Eksperti: Në muajin gusht deri 75% e konsumit të energjisë është mbuluar nga prodhimi vendas
2022-09-19 09:17:21

Menaxhimi i krizës energjitike dhe përballja me çmimet e larta vijon të jetë në fokus të aktualitetit ekonomik dhe sfidë per qeverite. Enea Karakaçi, Drejtor i Përgjithshëm i Politikave dhe Zhvillimit të Energjisë dhe Industrisë pranë Ministrisë së Energjisë tha për mediat se “ Shqipëria po e menaxhon situatën, duke u koordinuar me kapacitetet e prodhimit vendas dhe alternimet me importin”.

Panelet fotovoltaike (Foto KESH)

Panelet fotovoltaike (Foto KESH)

“Siç besoj të gjithë tashmë e dinë kjo është një situatë krejtësisht e pazakontë. Është një krizë që ka filluar në vitin 2021 në Evropë dhe në botë dhe është përkeqësuar për shkak dhe të konfliktit Rusi-Ukrainë. Duke qenë se gazi natyror është një produkt dhe sidomos gazi rus, që përdoret nga 40% e shteteve evropiane ka bërë që të rritet dhe çmimi i energjisë elektrike sepse në bursat e energjisë, çmimi i gazit natyror dhe i energjisë elektrike janë të bashkuara. Kjo ka bërë që çmimi i energjisë elektrike të ketë një rritje galopante. “- thotë Karakaçi

Çmimet, sipas përfaqësuesve të qeverisë, kanë arritur kulmin dhe ndaj paralelisht mendohet edhe kursimi.

“Ne kemi parë në datë 31 gusht që çmimi i energjisë në orçn 8 të darkës që është në orën pikë ka qenë 1040 euro, që është një çmim i padëgjuar më parë dhe sigurisht kjo ka shkaktuar dy elementë. Së pari, përveç çmimit ka dhe një mungesë produkti në radhë të parë, mungesë energjie elektrike sepse shtetet që kanë përdorur deri tani gazin natyror siç mund të jenë Italia, Gjermania dhe vendet e rajonit, tashmë janë duke përdorur më shumë energji elektrike për shkak të mungesës së gazit natyror. Si e tillë çfarë ka ndodhur? Shoqëria KESH po optimizon në mënyrë maksimale të gjitha burimet e brendshme të energjisë elektrike. Ka bërë importe energjie, por në sasi më të vogla, për shkak të çmimit shumë më të lartë të energjisë dhe sigurisht ka optimizuar gjithë prodhimin vendas bashkë me hidrocentralet dhe në bashkëpunim me OSHEE-në.”- shton Karakaçi.

Drejtori pranë Ministrisë së Energjisë dhe Infrastrukturës jep edhe shifra.

Eksperti Enea Karakaçi (Foto Klan TV)

Eksperti Enea Karakaçi (Foto Klan TV)

“ Mund t’ju jap një shifër që në muajin gusht 70-75% e konsumit është përballuar nga prodhimi vendas, ndërsa pjesa tjetër 25-30% është importuar. Këto shifra vitin e shkuar kanë qenë më të larta, pra sasia e importit, por këtë vit duke qenë se çmimet kanë qenë shumë më të larta në një mënyrë të paimagjinueshme, sigurisht është rritur prodhimi vendas. Qeveria ka plan masash për menaxhimin e situatës për vijimin normalisht të ushtrimit të aktivitetit energjitik në vend, por është e nevojshme që të gjithë të kuptojmë që duhet kursyer energji. Një plan të tillë masash e kanë shpallur të gjithë vendet e Evropës.” – shton Karakaçi.

Sa i takon çmimit të ri mbi 800 kwh, Karakaçi thotë se preken vetëm 4 përqind e popullsisë.

“Së pari është e nevojshme të themi cfarë konsiston fasha 800. Duhet të kuptojmë që konsumi 800 KWH është konsumi i 96% të abonentëve në Shqipëri dhe për më tepër konsumi 800 KWH përfshin konsumin për aktivitetet më të zakonshme shtëpiake në muaj dhe kjo është bërë mbi një bazë përllogaritjeje shumë të kujdesshme. Pra siç e thashë 96% e konsumatorëve konsumojnë nën 800 KWH. Pra, 96% e konsumatorëve nuk afektohen nga kjo rritje e energjisë elektrike. Por në kushtet kur energjia është bërë një mall shumë i shtrenjtë dhe i rrallë në treg, është e nevojshme që ato abonentë që konsumojnë energji elektrike më të madhe, që janë 4% e abonentëve, paguajnë për këtë energji elektrike me çmim më të lartë. Nëse ju e përdorni energjinë elektrike për aktivitete si ngrohja e pishinës, kryerja e aktiviteteve të tjera është e lejueshme, mund ta bëni, por duhet të paguani sa është energjia.”, sqaroi eksperti

Qeveria do të subvencionojë abonentët që aplikojnë për instalimin e paneleve diellore në tarracat e pallateve. Ky projekt do të nisë me 2000 abonente dhe për ta do ketë nje grant mbështetje 70% të kostos për vendosjen e paneleve diellore. Projekti do të nisë në 1 tetor, por nga data 1 nëntor e këtij viti abonentët do të kenë mundësi të aplikojnë për të marrë këtë grant për instalimin e paneleve diellore.

“ Së pari, duhet të themi që ky është një financim që kryhet për herë të parë në Shqipëri, që financohen direkt abonentët familjarë për instalimin e impianteve diellore për ujin e ngrohtë. Uji i ngrohtë ze një peshë që shkon deri 30% të konsumit të abonentëve familjarë dhe si e tillë kjo është një ndihmë e mirë. Numri mund të mos jetë tmerrësisht i madh, por është faza e parë. Ne jemi duke folur për periudhën tetor- dhjetor, që është menduar të përfshihet në këtë fashë financimi. Në vitin 2023 nëse familjet shikojnë që kanë interes dhe kanë bërë aplikime për këtë, sigurisht që do të hapet fazë tjetër.”-shprehet Karakaçi.

Energjia elektrike(lexo.al)

Energjia elektrike(lexo.al)

Qeveria, sipas drejtuesve të Ministrisë së Energjisë, aplikon masën më të lartë të lejimit të instalimit të fotovoltaiokëve për konsum.

“ Ne në rajon dhe në Evropë kemi masën mbështetëse më të lartë sepse lejojmë instalimin deri në 500 Kw kapacitet të instaluar. Ky është kapaciteti më i lartë në rajon dhe pothuajse dhe në Evropë. Së pari, duhet të themi që është më i larti, është mbështetja më e lartë që ka Shqipëria në të gjitha vendet e rajonit dhe në Evropë. Së dyti, nga vitit 2019 nga ana e Ministrisë janë bërë të gjitha aktet nënligjore të mundshme për të bërë aplikime të tilla dhe  sot ka rreth 40-50 mega kapacitet të instaluar vetëkonsumi. Ka rreth 500-600 abonentë që e kanë lidhur panelin fotovoltaik për vetëkonsum. Pra e gjithë baza dhe kuadri ligjor është aty, procedura e lidhjes dhe procedura e autorizimit është një procedurë tmerrësisht e thjeshtuar, pra mund të merret për 15-20 ditë.”, vuri në dukje ai.

Eksperti Enea Karakaçi  tha se po shihen të gjitha  mekanizmat, nëse ka hapësirë që të rritet mbështetja.