Xhoni Kasa ose siç njihet për publikun Jonny Broda është një DJ dhe producent që ka luajtur muzikë në skenën italiane dhe ndërkombëtare. Ai ka lindur në Shqipëri, dhe me vonë u largua në Itali, ku i dha dorë të lirë pasionit të tij, muzikës tekno. Në Romë ai ndoqi Akademinë Kombëtare të Dj dhe Mixers për 3 vjet dhe në vitin 2018 publikoi albumin e tij të parë, i cili ka pasur mjaft sukses. Më vonë, disa klube në Romë, madje edhe mjaft të njohura, e vënë re dhe e kontaktojnë për evenimente muzikore. Xhoni filloi të luajë në Atlantic Live, në Raspoutine dhe në klube të tjera të natës në Romë. Sot ai është duke punuar në projekte të shumta, por gjithmonë me të njëjtën dëshirë për t'u afirmuar në skenën botërore.
Në një intervistë për Grupin Mediatik të Kinës (CMG) Xhoni tregon për rrugëtimin e tij muzikor si dhe integrimin në Itali.
CMG: Ju jeni larguar nga Shqipëria në një moshë fare të vogël për në Itali. Na flisni për largimin nga Shqipëria dhe integrimin në Itali.
Album muzikor i Xhoni Kasa (Jonny Broda), (foto personale)
Xhoni Kasa: Unë kam ikur nga Shqipëria në moshën 11 vjeçare dhe kam ardhur direkt në Itali, duke pasur gjithmonë ëndrrën për t’u bërë producent dhe DJ të niveleve ndërkombëtare dhe ngapak jemi duke e arritur edhe pse kemi akoma rrugë për të bërë. Përsa i përket integrimit, nuk ka qenë aspak i thjeshtë sepse gjuha është gjëja më e vështirë për t’u mësuar, ku në një moshë të re ishte pak e thjeshtë dhe me kalimin e kohës arrita ta mësoja më mirë. Fatmirësisht tani e flas shumë mirë gjuhën, duke studiuar gjithmonë nëpër shkolla, duke frekuentuar edhe disa kurse, arrita në radhë të parë të mësoja gjuhën dhe të integrohesha dhe më pas të vazhdoja më kurset e muzikës këtu në Itali.
CMG: Romën kishit si destinacion të mbërritjes që në fillim?
Xhoni Kasa: Si qytet kryesor ka qenë gjithmonë Milano sepse arti shkon më shumë në atë qytet, por mundësitë për të shkuar ishin në Romë.
CMG: Kush ju ka mbështetur në fillimet tuaja në rrugën e artit?
Xhoni Kasa: Duke frekuentuar gjithmonë kurse të ndryshme, unë kam pasur gjithmonë menaxher mbas vetes që më ka ndihmuar gjithmonë me kontakte. Mund të them që mbështetja ka ardhur më shumë nga Shqipëria dhe për këtë dua të falenderoj shumë DJ e njohur në Shqipëri Alban Çelën. Ai ka qenë ndër të parët që më ka ndihmuar që të vazhdoja këtë rrugë sepse është shumë e lehtë të heqësh dorë në këtë lojë, por është shumë e vështirë të vazhdosh përpara dhe Albani ka qenë një nga të parët që më ka thënë se duhet ta vazhdoja muzikën time.
Ai ka qenë producenti dhe DJ i parë shqiptar që më ka dhënë disa kontakte, kam promovuar muzikën time dhe falë tij unë kam arritur që të rritesha në ambientin muzikor.
CMG: Mendon se po të ishe në Shqipëri do të kishit pasur këto arritje në fushën e muzikës?
Jonny Broda album (Foto personale)
Xhoni Kasa: Unë do të kisha provuar çdo gjë që të ishte e mundur, por nuk është aq e thjeshtë. Gjithësesi unë besoj se ka shumë talente në Shqipëri dhe thirrja ime për ta është që mos të heqin dorë nga ëndrrat e tyre dhe pse në Shqipëri është pak e vështirë dhe e komplikuar që të arrish lart.
CMG: Ikët nga Shqipëria në një moshë të vogël me një ëndërr me vete. Mendon se tashmë kjo ështërr është realizuar?
Xhoni Kasa: Them se po, unë punoj dhe prodhoj çdo ditë muzikë, nga mëngjesi në darkë shikoj gjithmonë klasifikimet muzikore dhe vazhdoj t’i ndjek.
CMG: Flasim për diskot dhe klubet e natës ku ju keni luajtur muzikën tuaj. Cilat kën qenë emocionet kur luaje në këto ambiente dhe përshtypjet e publikut?
Xhoni Kasa: Shfaqja ime e parë ka qenë para tre vitesh në Atlantico, që është një nga diskotekat me sallat më të mëdha këtu në Romë, ku shumë artista jo vetëm me famë ndërkombëtare, por dhe italiane dhe shqiptare nëse nuk gaboj kanë luajtur atje. Në atë mbrëmje emocionet kanë qenë shumë të larta dhe publiku ka mbetur shumë i kënaqur nga muzika dhe ka luajtur një rol shumë të rëndësishëm që unë të vazhdoja përpara me ëndrrën time. Ky ka qenë fillimi i karrierës sime, ku unë kam luajtur në diskotekat e Romës, dhe nga aty kam kaluar për të luajtur muzikë në shumë diskoteka të tjera.
CMG: Si është pjesëmarrja e të rinjve në këto diskoteka ku ju luani dhe cila rrymë muzikore pëlqehet më tepër?
Xhoni Kasa: Preferencat e mia personale vazhdojnë të jenë gjithmonë tek muzika elektronike, house, tech house, por vështirësia që haset këtu në Romë është se i gjithë publiku kërkon që të luhet stili regaton, latino amerikan, diçka që unë e pëlqej, por duhet të kënaqet edhe publiku. Kështu që provojmë të bëjmë një miks midis anës time muzikore dhe atë që kërkon publiku.
CMG: Vini shpesh në Shqipëri për pushime dhe çfarë ju mungon nga vendlindja?
Xhoni Kasa: Nostalgjia dhe malli nuk kanë përfunduar kurrë përsa i përket Shqipërisë dhe Vlorës. Vendin tim më ndodh që ta vizitoj shpesh herë, jo çdo vit por të paktën njëherë në dy vite. Çdo herë që e shoh bëhet më e bukur Vlora.
CMG: Besoj që dhe familja ka luajtur një rol të rëndësishëm në rrugëtimin tuaj artistik?
Xhoni Kasa: Familja ka qenë pranë që në momentet e para. Nuk e kanë pasur shumë idenë sesi funksionon kjo lloj muzike, por më kanë thënë se në qoftë se kjo është ëndrra jotë dhe ke vendosur ta vazhdosh, të lutem vazhdoje. Kështu që familja dhe shoqëria kanë luajtur një rol shumë të rëndësishëm për vazhdimin tim.
CMG: Shpreson që në të ardhmen të vish të luash muzikë dhe në diskotekat shqiptare?
Xhoni Kasa: Ajo është një ëndërr absolutisht, si në Vlorë, Tiranë dhe qytete të tjera sepse gjithçka filloi aty. Ëndrra ime për t’u bërë DJ dhe producent filloi në Shqipëri, duke dëgjuar nëpër radio dhe telvizione muzikë elektronike të ndryshme, dhe ëndrra ime u zhvillua duke u bërë më e madhe akoma. Kështu që kthimi im aty mbetet një ëndërr dhe shpresoj që në të ardhmen të bëhet realitet.
Xhoni Kasa duke luajtur muzike ne diskoteke (Foto personale)
CMG: Cila është shoqëria që ju keni krijuar në Romë?
Xhoni Kasa: Shoqëria ime këtu më së shumti vazhdon të jetë nga komuniteti i huaj. Kam dhe shokë shqiptarë, por natyrisht janë më të shumtë italianët dhe nga shtete të tjera të botës, si Bosnje Hercegovina, Egjipti, por dhe shtetas amerikanë që jetojnë këtu, të cilët janë shumë miq të mirë.
CMG: Jonny Broda është emri juaj i artit që përdorni në produksionet tuaja muzikore?
Xhoni Kasa: Emri im Xhoni i kthyer në një gjuhë ndërkombëtare (Johnny), pra e ktheva në emër amerikan. Përsa i përket mbiemrit që mbaj (Broda) u krijua më shumë nga miqësia, pra brother si vëlla sepse ishte për t’u bërë brother dhe më pas e bëra Broda sepse e gjithë shoqëria më thërriste brother (vëlla). Aty krijova emrin Jonny Broda sepse nuk e kisha ndërmend si emër arti, por këngët e para që u publikuan kanë qenë me atë emër dhe unë kam vazhduar gjithmonë të zgjedh këtë emër.
CMG: Keni qenë i angazhuar gjatë këtij sezoni me muzikën tuaj në diskoteka?
Xhoni Kasa: Në këtë sezon të fundit fatkeqësisht jo sepse shumë diskoteka që janë në këtë qytet janë të mbylluara, mbyllen për sezonin veror dhe happen në vende të tjera të Italisë. Kështu që unë jam duke vazhduar me punën që bëj rregullisht nga e hëna në të premte në një restorant, dhe nuk kam pasur mundësinë që të shkoja dhe të luaja muzikë nëpër qytete të tjera.
CMG: Cilat janë projektet tuaja muzikore në të ardhmen?
Xhoni Kasa: Unë kam krijuar një ekip menaxhimi ku kam marrë shumë artista, janë rreth 7-8 artistë nga shtete të ndryshme ku dy nga djemtë janë shqiptarë, dhe po mundohem që të krijoj një grup producentësh të cilët bashkëpunojnë me njëri tjetrin.
CMG: Së fundi një përshëndetje për dëgjuesit e Radio Ejani.
Xhoni Kasa: Përshëndes të gjithë dëgjuesit dhe ishte një kënaqësi shumë e madhe të isha i ftuar për këtë intervistë.
Xhoni Kasa ne nje nga diskotekat e Romes (Foto personale)
Intervistoi: Gazmend Agaj