Inteligjenca artificiale, Kina renditet në vendet e para të botës për inovacionin teknologjik
2022-09-20 17:05:36

Foto:VCG

Foto:VCG

Inteligjenca artificiale (AI) është një sektor në zhvillim të shpejtë dhe ka ruajtur një prirje zhvillimi të vrullshëm në Kinë, posaçërisht pas nisjes së projektit “Qendrat e të dhënave në Perëndim plotësojnë nevojat e përllogaritjes të Lindjes”, që synon të ngushtojë hendekun ndërmjet Lindjes e Perëndimit të Kinës për sa u përket burimeve informatike. Sipas të dhënave përkatëse, ky projekt mund të stimulojë 400 miliardë juanë investime në vit.


Krahas investimeve në infrastrukturën përkatëse, si qendrat e të dhënave dhe platforma cloud, Kina ka bërë përpjekje të pandërprera në përgatitjen e talenteve profesionale, duke rritur numrin e tyre. Në renditjen e fundit globale të inovacionit, Kina zë vendin e 2-të të botës.

 

Gjigant teknologjik në rritje

 

Dhjetë vendet kryesore të botës për sa i përket inteligjencës artificiale zotërojnë 9 020 kompani të këtij sektori, duke zënë 82.97 % të numrit të përgjithshëm të të gjitha vendeve të përfshira në renditje. Për sa i përket renditjes së kompanive të inteligjencës artificiale të regjistruara në bursë, ShBA-ja, Kina dhe Kanadaja ndodhen në tre vendet e para, me përkatësisht 63, 60 dhe 12 kompani të tilla.

 

Në raportin e Treguesit Global të Inovacionit në Inteligjencën Artificiale për vitin 2021, të publikuar nga Instituti i të Dhënave Shkencore dhe Teknologjike i Kinës, thuhet që tani zhvillimi i inteligjencës artificiale në  botë tregon gjendjen e udhëheqjes nga ShBA-ja e Kina dhe të konkurrencës së ashpër nga vendet e zhvilluara. Kina tani është futur në grupin e vendeve të para për sa u përket risive në inteligjencën artificiale, duke zvogëluar më tej hendekun me ShBA-në, ndërsa vendet e tjera, si Koreja e Jugut, Britania, Kanadaja, Gjermania, Japonia e Franca, kanë epërsitë e karakteristikat e veta dhe janë në konkurrencë të ashpër.

 

Në këtë raport, 46 vendet e përfshira në renditje janë ndarë në katër kategori. ShBA-ja dhe Kina janë në kategorinë e parë, kurse në kategorinë e dytë janë përfshirë nëntë vende, si Koreja e Jugut dhe Britania. Ndërkohë, në kategorinë e tretë janë 13 vende, si Suedia e Luksemburgu, ndërsa në të katërtën 22 vende, përfshirë Indinë dhe Rusinë.

 

Për tre vjet me radhë, ShBA-ja renditet në vendin e parë të botës për risitë në fushën e inteligjencës artificiale dhe Kina për dy vjet me radhë ndodhet në vendin e dytë.

 

Duke folur për këtë raport, drejtori i Institutit të të Dhënave Shkencore dhe Teknologjike të Kinës, Zhao Zhiyun, u shpreh që Kina ka pasur zhvillim të shpejtë në inteligjencën artificiale dhe niveli i përgjithshëm i këtij sektori është në rritje të pandërprerë. Sipas tij, në vitin 2020, numri i projekteve të burimeve të hapura i Kinës ishte 139, ndërsa vitin e kaluar u rrit në 158. Për disa vjet me radhë, numri i qendrave superkompjuterike të Kinës renditet në vendin e parë të botës. Deri në qershor 2021, 188 qendra superkompjuterike të Kinës ishin përfshirë në listën e 500 qendrave të tilla kryesore të botës, duke zënë vendin e parë në botë me 37.6 %.

 

Duke përmendur raportin e Treguesit Global të Inovacionit në Inteligjencën Artificiale për vitin  2022, përgjegjësi i ekipit të hartimit të raportit dhe zv.drejtori i përhershëm i Qendrës së Studimit të Inteligjencës Artificiale pranë Institutit të të Dhënave Shkencore dhe Teknologjike të Kinës Xu Feng u shpreh që raporti i sivjetshëm ka pasur ndryshim të dukshëm nga të mëparshmit. “Në raportet e dy viteve të para, në kategorinë e parë ishte vetëm ShBA-ja. Ndërsa sivjet kemi përllogaritur tregues kompleksë dhe Kina është futur në kategorinë e parë të botës,” thotë Xu Feng.

 

Më shumë kërkesë për talente profesioniste

 

Përveç investimeve në infrastrukturën bazë, Kina ka bërë përpjekje të pandërprera edhe në përgatitjen dhe tërheqjen e talenteve profesioniste.

 

Sipas raportit të vitit 2022, 10 vendet e para në treguesin e talenteve të inteligjencës artificiale janë përkatësisht: ShBA-ja, Singapori, Kina, Letonia, Izraeli, Britania, Luksemburgu, Vietnami, Gjermania dhe Belgjika. Amerika Veriore dhe Europa janë rajonet kryesore ku janë të përqendruara talentet profesioniste të inteligjencës artificiale. Për numrin absolut të studiuesve të nivelit të lartë, Kina dhe ShBA-ja renditen në dy vendet e para, me 1598 dhe 1483 të tillë. Por Kina ende ka nevojë të përmirësojë më tej përqindjen e pjesëmarrjes së grupit të studiuesve të nivelit të lartë.

 

Xu Feng u shpreh që, në vitet e fundit, Kina ka shtuar përpjekjet mbi përgatitjen dhe tërheqjen e talenteve dhe numri i tyre është në rritje të pandërprerë. Për shkak që ky është një sektor i ri, cilësia e përgjithshme e tij ende ka dallim me vendet e zhvilluara, si ShBA-ja, posaçërisht lidhur me studiuesit e nivelit të lartë të inteligjencës artificiale.

 

Në këtë raport thuhet që Kina ende ka nevojë të ngrejë nivelin e saj në arsimin bazë të inteligjencës artificiale, si matematika, fizika dhe neuroshkenca. Nga ana e nivelit të shkollave të larta, Kina ende ka hendek me ShBA-në në degët bazë të inteligjencës artificiale. Edhe pse numri i punëmarrësve në sektorin e inteligjencës artificiale i Kinës renditet në vendin e dytë në botë, përqindja e pjesëmarrjes për çdo 10 mijë punonjës në këtë sektor nuk është mjaft e lartë.

 

Sipas statistikave të raportit, deri në shtatorin e vitit të kaluar numri i ndërmarrjeve të inteligjencës artificiale në ShBA arriti në 4664, teksa në Kinë ishte 880. Ndërmarrjet kineze që merren me inteligjencën artificiale kanë thithur gjithsej 46.2 miliardë dollarë amerikanë investime, duke u renditur në vendin e dytë në botë, ndërsa niveli i financimit mesatar për çdo ndërmarrje të inteligjencës artificiale është 53 milionë dollarë amerikanë, që është i pari në botë. (Jiang Lei)