Zëdhënësi: Kina do të hapet më tej
2022-09-20 17:49:35

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kinës Wang Wenbin u shpreh në një konferencë shtypi të martën se, në të ardhmen, dera e hapur e Kinës nuk do të mbyllet, por përkundrazi, do të hapet më tej.

Sipas të dhënave të raportit për sukseset e zhvillimit ekonomik e shoqëror të Kinës pas Kongresit të 18-të të PKK-së, të hartuar nga Zyra Kombëtare e Statistikave, nga 2013-a deri në vitin e kaluar, PBB-ja kineze u rrit mesatarisht 6.6% në vit, duke e kaluar nivelin mesatar të rritjes botërore dhe të rritjes së ekonomive në zhvillim përkatësisht me 2.6% e 3.7%.

"Në vitin 2021, përpjesëtimi i vëllimit të përgjithshëm të ekonomisë kineze në ekonominë botërore arriti në 18.5 %, shifër kjo 7.2 % më e lartë se në vitin 2012. Gjatë dekadës së fundit, kontributi mesatar i Kinës për rritjen ekonomike botërore e ka kaluar 30 %, duke zënë vendin e parë në botë. Kjo tregon se Kina është stabilizuesja dhe burimi i energjisë për rritjen ekonomike botërore," tha Wang Wenbin. 

Ai shtoi se vitet e fundit, globalizimi ekonomik ka hasur pengesa, janë shtuar unilateralizmi e proteksionizmi dhe si pasojë, ekonomia botërore ka rënë në vështirësi. Përballë këtyre vështirësive e sfidave, Kina i përmbahet hapjes e bashkëpunimit me përfitime të përbashkëta.

 "Ne i përmbahemi hapjes më të gjerë, promovojmë tregtinë dhe lirinë e investimeve dhe vijojmë të krijojmë me mjedis biznesi të ligjshëm e të ndërkombëtarizuar mbi bazën e tregut, me qëllim që tregu kinez të bëhet tregu i botës, duke promovuar rimëkëmbjen e ekonomisë botërore. Në të ardhmen, dera e hapur e Kinës nuk do të mbyllet, por përkundrazi, do të hapet më tej. Kina dëshiron të punojë së bashku me vendet e ndryshme të botës, për t'iu përmbajtur frymës së hapjes e të përfitimeve të përbashkëta dhe për të zgjeruar bashkëpunimin në të gjitha fushat, duke ndarë me vendet e ndryshme mundësitë e sjella prej zhvillimit të Kinës," theksoi  zëdhënësi i diplomacisë kineze. (Fani/Artan)