Tiranë, çmimet e apartamenteve shtrenjtohen deri në 40% brenda një viti
2022-09-19 14:41:43

Pamje nga qendra e Tiranes (Foto Lapsi.al)

Pamje nga qendra e Tiranes (Foto Lapsi.al)

Çmimet e apartamenteve në Tiranë janë rritur nga 200 deri në 700 euro më shumë se në vitin 2021, njoftojnë burime nga Shoqata e Ndërtuesve në Shqipëri.

Brenda vijës së verdhë të ndërtimit, apartamentet e reja po shiten mbi 1000 euro/m² nga 900 euro/m² që niste vitin e kaluar çmimi i shitjeve.

Në zona të veçanta, si ajo e ish-Bllokut dhe “Komuna e Parisit”, çmimet kanë tendencë të fortë rritje deri në dyfish më të larta se vjet.

Shoqata e Ndërtuesve thotë se rritja e çmimeve është ndikuar nga shtrenjtimi i lartë i materialeve të ndërtimit, bëjnë të ditur mediet shqiptare.

Aktorë të tjerë të tregut pohuan se çmimet janë të fryra nga rritja e lartë e kërkesës.

Tregu i pasurive të paluajtshme në Tiranë duket se është në periudhën më të mirë, pasi krahas ofertës së lartë prej ndërtuesve brenda qendrës së Tiranës, qëndron edhe kërkesa e lartë për blerje.

Në anën tjetër, shtrenjtimi i çmimeve po ul leverdinë për marrjen me qira, si për shtëpitë në qendër, ashtu edhe në periferi.

Parashikohet që rritja e normave të interesit të kredive të sjellë rënie të kërkesës. (Fatosi)