IPA III, BE: Deri në 600 milionë euro për të mbështetur reformat e Shqipërisë
2022-09-18 10:39:15

Bashkimi Evropian ka përshëndetur miratimin në Kuvendin e Shqipërisë të ratifikimit të marrëveshjes financiare me BE-në në kuadër të paketës IPA III. Delegacioni i BE-së në Tiranë, përmes një postimi në “Twitter”, bëri të ditur se përmes kësaj marrëveshje, Bashkimi Evropian do të mbështesë reformat e Shqipërisë në lidhje me procesin e zgjerimit, deri në 600 milionë euro, përcjell “RTSH”.

“Lajm i mirë! Kuvendi i Shqipërisë ratifikoi marrëveshjen me Bashkimin Evropian për shtatë vitet e ardhshme të ndihmës financiare të BE-së, e cila do të mbështesë reformat e Shqipërisë në lidhje me procesin e zgjerimit, deri në 600 milionë euro”,- shkruan Delegacioni i BE-së në Shqipëri.

Ambasadorja e BE-së, Christiane Hohmann, shkruan se ky ratifikim mundëson një paketë më të madhe ndihme për Shqipërinë në vitet në vijim si dhe përmirësimin e jetës së qytetarëve.

“Ky ratifikim vazhdon partneritetin e fortë BE-Shqipëri, me një paketë të re dhe më të madhe ndihme për qeverinë në procesin e zgjerimit në vitet në vijim si dhe përmirësimin e jetës së përditshme të popullit shqiptar”,- shkruan ambasadorja Hohmann. (Irma)