Zhvillohet në Tiranë Java Evropiane e Lëvizshmërisë, për përmirësimin e cilësisë së jetesës
2022-09-18 10:57:26

Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor njoftoi se nga data 16-22 shtator do të zhvillohet në Tiranë Java Evropiane e Lëvizshmërisë.

Përmes një njoftimi zyrtar, DPSHTRR-ja bëri të ditur se ky është një projekt i përvitshëm i Komisionit Evropian, që synon përmirësimin e cilësisë së jetesës duke promovuar përdorimin e transportit publik, biçikletën dhe mjete të tjera alternative, dhe sigurisht ecjen.

Tema për këtë vit është “Lidhje më të mira” dhe synon të nxjerrë në pah dhe të nxisë sinergjitë midis njerëzve dhe vendeve që ofrojnë ekspertizën, kreativitetin dhe përkushtimin e tyre për të rritur ndërgjegjësimin për lëvizshmërinë e qëndrueshme dhe për të promovuar ndryshime të sjelljes mbi lëvizshmërinë aktive.

Drejtoria e Transportit Rrugor bëri të ditur se pesë shtyllat e kësaj teme janë:

Njerëzit, vendet, paketat e sensibilizmit dhe mbështetjes, planifikimi dhe krijimi i politikave specifike mbi mobilitetin.

DPSHTRR-ja u bën thirrje njerëzve të përdorin sa më pak mjetet ndotëse dhe të përqafojnë qasje të reja të transportit, që janë miqësore për ambientin. (Irma)