Ekipi kinez i misionit në Mars "Tianwen-1" fiton çmimin më të lartë të astronautikës
2022-09-20 17:42:51

Foto nga CAST

Foto nga CAST

Ekipit të zhvillimit të anijes hapësinore kineze "Tianwen-1" iu dha Çmimi Botëror i Hapësirës, çmimi më i lartë nga Federata Ndërkombëtare Astronautike (IAF), në Kongresin e 73-të Ndërkombëtar të Astronautikës të mbajtur në Paris të Francës, bëri të ditur të hënën Korporata Kineze e Shkencës dhe e Teknologjisë Hapësinore.

Ekipi "ofroi një alternativë inovative për eksplorimin e suksesshëm të Marsit" e dha "kontribute të jashtëzakonshme" në përparimin e teknologjisë së eksplorimit të hapësirës së thellë, theksoi IAF-i.

Sonda "Tianwen-1" përbëhet nga një orbitues, një zbritës dhe një rover. Ajo u nis më 23 korrik 2020 dhe zbriti në zonën e parazgjedhur të uljes në Utopia Planitia, një pllajë e madhe marsiane, më 15 maj 2021, duke shënuar herën e parë që një sondë kineze ulet në "planetin e kuq".

Çmimi Botëror i Hapësirës është çmimi më prestigjioz i Federatës Ndërkombëtare Astronautike. Ai u jepet shkencëtarëve që kanë pasur një ndikim të jashtëzakonshëm në përparimin e veprimtarive hapësinore botërore nëpërmjet kontributit të jashtëzakonshëm në shkencën, teknologjinë, mjekësinë, ligjin ose menaxhimin e hapësirës.

Kjo është hera e dytë që një ekip astronautik kinez nderohet me Çmimin Botëror të Hapësirës. Në korrik 2020, çmimi u fitua nga tre shkencëtarë të ekipit të misionit të zbritjes në Hënë të Kinës "Chang' e-4". (Artan/Fani)