Në po të njëjtin vit ajo mori pjesë në Festivalin “Zambaku i Prizrenit” me këngën "Kjo Melodi". Më pas do të vinin shumë këngë të shoqëruara me videoklipe, të realizuara nga emra të njohur të muzikës si, Florent Boshnjaku, por tekstet e shkruara nga vetë ajo. Në korrik 2021 Jehona Lumi interpretoi në festivalin “Zambaku i Prizrenit” këngën "S'ngrohet Zemra Ime". Në intervistë për Grupin Mediatik të Kinës (CMG) Jehona flet për karrierën e saj muzikore dhe planet në të ardhmen.
CMG: Kohët e fundit ke qenë shumë e angazhuar me koncertet live. Cili moment të ka emocionuar më shumë?
Jehona Lumi: Realisht ka qenë një vit shumë i ngarkuar, ndoshta viti më i ngarkuar gjatë gjithë karrierës time, krahas mbrëmjeve të shumta live e gjiithë kërkesave që kemi pasur. Unë tashmë jam një nënë e re dhe e kam edhe një punë tjetër në një institucion shtetëror, ku punoj gjatë ditëve të javës me orar të rregullt, ndërsa gjatë mbrëmjeve me muzikë live, ku gjej qetësinë shpirtërore dhe më fal kënaqësi. Ka pasur momente emocionuese pafund, por do të veçoja dy prej tyre, të cilat më kujtohen për momentin. Njëri është “Zambaku i Prizrenit”, ku unë këndova një këngë që e kisha shkruar gjatë pandemisë kur ishim mbyllur dhe i kushtohet të gjithë atyre që e kanë humbur betejën në atë periudhë. Teksa e këndova u rëndova shumë emocionalisht, mënyra sesi publiku më priti, komentet e tyre më bënë që të mos e harroj atë emocion e atë ngjarje.
Ndërsa si emocion të dytë do të veçoja një prej xhirimeve të vitit të ri, ku këndova këngën “Mos ja prishni lumturinë” së bashku me një kor shumë të madh fëmijësh. Ishte një ndjenjë që nuk e kisha provuar më herët dhe mendoj që e sollëm atë këngë në një version fantastik.
CMG: Gjatë kësaj vere një status i yti ishte: "Me gjëra të mira, me gjëra të bukura". Për çfarë e ke patur fjalën? Çfarë të rejash na presin nga Jehona?
Jehona Lumi: Unë gjithmonë jam duke punuar rreth muzikës, duke bërë këngë të reja dhe fakti që kam studion në shtëpi do të thotë që gjithmonë do të ketë diçka të re.
CMG: Ti në të gjitha live-t je e shoqëruar nga bashkëshorti instrumentist, Rinor Ukimeri. A i bëni bashkë provat, duke interpretuar edhe në shtëpi?
Jehona Lumi: Është e vërtetë, ne jemi bashkë pothuajse gjithmonë, por prova në shtëpi nuk bëjmë thuajse fare, përveç rasteve që mund te kemi ndonjë kërkesë apo event që na kërkojnë ndonjë këngë që nuk e dimë, e shikojmë tonalitetin se ku më përshtatet mua, në të kundërt, jo. Mbaj mend kur kemi filluar të angazhohemi me muzikën live në fillim kur kemi marrë ftesat e para, i kemi bërë provat së bashku me bashkëshortin, por edhe me bandën muzikore. Më pas disi më rrallë dhe jo prova të gjata, mjafton që ta dimë një këngë të dy dhe e këndojmë direkt pa prova.
CMG: Si u njohët bashkë?
Jehona Lumi: Ne jemi njohur në një koncert ku Rinori i binte pianos dhe unë këndoja. Fillimisht ishim shokë dhe na ecte shumë mirë muhabeti, më pas vazhduam më tej. Kemi qenë shumë të rinj kur jemi lidhur dhe rrugën muzikore e kemi ndjekur e përjetuar të dy, ku në shumë raste e kemi ndihmuar mjaft njëri-tjetrin.
CMG: Ti këtë vit ke sjellë albumin muzikor me titullin "My Sun" dhe një prej tyre i dedikohet djalit tuaj. Na trego më tepër për këtë album
Jehona Lumi: Albumi im “For you my son” përmban 9 këngë, të cilat i kam shkruar vetë dhe janë pjesë e karrierës sime të deritanishme, që do të thotë se janë këngë që janë realizuar më herët, por edhe shumë këngë të reja të realizuara për këtë album. Jo vetëm kënga “For you my son”, por i gjithë albumi i dedikohet djalit tim, pasi me ardhjen e tij në jetë ka ndryshuar e gjithë jeta ime për mirë dhe për këtë fakt ja kam dedikuar të gjithë albumin tim atij si dhuratë.
CMG: Një album i realizuar brenda familjes, ku ti je testshkruese dhe ke realizuar muzikën e këngëve, ndërsa bashkëshorti yt Rinori ka punuar për orkestracionin. A është më e lehtë apo më e vështirë puna në familje?
Jehona Lumi: Padyshim që më ndihmon shumë. Rinori më jep gjithmonë ide dhe më nxit për këngë të reja, por fakti që jemi shumë të zënë me live-t, na le pak mbrapa me projektin. Sepse mendon se studion e ke aty në shtëpi edhe mundesh ta bësh edhe të nesërmen, kështu që këngët e mia gjithmonë vonohen e nuk dalin në periudhën e parashikuar. Kjo është diçka që do e cilësoja si më pak të mirë, pastaj çdo gjë tjetër është shumë mirë sepse s’kemi nevojë për të paguar dikë tjetër për regjistrimin, tekstin e të gjitha këto, do të thotë e kemi shumë më të lehtë që i punojmë këngët bashkë.
CMG: Ti je pjesë e bandës muzikore në televizionin ATV. Sa të ndihmon kjo profesionalisht?
Jehona Lumi: Televizioni ATV ka qenë një eksperiencë shumë e mirë për mua, sepse grupi i ATV-së është fantastik dhe profesional. Performancat e mia në emision kanë qenë gjithmonë live, në dallim nga kolegët e tjerë, të cilët i kanë regjistruar xhirimet më herët e kanë mundur të kthehen kur diçka nuk u ka pëlqyer. Unë e kisha barrën e përgjegjësisë më të madhe, pasi gjithçka ka qenë direkt, por mund të them se gjithçka ka shkuar më së miri, dhe jam shumë e lumtur dhe krenare për çdo paraqitje timen. Për shkak të sezonit të verës ku isha shumë e ngarkuar me muzikën live dhe festa të ndryshme familjare, jam tërhequr nga televizioni që nga qershori i këtij viti për arsye se edhe puna gjatë ditës në ministri ma bëjnë të pamundur punën në televizion.
CMG: Ti ke qenë në "The Voice", sa të ka ndihmuar kjo pjesëmarrje për ta vazhduar muzikën?
Jehona Lumi: “The Voice” mbetet një eksperiencë shumë e mirë për mua, orkestra aq e mirë dhe e madhe e Top Channel, këshilla që i kam marr nga mentorët, që prej fillimit, madje dhe se si mbahej mikrofoni në mënyrën e duhur profesionale e kemi mësuar aty, sa larg duhet qëndruar dhe si të qëndrojmë për t’u dëgjuar gjithçka më bukur. Mendoj që jo vetëm mua, por gjithsecilit konkurent aty i ka ndihmuar ajo eksperiencë. Pasi kam mbaruar “The Voice” mua më kanë nisur kërkesat për muzikë live dhe ishte kështu një fillim i mbarë për mua.
CMG: Cilat janë planet e tua në vazhdim?
Jehona Lumi: Sezoni i verës ka qenë shumë i ngarkuar për mua dhe deri në fund të shtatorit, përveç datave që i kam të rezervuara nuk do të ketë diçka të re në këtë periudhë. Në fakt është një projekt që më ka mbetur përgjysmë, janë disa hite, pra 8 këngë që mua më kanë pëlqyer më së shumti dhe kam vendosur që t’i risjell si covers. Ideja e kësaj është që nuk do i sjell vetë, por me ata këngëtarët që i kanë kënduar ato këngë origjinale. Do të ketë gjithashtu edhe videoklipe e këngë të reja, dhe nëse do të arrij t’i realizoj deri në fund të këtij viti, mendoj që të sjell më pas për publikun edhe koncertin tim të dytë recital, duke shpresuar që të jetë shumë i veçantë.
Intervistoi: Sava Lena