Të ardhurat nga remitancat arrijnë në nivelin më të lartë që nga 2010-a
2022-09-20 14:05:48

Banka e Shqiperise (Foto Telegraf.al) (1)

Banka e Shqiperise (Foto Telegraf.al) 

Emigrantët dërguan në shtëpi 376 milionë euro gjatë periudhës janar-qershor 2022, thuhet në bilancin e pagesave të Bankës së Shqipërisë, një rritje prej 10.6% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Ky është niveli më i lartë i remitancave që nga viti 2010.

Të ardhurat e emigrantëve kulmuan nga viti 2000, kur të ikurit e viteve ‘90 u stabilizuan dhe filluan të dërgonin para në shtëpi deri në vitin 2009.

Më pas filloi trendi rënës i tyre, që ishte i lidhur me ciklin e emigracionit, ku të ikurit pas një periudhë prej 10-15 vjeçare fillojnë e i shkëpusin lidhjet gradualisht më vendin mëmë.

Sipas ekspertëve, kjo prirje lidhet me rigjallërimin e emigracionit, pasi një pjesë e popullsisë vijon të emigrojë.

Për më tepër vala e re ka përfshirë punonjës me pozicione të mira pune si mjekë, infermierë, apo specialistë të teknologjisë së informacionit.

Sipas Eurostat-it në vitin 2021 janë dhënë 55.2 mijë leje qëndrimi për shtetasit shqiptarë në një nga vendet e BE-së. (Fatosi)