërndarës. Megjithëse situata e krizës energjetike në Gjermani është serioze, produktet tona kanë epërsi në krahasim me produktet e konkurrentëve. Për shembull, për bateritë, motorin dhe kontrollin elektronik, jemi të përparuar në krahasim me produktet e 'Ford'-it. Prandaj, shpresojmë që sivjet në ekspozitë të njohim më shumë kompani shpërndarëse, për të thelluar tregun tonë në Europë,” u shpreh Chu.
Pavijoni i CALT-it në IAA Transportation 2022(Foto:CMG)
Presidenti ekzekutiv i biznesit jashtë vendit të baterive për automjetet komerciale të gjigantit kinez të baterive CALT, Li Xiaoning, është i mendimit se elektrifikimi i automjeteve po përshpejtohet në Europë. Si prodhuese udhëheqëse në sektorin e baterive të automjeteve, CALT është në gjendje të ofrojë zgjidhje të teknologjisë të lartë në favor të përshpejtimit të këtij procesi.
“Këtë herë sollëm projekte të zgjidhjes së gjithanshme të baterive për automjetet komerciale. Së pari është risia strukturore e baterive tona nga C në P dhe nga M në V; së dyti, është bateria jonë natrium-jon; së treti, është modeli ynë i ndërrimit të baterive EVOGO. Shpresojmë që këto tre produkte e teknologji mund të nxisin shfrytëzimin në Europë të energjisë së re për transport, duke dhënë kontributin tonë për arritjen e objektivit të asnjanësimit të karbonit në Europë. Pjesëmarrja jonë në ekspozitën e kësaj here, me produktet dhe risitë tona teknologjike, synon çeljen e një epoke të lirisë energjetike së bashku me partnerët tanë,” tha z. Li.(Zhang Yan/Artan)