Letërsia na vjen në ndihmë në çdo kohë për të kuptuar përmasat dhe pasojat e luftës. Në të vërtetë, rrëfimi duket se ka lindur bashkë me kofliktin. Mjafton të kujtojmë veprën e antikitetit,“Iliada” shkruar nga Homeri, që na sjell betejën e tmerrshme për marrjen e Trojës nga grekët. Por, historia është aty, brenda faqeve të librit, edhe në kohë paqeje, edhe në kohë të trazuara. Ajo është një lloj dëshmie, për të na kujtuar pasojat dramatike të luftës edhe në kohë paqeje.
foto ilustruese - foto nga Birmiss
Librat janë këtu për ne, që të na ndihmojnë për të kuptuar më mirë tjetrin, për të ndërtuar një komunikim të qëndrueshem me tjetrin, pa dallim në besim, rracë, ngjyrë, komb apo pikëpamje tjetër.
Ekziston një thënie “Historia që harrohet përsëritet”, prandaj duhen lexuar shumë libra mbi luftën që të mos lejohet përsëritja e historisë.
Ne kemi përzgjedhur 9 romanet më të mira që kanë në qendër luftën dhe konfliktet njerëzore, shumë të vlerësuar nga kitika dhe lexuesit që trajtojnë temën e luftës.
“Lufta dhe paqja”, nga Lev Tolstoi
“Lufta dhe paqja” është një novelë historike që tregon për ngjarjet e trazuara në Rusi gjatë luftrave të Napoloeonit në fillim të shekullit të nëntëmbëdhjetë.
Mbështetur mbi një stil jete aristokratike që tashmë kish filluar të zhdukej gjatë kohës që Lev Tolstoi shkroi librin e tij në vitet 1860, libri përmbledh një periudhë relativisht të shkurtër – pesëmbëdhjet vjet – por paraqet jetët e karaktereve të ndryshëm nga të gjitha segmentet e shoqërisë me detaje të gjalla dhe të mirërealizuara. Tregimi pasqyron përballjen e një gjeneratë me ndryshimin, i cili i bën disa që të luftojnë për të mbrojtur strukturën ekzistuese edhe me jetët e tyre, ndërsa të tjerë e kuptojnë se mënyrat e vjetra po zhduken. Pjesërisht leksione historie, pjesërisht romancë e mrekullueshme, pjesërisht revizionizëm betejash, dhe pjesërisht leksione filozofie, Lufta dhe Paqja vazhdon të mbërthejë gjenerata të tëra lexuesish të cilët joshen me tregimin mbërthyes dhe kuptimin e qartë dhe inteligjent të shpirtit njerëzor.
“Arti i luftës” nga Sun Tzu
Arti i luftës përbën librin më të mirë dhe më të shquar të strategjisë ushtarake të të gjitha kohërave. Ky libër me plot dy mijë e pesëqind vite jetë është një ndër tekstet më të vyera dhe të spikatura të klasikëve kinezë, në të cilin, pavarësisht kohës dhe kalimit të shekujve e mijëvjeçarëve, asnjë nga parimet e tij nuk mund të cilësohet si i vjetëruar dhe të gjitha këshillat e tij vijojnë të jenë të dobishme edhe sot e kësaj dite.
Por ndërkaq vepra e gjeneralit Sun Tzu nuk ngërthehet vetëm nga të qenët një libër mbi praktikat ushtarake, por është pa dyshim një traktat i mirëfilltë që i shpërfaq lexuesit ngaherë strategjinë më të epërme të të zbatuarit me mençuri të dijenive lidhur me natyrën dhe karakterin njerëzor në momentin e përballjes në fushën e betejës.
Por megjithatë, ky nuk është një libër mbi luftën; ai më tepër mund të konsiderohet si një vepër që të shtyn të kuptosh më qartë se ku ndryhen rrënjët e një konflikti dhe rrjedhimisht të kërkosh edhe një zgjidhje përkatëse.
Asgje e re nga fronti i perendimit - foto Shtepia e Librit
“Asgjë e re nga fronti i Perëndimit” nga Erich Maria Remarque
I botuar për herë të parë më 1929, “Asgjë e re nga fronti i perëndimit” është konsideruar si një nga librat më të rëndësishëm të shkruar me subjekt nga kasaphana e Luftës së Parë Botërore. Siç shkruan autori, kjo është një mënyrë e përsosur “për të rrëfyer një gjeneratë, që edhe nëse u shpëton granatave, shkatërrohet nga lufta”.
“Lavdi Katalonisë” nga George Orwell
Ndërsa lexon librin “Lavdi Katalonisë”, Spanja të vjen e gjallë para syve me qytete, male dhe njerëz; vuajtjet e gëzimet e shkrimtarit bëhen edhe të tuat. Vuajtjet e tij nga i ftohti në llogore të mbushin trupin me drithërima ndërsa sikleti i mungesës së duhanit në mes të stresit të luftës të hedh në këmbë dhe të bën të ndezësh edhe ti një cigare sa për t’u siguruar se nuk të mungon. Shpresa e tij për një shoqëri të barabartë të mbush me shpresë edhe ty.
Ndërsa qëndronte në llogore, kryesisht pa bërë asgjë të vlefshme për demokracinë, siç e përshkruan ai pjesëmarrjen e tij në luftë, Orwell qëllohet në qafë nga një plumb i hedhur nga një snajperist nga llogoret fashiste.
Përshkrimi që i bën Orwell plagosjes së tij është i tillë sa të shkon dora instinktivisht në qafë se mos plumbi të ka zënë edhe ty vetë gjatë leximit.
“Pianisti” nga Wladyslaw Szpilman
“Pianisti” është sa dëshmi e ngadhënjimit këmbëngulës të jetës së një njeriu përballë vdekjes, aq edhe e forcës njerëzore për t’u ngritur nga hiri. Vlladisllav Shpilmani, një pianist i ri nga Varshava, po luante në piano teksa jashtë shpërthenin predhat. Ishte emisioni i fundit muzikor i drejtpërdrejtë nga Varshava: atë pasdite, një bombë gjermane shkatërroi radiostacionin dhe Radioja Polake ndërpreu transmetimin. Lufta e futi qytetin në tmerrin e pushtimit nazist, grumbullimin e hebrenjve, fillimin e bastisjeve. Gjithë familja e muzikantit dhe shumë prej miqve të tij mbetën të vrarë, por ai mbijetoi mrekullisht mes gërmadhave të Varshavës. “Pianisti” është sa dëshmi e ngadhënjimit këmbëngulës të jetës së një njeriu përballë vdekjes, aq edhe e forcës njerëzore për t’u ngritur nga hiri.
Per ke bie kembana - foto Adrion
“Për kë bie kambana” nga Ernest Hemingway
“Për kë bie kambana” nga Ernest Heminguej u publikua në vitin 1940. Ky roman tregon historinë e Robert Xhordan, një i ri amerikan i brigadës ndërkombëtare, i angazhuar në një njësi guerrile republikane gjatë Luftës Civile Spanjolle.
“Vajza e Pirenejve” nga Kristin Hannah
“Vajza e Pirenejve” është një roman i bukur dhe thellësisht prekës që ngre në piedestal pathyeshmërinë e shpirtit njerëzor dhe qëndrueshmërinë e grave në luftë. Ky është një roman që lartëson njeriun dhe jetën.
Vajza e Pirenejve” tregon historinë e dy motrave të ndara prej vitesh, nga përvoja, ideale dhe pasione të ndryshme për jetën. Secila prej tyre ndjek rrugën e saj të rrezikshme drejt mbijetesës, dashurisë dhe lirisë, në Francën e pushtuar nga gjermanët dhe të shkatërruar nga lufta. “
“Vajza e Pirenejve” është një roman i bukur dhe thellësisht prekës që ngre në piedestal pathyeshmërinë e shpirtit njerëzor dhe qëndrueshmërinë e grave në luftë. Ky është një roman që lartëson njeriun dhe jetën.
“Gjuetari i balonave” nga Khaled Hosseini
Një histori gjithëpërfshirëse e familjes, dashurisë dhe miqësisë, e treguar në sfondin shkatërrues të historisë së Afganistanit gjatë tridhjetë viteve të fundit, “Gjuetari i balonave” është një roman i pazakontë dhe i fuqishëm që është bërë tashmë një klasik i dashur, – i veçantë në llojin e tij. Historia e paharrueshme, zemërthyese e miqësisë së pamundur midis një djali të pasur dhe djalit të shërbëtorit të babait të tij vjen e sendërtuar bukur tek Gjuetari i balonave, një roman i krijuar mjeshtrisht; i vendosur në një vend që është në proces shkatërrimi.
“Hajdutja e librave” nga Markus Zusak
“Hajdutja e librave” është ndoshta historia që do t’ju ngeli gjatë në mëndja dhe pasi do e mbaroni së lexuar. Një letërsi e ndërthurur mes letërsisë fëminore dhe asaj të rritur dhe kjo e fundit për vetë faktin se libri është pak i vështirë për tu kuptuar dhe me mesazhe të forta e sidomos kur është vetë vdekja që përcjell këtë histori.
Personazhi kryesor, Liezel, një vajzë e birësuar e takon vdekjen që në vogëlin e saj për ta shoqëruar përgjatë gjithë historisë e çdo herë ajo i shpëton asaj për mrekulli. Duke jetuar, e dashuruar pas librave, fjalëve dhe jetës ajo do ju magjepsi.
Është histori që të ngelet në mendje, në të cilën lexuesi lexon një tjetër realitet të Luftës së Dytë Botërore, jo atë që gjithmonë sjellin dhe e përshkruajnë historianët, por një histori familjesh, fëmijësh dhe qoshe lagjesh. Nëse s’e keni lexuar akoma, ju këshillojmë që ta lexoni menjëherë.
Përgatiti N. Kraja