Energjia e rinovueshme zgjedhje për të shmangur shpenzimet e mëdha të energjisë elektrike
2022-09-20 10:41:59

Situata energjetike në Shqipëri është shumë e vështirë dhe pritet që në të ardhmen të ketë probleme. Energjia e rinovueshme shihet prej vitesh si një shpëtim, duke u përdorur nga vendet e zhvilluara. Kristian Sevdari, doktorant për energjitë e rinovueshme flet për përdorimin e energjisë së rinovueshme në Shqipëri. Sa kapacitet ka  Shqipëria për të përdorur energjinë diellore dhe jo vetëm?  Çfarë do të sjellë energjia e rinovueshme?  A është zgjedhja e së ardhmes?

 

Energji-e-erinovueshme (Foto monitor.al)

Energji-e-erinovueshme (Foto monitor.al)

“Dua të përgjigjem me adresimin që i bëri presidentja Von Der Leyen në Komisionin Europian. Ajo tha se pak vizionarë e kuptuan se problemi i vërtetë ishin hidrokarburet dhe jo çmimet e hidrokarbureve dhe në vitin 1970 kur kriza e hidrokarbureve zuri botën Danimarka filloi të investonte fuqishëm në industrinë e erës. Nga 1970 ata vunë themelet se çfarë është sot lidershipi global në këtë sektor ku Danimarka ka kompanitë më të mëdha në industrinë e erës dhe krijuan mijëra vende pune. E mori si shembull Danimarkën për të thënë se kjo është rruga që duhet të ndjekim ne si europianë. Deri në 1970 ky shtet ishte prodhues hidrokarburesh kryesisht në offshore dhe ky ndryshim ekonomie erdhi si pasojë e vizionarëve në industri dhe politikëbërje. Von der Leyen tha se duhet të jemi të gjithë bashkë dhe të shohim të mirën e mundshme në këto situata” , u shpreh eksperti.

 

Eksperti Kristian Sevdari (Foto personale)

Eksperti Kristian Sevdari (Foto personale)

Ai nënvizoi se energjia që duhet të përdorim si shoqëri në vitet e ardhshme duhet të ndikojë sa më pak në ngrohjen globale.

 

“Në taksonominë e publikuar së fundmi nga Komisioni Europian përfshihen të gjitha ekonomitë që kanë ndikim të pakët në atmosferë  kundrejt emetimit të karbonit. Kjo është shumë e rëndësishme pasi energjia që duhet të përdorim si shoqëri në vitet e ardhshme të ndikojë sa më pak në ngrohjen globale dhe të vendosë në kontroll ndryshimet klimaterike. Në këtë industri përfshihen energjia solare, fotovoltaike, e erës dhe nukleare. Për këtë të fundit ka shumë qëndrime kontradiktore pa konsensus, ndërsa për tre të tjerat ka shumë si dhe investime të mëdha.  Midis vendeve ka dhe marrveshje për të ndërtuar ishuj energjitikë në Detin e Veriut dhe projekti më i madh që ekziston do të ndërtohet nga Danimarka në mënyrë që të mbledhë energjin në turbinat e erës në det dhe më pas ta transmetojë në kontinentin europian në formën e një elektriciteti. Pra është kjo lidhja ndërsektoriale që vjen nga energjitë e rinovueshme dhe elektrifikimi i komplet sistemit industrial dhe rezidencial të ngrohjes.”, tha Sevdari

 

Energji e rinovueshme (Foto monitor.al)

Energji e rinovueshme (Foto monitor.al)

Sa kohë do t’i duhet Shqipërisë të ketë 100% energji të tillë ?

 

“Në ambientin shqiptar për të patur 100% energji të rinovueshme nuk do të ishte e largët. Ne deri tani kemi energji të rinovueshme prej hidrocentraleve në masën 70%. Kur kemi një vit me reshje mund të mbulojmë edhe më shumë. Problemi më i madh i yni është diversifikimi i këtyre resurseve dhe opsioni më i mirë që ne kemi si shtet është përdorimi i hidrocentraleve për të kompesuar energjinë e erës apo të diellit. Sfida më e madhe që kemi për energjinë e erës është vështirësia për ta planifikuar, sepse kur mendojmë për energjinë sistemi duhet të jetë i balancuar pra konsumi dhe gjenerimin që prodhojmë. Prandaj është shumë e vështirë të bësh parashikime ndaj ato kanë nevojë për fleksibilitet, i cili vjen prej resurseve.”, vuri në dukje eksperti.

 

Shtetet e Europës janë ato tek të cilat edhe vendet e tjera mbështeten për të vepruar më tej, por si po veprojnë aktualisht këto vende?

 

“Investimet në sektorin energjitik nuk ndikohen nga vlerat, por nga ekonomia e tregut. Kjo ekonomi ka arritur në pikën që energjitë e rinovueshme ai ajo e erës janë opsionet më të lira në industrinë energjitike dhe ky fakt po shtyn kompanitë e mëdha të investojnë. Shtetet europiane po krijojnë hapa për të investuar në sektorin energjitik duke krijuar rrjet, harta dhe duke trajnuar universitetet për këtë kohë të re që do të jetojmë. Sistemi arsimor po pëson një kthesë pasi duhet të ndryshohet kurrikula apo përqasja ndaj teknologjisë së re. Kjo është shumë e rëndësishme dhe për në Shqipëri pasi kurrikulat duhet të ndryshohen”, vuri në dukje ai.

 

Energjia Diellore (Foto monitor.al)

Energjia Diellore (Foto monitor.al)

Në këtë situatë a do të mundet bota të furnizohet vetëm nga energjia e rinovueshme?

 

“Nëse mundet bota të furnizohet nga energjia e rinovueshme dhe  ka disa përgjigje të cilat nuk janë totalisht përfundimtare. Secili nga ne që meret me kërkim shkencor mundohemi t’i japim një përgjigje. Mendohet se po, por që të arrihet kjo duhet të shfrytëzohen të gjitha degëzimet e energjisë së rinovueshme. Që të jemi 100% energji e rinovueshme gjëja më e rëndësishme është rrjeti energjitik. Nuk ka problem më të madh sesa ndërtimi i tij dhe ky është një ndër problemet që Europa po e sheh prej 50 vitesh tashmë. Prandaj rrjeti është pika më nevralgjike. Ky rrjet është sistemi më i madh që ka krijuar njeriu. Mendohet që e gjithë bota do jetë në një rrjet të quajtur supergrid.”, përfundon eksperti Kristian Sevdari, doktorant për energjitë e rinovueshme.